Prezantohet drejtoresha e re e Doganave/ Cani: Taksat nuk do të rriten

13 Korrik 2015, 13:25Ekonomia TEMA

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani prezantoi Drejtoren e Përgjithshme të Doganave, Pranvera Fagu (Behushi), e cila është emëruar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave në krye të doganave shqiptare.

Ministri Cani u ndal në gjendjen aktuale të doganave shqiptare dhe në nevojën emergjente për të ndryshuar metodën e punës, lidhur me grumbullimin e të hyrave doganore.

“Ka një mosrealizim në të ardhurat nga doganat, për të cilin duhet nxjerrë përgjegjësia, secili duhet t’i dalë zot detyrave të veta”, tha ministri i Financave, duke iu kërkuar drejtuesve të doganave që në çdo sektor, drejtori apo degë të vendosen tregues të matshëm ditorë të punës.

Ministri Cani kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave funksionimin e një sektori real të statistikave doganore, por sidomos të analizës së të ardhurave, që ka munguar, duke dëmtuar ecurinë normale të këtij institucioni në riorientimin e zgjidhjeve në bazë të këtyre analizave.

Cani kërkoi informacion të përditshëm nga dogana dhe tha se edhe analiza e treguesve do të jetë e përditshme, jo vetëm në DPD, por edhe në ministrinë e Financave.

Ministri e vlerësoi të papranueshme gjendjen në doganat shqiptare dhe kërkoi të merren masa urgjente, duke filluar me ndryshimin tërësor të mënyrës së të menduarit dhe të punuarit në doganë.

“Qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat, por ne do të synojmë grumbullimin e plotë të të ardhurave, me çdo mënyrë, duke iu dalë për zot detyrave dhe duke këmbëngulur që, për të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij angazhimi, të mos ketë vend në administratën e shërbimit doganor shqiptar”, nënvizoi Cani.

Më pas, ministri i Financave u ndal konkretisht në disa tregues specifikë të punës në shërbimin doganor, duke kërkuar angazhim sidomos për respektimin e plotë të kontratave koncesionare, pjesë e punës së doganave, siç janë kontratat me shoqëritë që ofrojnë shërbimin e skanimit, të markimit të karburanteve, të pullave fiskale, etj.

Theks i veçantë u vu në përmirësimin e punës për zhdoganimin e cigareve dhe në evidentimin e faktorëve që kanë çuar në një rënie të dukshme të zhdoganimit të tyre, rrjedhojë edhe e faktorëve të tregut të brendshëm të prodhimit e tregtimit të duhanit, sidomos atij të grirë.

Ministri i Financave bëri me dije se ministria dhe institucionet në varësi të saj janë duke hartuar dhe realizuar një plan të kujdesshëm masash për të përmirësuar grumbullimin e të hyrave fiskale në tatime e dogana, etj., që i paraprin një aksioni kombëtar, në front të gjerë, në luftë kundër informalitetit.

Drejtorja e re e Doganave, Pranvera Fagu, duke falënderuar për detyrën e re dhe mbështetjen e dhënë nga ministri Cani, tha se e vlerëson si sfidë detyrën e kreut të doganave dhe kërkoi të punohej si ekip, si një skuadër për të përballuar problemet e vërejtura në shërbimin doganor shqiptar.

“Për mua objektivat janë të qarta, realizimi ritmik i planit dhe ndryshimi i imazhit të doganierëve mbeten prioritet”, tha Fagu, duke shtuar se objektiv është realizimi i çdo treguesi të planifikuar.

Shërbimi Doganor Shqiptar për periudhën e gjysmës së parë të këtij viti ka krijuar një defiçit në raport me treguesit e planifikuar, ndërkohë që përveç produktit cigare, të gjithë produktet e tjera të zhdoganuara, në sasi fizike, janë në një nivel më të lartë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar./gj.k/

10 komente në “Prezantohet drejtoresha e re e Doganave/ Cani: Taksat nuk do të rriten”

  1. Dulla says:

    Po mire drejtoresha e re.
    Po ndonje minibiografi pune a ka kjo??
    Ku ka punuar?? Çfare arsimi ka??
    Kush e ka propozuar dhe per çfare meritash eshte vendosur drejtoreshe e doganave??

    1. melinda says:

      Asnje presje nuk i heq komentit tuaj.

      Transpareca eshte zero.

    2. anila B says:

      e ka propuzuar Rama. te bej ca lek se esht keq. keto pa bukset qe ve ky po i rrjepin doganat. kesaj here e menderosi fare. kjo esht NUL e njof ….

  2. krenar nushi says:

    O dulla pa merak se eshte shum me i mir se te gjith paraardhesit e vet. esht juriste e shkelqyer dhe tituj akademik

  3. coli says:

    Bravo nuk ka rritie te doganve po te cmimet qe blen populli pse po rrite taksat apo jemi mire me rrogat e larta!

  4. Shaqja nga Vora says:

    Duhet te jete nga LSI, ata dine te mbledhin leke. Vertet do ti cojne tek Likja por po te mbetemi keq, ai do te na jape disa leke. Si ajo historija me folene e milingonjave.

  5. erli says:

    Po mire po drejtoresha e perndritur Spiropali qe kish realizuar me 99% te ardhurat e doganave (0 sipas nje deklarate te bere nga vete ajo ne emisionin OPINION ) ku shkoi, pse u dorehoq meqe kish rezultare kaq te perndritura sa nuk ja zene edhe ne goje tani ???

    Kush i kerkoi llogari asaj zonje per ` arritjet ` e saj te madherishme gjate kohes qe ishte aty drejtoreshe ???? Kush foli per deshtimin e saj klamoroz me humbje gjigande per periudhen kur ishte ne ate post e tani na e premiuan si keshilltare bashkie qe ta PERNDRISE sic perndriti edhe DOGANAT

    Kjo eshte qeveri e turpeve

  6. asllan says:

    Jeni per turp me kete emerim. Edhe kjo do vjedhi. Se e coj nje emerim pa vajt mir 20 mij….ta gezoni. Kush do qendroj te paguaj tarifen.

  7. alti says:

    Drejtoreshes i urojme pune te mbare ,dhe sa me shume te ardhura nga doganat per buxhetin e shtetit . Dy jane pikat kryesore , qe kane ndikuar ne mos realizimin e te ardhurave , qe jane te lidhurta me evazionin fiskal ; e para mos funksionimi sic duhet i tre koncensionareve qe ka firmosur ministri Bode , (qe per mua duhet te shkoje para drejtesise ) dhe e dyta eshte se akoma ka doganieret , qe i kane nxjerr zine doganave , kane vene aq para sa nuk e kane vene dhe biznesmen te sukseshem , Keto e kane ruajtur vendin me pagese ,tek eproret si dhe duke u oganizuar si anetar te rinj te PS dhe LSI . Administrata doganore , duhet te jete e rekrutuar nga konkurse , dhe jo nga miqesite si tek ne . Vazhdon e njejta metode si me pare prandaj nuk realizohen objektivat . Zoti Cani duhet te ndryshoj metoden e punes ne dogana .

  8. Eni says:

    Po tatimet cpo bejne?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje