Qytetarët e Tiranës me vlerësimet që do të bëjnë do të përcaktojnë nëse firmat e pastrimit që operojnë në kryeqytet kryejnë detyrën apo jo. Nëse qytetarët ankohen, atëherë këtyre firmave nuk do t’u rinovohet kontrata në fund të vitit, kur përfundojnë kontratat aktuale që firmat kanë me Bashkinë e Tiranës.
Kjo është deklaruar nga Kryebashkiaku Erjon Veliaj, i cili duket se ka zgjedhur mënyrën më të mirë për të bërë vlerësimin e punës së firmave të pastrimit.
“Për të gjithë qytetarët që takova në fushatë, për të gjitha rrugët ku kam ecur dhe lagjet ku kam shkelur, nuk besoj se ka problem më të madh se pastrimi i Tiranës.
Duke qenë se kjo është një krizë dhe duke qenë se sot jemi pushtuar nga plehrat, lufta moderne që ne duhet të bëjmë sot nuk është me armë, por me pastrim.
Nëse qytetarët thonë se në atë lagje nuk pastrohen rrugët, nuk zbrazen koshat, nuk lahet territori apo rrugët, atëherë kontrata jonë nuk do të vazhdojë dhe do të vijë një operator tjetër që e bën atë punë. Në çdo lagje do bëjmë anketa për qytetarët”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se do të shkohet në çdo lagje të qytetit së bashku me administratorët për të parë situatën dhe më pas për të marrë masat e nevojshme.
“Secili prej nesh duhet të dijë fare mirë se nuk do t’i bëjë dot bisht kësaj lufte. Unë, bashkë me ju, kam ndërmend që të dal faqebardhë nga kjo luftë, kam ndërmend ta fitoj atë dhe po më dhatë të gjithë nga një dorë, do ta fitojmë luftën me zhulin në qytetin e Tiranës”.
Në shtator pritet të nisë edhe një aksion pastrimi në kryeqytet ku mendohet se do të angazhohen rreh 10 mijë qytetarë.
“Nuk kemi kohë, këtë muaj duhet të japim maksimumin tonë, që qytetarët ta vënë re që rrugët po lahen, po fshihen dhe koshat po pastrohen. Nëse në këtë muaj të parë që ne fillojmë betejën me plehrat, tregojmë se është rritur ndjeshëm standardi, ju garantoj se në fillim të shtatorit do të kemi mbi 10 mijë qytetarë që do të vijnë në aksionin tonë të parë”, u shpreh kryebashkiaku.
Pastrimi i Tiranes diten per dielle ku fshesaxhinjte me dege shqopash podrosin kalimtaret.
Paguajm taksa duam cilsi.