“Drejtësia e premtuar”

30 Qershor 2015, 11:13Blog TEMA
“Drejtësia e premtuar”

 Nga Kastriot Kotoni

Tiktaku i orës politike shqiptare erdhi më në fund aty ku ndërkombëtarët e kishin parashikuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e dha verdiktin e tij. Tani fillon beteja e ankimimeve të partive në gjykata. Në sa e sa raporte ndërkombëtare sistemin gjyqësor shqiptar e rendisin si nga më të korruptuarit e mbi të gjitha tejet të politizuar e me një metodë mosndëshkimi ndaj asaj çka ligjërisht është shumë qartë e dënueshme. Prognoza e kryetarit të mazhorancës Z. Edi Rama për sistemin gjyqësor në Shqipëri, është këmbana e vonuar për çdo shtetas shqiptar. Qindra shkrime e opinone në media, në këto 24 vjet, nuk i mjaftuan partive, të cilat pikë së pari me drejtësinë duhet të ishin angazhuar, apo edhe kjo ndodh të jetë me idenë, se kur jam unë në pushtet drejtësia është e mirë dhe e drejtë. Me drejtësinë, si në çdo fushë të jetës në Shqipëri, përdoret teoria e “njerëzve të mi” dhe “njerëzve të tu”, ose me ne, me mua, apo me atë, deri në shkatërrimin e vazhdueshëm në pafundësi të administratës shtetërore. Katraura e sistemit gjyqësor shqiptar përbën sot filozofinë e jetës për çdo njeri. Nga të shohë pra i varfëri njeri, i cili shkon të kërkojë drejtësi, kur opozita ankohet më keq se një qytetar me avokat falas. Sot, më i dëmtuar se kushdo, është qytetari, i cili shikon tek drejtësia një mur monolit të padepërtueshëm në marrjen e vendimeve të drejta. Ai mendon, se kur në këtë vend mohohen të drejtat e njerëzve të veshur me një lloj pushtetit politik, qoftë ky dhe opozitari në një shtet të së drejtës, vaj halli, halleve tona si njerëz të thjeshtë që fillojnë nga ato më jetësoret e deri tek ato politike e shoqërore. Besimi tek gjyqësori shqiptar është mëse i testueshëm. Vetëm duke parë në çfarë janë shndërruar avokatët, në “manaxherë të vërtetë të parasë nga dora e palës tek dora e prokurorit, gjykatësit e deri tek polici roje i drejtorisë së policisë.” Pas një rëfenje tek libri “Vitet e Vegjëlisë” nga E.Hoxha, ai shkruan për një histori të një gjyqtari në Gjirokastër. I pandehuri kishte sharë dikë nga mustaqet, mirëpo edhe gjyqtari kishte mustaqe, ndaj edhe po i jepte të drejtë akuzuesit. Ndërkohë i pandehuri i kujton gjyqtarit të hapë qitapin e të lexonte seç shkruante ligji. Gjyqtari pa se në çdo faqe kish para(lek), dhe tha: -“Në fillim vërtet të dhashë të drejtë, se të kish fyer, por këtu ligja s’pyet as për mustaqet e mia”. Fabula nuk ka nevojë për koment. Dhe fabula vazhdon po deri kur dhe kush është ai shkopi magjik a “mjeti ligjor” që të zhbëjë mekanizmin e funksionimit të fabulës?

Me thikën drejt vetes, çdo shtetas i kësaj Shqipërie, i varfër apo i pasur, i shkolluar apo jo, me poste shtetërore apo nga fusha të ndryshme nga bota e artit kulturës, biznesit, por mbi të gjithë vetë njerëzit e drejtësisë janë po aq të kërcënuar nga metastazat e padrejtësisë që ata vetë i kanë mbjellur. Kur vlera e jetës në shtetin e së drejtës nëpërkëmbet, apo katandiset tek vrasje banale për një lopatë jonxhë çfarë mund të presësh nga drejtësia shqiptare. Shumë të huaj  e kanë në majë të gjuhës thënien, “se jeni vend i vogël e bini kushurinj me njëri – tjetrin” e ca të tjerë i bien qemanesë së vjetër “se jeni të paaftë për të bërë shtet”, na bëjnë t’a kërkojmë vetëdijen historiko – juridike tek mendimtarët e kombit Sami, Abdyl e Naim Frashëri, Nolin e Konicën. Të dyzetre vezirët e perandorisë osmane janë shembujt e shtet-formimit. Pa haruar kohët e Justinanit. Formati i një Di Pietro apo Falkone në sistemin tonë gjyqësor ende duket i largët. Me shumë gjasa fabula e rregullimit të sistemit do të jetë për mazhorancën e sotme synimi i reformës në drejtësi. Reformat në sistemin e drejtësisë lypin edhe votën e opozitës, veçanërisht dhe aktorët e këtij sistemi, d.m.th. të dhomave të avokatisë, shoqateve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa harruar Shkollën e Magjistraturës dhe fakultetet juridike publike dhe private. Ky fakt i përfshinë të gjithë njerëzit e drejtësisë, të cilët me imazhin dhe perceptimin e popullit për drejtësinë në Shqipëri, janë të paragjykuar qysh në nisje të reformës së saj. Së pari reforma në drejtësi perfomohet me ushtrimin e autoritetit të zbatimit të ligjit qysh në bankat e shkollës fillore tek nxënësit dhe arsimtarët. Me futjen e sistemeve elektronike të sistemit One Stop, u hiqet nga duart korrupsioni shumë njerëzve. Shembujt e zbatimit të ligjit duhet të gjejnë pasqyrim në mediat publike dhe private, për të ispiruar modele pozitive të gjyqtarëve e prokurorëve të cilët japin drejtësi me të drejtë e janë kurajozë përballë çdo presioni qoftë ky politik dhe kriminal. Zbatimi i ligjit të nënpunësit civil dhe ruajtja e statusit të nënpunësit civil përcakton edhe shkallën e seriozitetit të shtetit. Ikje e hajdjet nga administrata e njerëzve janë shkaku për të punuar me kohë të shkurtër dhe për aq sa punon do korruptohet nënpunësi. Mosha e juristëve dhe përzgjedhja e tyre është një tjetër fenomen i sistemit tonë gjyqësor. Kariera nuk fillohet falë një dëftese me nota të shkëlqyera, por testimeve nga juri të vlerësuara qoftë edhe nga jashtë. Mosha e juristëve, është faktori përvojë e cila tregon shkallët e rritjes në detyrë me shembuj pune në sistemin e drejtësisë dhe shkallës së kualifikimit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve a juristëve. Të bindur sot, se shkolla jonë nuk i shpëton fenomenit të shitjes së notës dhe uljes së performancës së mësidhënies nga rrethi i petagogëve si në sistemin publik dhe atë privat. Kemi një realitet tjetër tash prej 23 vjetësh dhe ky kontigjent i gjyqësorit shqiptar do t’i duhet ta ul pak kokën edhe për këtë fakt. Disa prej tyre mburren si dhjetorista e të tjerë akoma më keq, ankohen se në kohën e tyre nuk bëhej mësim se shkonin bashkë me petagogët nëpër mitingjet e partive. Të shumtë u bënë njerzit me diploma juridiku, a thua se Shqipëria ishte vend me 20 milion banorë, e do t’i hynte në punë kjo diplomë. Të tjerë ankohen se nuk kishin tekste mësimore e justifikimi ishte se nuk ishte aprovuar kushtetuta. Por, e habitshme është bashkëjetesa në gjyqësorin shqiptar mes juristëve të shkollës së plepit me ata të shkollës publike të jurispudencës. Intresat e pushtetit gjyqësor me pritshmëritë e një reforme në sistemin e drejtësisë mund të jenë edhe diametrialisht të kundërta, por ndarja nga një drejtësi gjysmake që rrit tensionet në shoqëri dhe krijon kosto të pajustifikueshme për gjendjen e kriminalitetit si dhe për sistemin e burgjeve, duhet bërë një orë e më parë. E ardhmja e këtij vendi nuk mund të ndalet në rrugën e integrimit evropian, as nga një grup njerzish që duan të krijojnë një kastë oligarkësh të paprekshëm, as nga frymëzuesit e tyre politik të cilët e përdorin këtë kast sa herë u preken interesat.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje