REPORTAZHI/ Rilindja e vështirë e Shqipërisë

10 Gusht 2015, 19:36Sociale TEMA

Nga Berat Buzhala

U desh të kalonte një dekadë, e ca më tepër, që të fillosh t’i shohësh në Shqipëri ndryshimet e para.

Një vend që ishte në kufi të ‘pothuajse nuk mund të bëhet shtet normal’, po shkon drejt një vendi që ‘pothuajse po bëhet normal’.

Dëshiroj ta replikoj një reportazh të shkruar për Shqipërinë, me gjasë, në vitin 2005, pra 10 vjet më parë, e në të cilin isha zotuar që si turist nuk do ta vizitoja kurrë më bregdetin e shtetit tonë të dytë, së paku jo prej Durrësit e deri në Velipojë.

Atëbotë, zhgënjimi kishte qënë i jashtëzakonshëm. Kisha kaluar kufirin, bashkë me familje, në Qafë të Morinës, dhe me trajekt kisha udhëtuar drejt veriut të vendit.

Nuk do ta përsëris të gjithë shkrimin, por vetëm dëshiroj të them se para 10 vitesh, shteti ligjor kishte qënë në fazën e tij më primitive. Pothuajse inekzistent. Ndoshta ishte aq keq, sa sikur të mos ekzistonte fare do të kishte qenë më mirë.

Ai ekzistonte vetëm atëherë kur i shërbente bandave për t’i arritur qëllimet e tyre.

Më kujtohet fare mirë momenti i kalimit në pikën kufitare shqiptare. Në atë fërrk të mëngjesit, policët dhe doganierët e Shqipërisë punon në terr total. Më kishin lutur t’ua mbajë një llampë të vogël, derisa ata shkruanin emrat tonë në një copë letër. Çdo gjë më kujtohet mjaftueshëm sa për ta bërë një krahasim me sot.

Nuk është që nuk shkova më kurrë në Shqipëri. Përkundrazi. Por ketë herë vendosa t’i japë sytë për të parë dhe për të krahasuar.

Policët e mirë dhe policët e këqinj

Ti marrim gjërat më radhë.

Pika kufitare në Vërmicë, pjesa shqiptare, është shumë afër përmbylljes së investimeve për t’u dukur e krahasueshme më të gjitha pikat kufitare europiane. Përveç tullave, Shqipëria kohëve të fundit ka investuar edhe në oficerët policorë dhe doganorë. Këta të fundit i kanë ngritur për disa nivele standardet etike, e edhe estetike.

Shkurt hesapi: tash sheh shumë rrallë përfaqësues të shtetit me bark XXXl. Kurse pikët maksimale shkojnë për ata oficerë që gjenden brenda kabinave. Ata nuk komunikojnë më mbarë e praptë me vozitësit. E kryejnë punën në mënyrë të dinjitetshme, dhe aspak shkel e shko. Eventualisht prej tyre e merr në fund një buzëqeshje rutinore, kur t’i kthen prapa dokumentet. Këtë buzëqeshje, me gjasë profesionale, e pranon në çdo pikë kufitare në botë. Dhe këtu përfundon komunikimi me ta. Më herët, ky takim ka qenë një cirk.

Ajo ku edhe më tutje lëngojnë rëndë policët e shtetit shqiptarë janë syzet e diellit. Duket sikur ato i marrin në një magazinë të madhe, me short. Prandaj u rrinë kaq keq. Askujt nuk i shkojnë për fytyre, e as për koke. Plus, që të gjitha i kanë burg të errëta.

Një defekt tjetër që duket sheshazi është numri tepër i madh i policëve që sorollatën kot nëpër termina, në një farë forme paksa huliganeske. Duket qartazi që ata nuk kanë rol të caktuar. Dhe duke qenë pa rol sillën poshtë e lart me ndonjë cigare në gojë, ose tek të urdhërojnë me një lëvizje koke që ta shtyshë edhe pak makinën. Në vende tjera, askund nuk sheh aq shumë oficerë policorë në terminal duke e bjerrë kohën kot.

Nuk e kuptoj pse edhe më tutje, si në pjesën tonë, si në atë të Shqipërisë, krahas me policët dhe doganierët, operojnë, vazhdimisht, edhe ca lopë. Nuk e kam të qartë nëse janë lopë të Kosovës, a të Shqipërisë. E rëndësishme është fotografia e tyre, duke defiluar krenare afër zyrtarëve të shtetit.

Rruga që mbeti në gjysmë

Rruga e Kombit, autostrada e shumëpërfolur, edhe më tutje vazhdon të stagnojë. Urat e papërfunduara qëndrojnë të tilla, si për të na rikujtuar që ne shqiptarët jemi shumë të zotët që asnjë punë të mos e çojmë deri në fund. As shtëpitë tona, as rrugët tona, as fabrikat tona, e as shtetet tona.

Njëjtë ndodhi edhe me autostradën që i ka bashkuar si kurrë më parë shqiptarët. Ndonëse kaq e rëndësishme, ajo asnjëherë nuk u quajt e përfunduar. Dhe kjo është për pikëllim, duke marrë parasysh shumën enorme të investimeve, krahasuar me atë që ka ngelur për t’u përfunduar.

Dhe nuk është vetëm kjo gjë që ka ngelur në gjysmë, kur është fjala për autostradën. Ende nuk ka përfunduar edhe arritja e një marrëveshje me banorët e viseve kah kalon autostrada, që ata të ndërpresin ndërtimin e kalimeve pirate në këtë aks rrugor.

Kështu, në gjithë Shqipërinë, dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri, sheh shkallë të drurit, në formë të shkronjës V, të ndërtuara mbi pengesat e metalta të autostradave, në mënyrë që banorët të kalojnë prej një anë të rrugës, në anën tjetër.

Pesë orë e gjysmë deri në Sarandë

Anash këtyre defekteve, jo aq dramatike, por banale, prej pompës së benzinës së HIB’it, në dalje të Fushë Kosovës, e deri në Sarandë, udhëtimi nuk zgjati më shumë se 5 orë e gjysmë.

Pjesa e rrugës nga Durrësi deri në hyrje të Fierit është solide. Kronike vazhdon të jetë dëshira e shqiptarëve për t’u grumbulluar në mënyrë kaotike në secilin rrethrrotullim, e që janë të shumta në këtë pjesë.

Pastaj, në këtë pjesë, vazhdojnë të marrin pjesë në komunikacion mjete të çuditshme, madje argëtuese.

Si për shembull një kal që tërheq nga mbrapa tij pjesën e pasme të një veture – Mercedesi.

Integrimi i këtyre dy teknologjive, kalit dhe Mercedesit, nuk mund të shpjegohet pa u ndalur në vend të ngjarjes, për të shikuar pa nxitim kryeveprën. Ka edhe improvizime të tjera të ngjashme, komike. Pamje të tilla kreative Europa pranon kohë pas kohe vetëm nga Rumania.

Kjo rrugë që lidh Tiranën dhe Durrësin me jugun e vendit fatkeqësisht përfundon në hyrje të Fierit, gjë që e vonon udhëtimin për në Sarandë së paku 30 minuta, deri në një orë, varësisht se sa tollovi ka në këtë qytet.

Fieri, për mua, ndoshta edhe pse shkakton shumë kokëçarje në udhëtim, vazhdon të gëzojë epitetin e qytetit-që-nuk-do-të-doja-ta-shihja-kurrë. Mirëpo, dëshirat janë tjera, e ndërtimi i rrugës që e tejkalon Fierin është tjetër.

Meqë kjo është gjendja, atëherë ia vlen të thuhet se ndër vite e kam parë një përmirësim të gjendjes edhe në këtë qytet. Posaçërisht ka filluar të më pëlqej hyrja në qytet, e cila po zbukurohet nga lisat e mbjellur në të dy anët e rrugës. Gjithashtu nuk është që sheh shumë as mbeturina.

Toskë dhe Gegë

Me kalimin e pengesës së quajtur Fier, sipas meje, futemi në njërën prej pjesëve më të bukura të Shqipërisë. Trajektorja që fillon në Levan, nëpër Mallakastër, Tepelenë dhe Gjirokastrës, për të arritur në Sarandë është treguesi më i mirë se si banorët Toskë të Shqipërisë vazhdimisht kanë treguar një epërsi kulturore, ndaj banorëve Gegë.

Shëmtia dhe barbaria arkitektonike që shfaqet në pjesën veriore, posaçërisht prej Lezhës për në Tiranë, ose edhe më sipër në drejtim të Shkodrës, zhduket si më magji në jugun e vendit.

Rruga nga Mallakastra, e deri në Sarandë, nuk është me katër kalime, por as që duhet një e tillë. Rruga mjaft e gjerë, që ndan ato fshatra, është fantastike.

Të pakt janë ata që janë turrur për të ndërtuar, shëmtuar, në të dy anët e rrugës, siç shohim në pjesën veriore. Fshatrat duken jashtëzakonisht të bukura tek qëndrojnë rrëzë bjeshkëve të larta, ndërsa fushat poshtë këmbëve të tyre, ashtu siç ndodh çdo kund në shoqëri normale, vazhdojnë të përdorën për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Kjo pjesë e vendit paraqet shembull jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, se si funksionojnë vendet normale, duke mos u futur më ndërtime e me pompa të benzinës deri në vijën e mesme të asfaltit.

Ketë fotografi vetëm e zbukuron investimi, që është në përfundim e sipër, në hyrje të Gjirokastrës. Gurët që po përdorën për ta rregulluar trotuarin janë në harmoni përfekte me ambientin për rreth. Dhe kjo gjendje është e njëjtë, po kaq e bukur, edhe gjatë udhëtimit prej këtij qyteti e deri në Sarandë. Ndoshta edhe në Shqipëri zyrtarët që merren me ndërtimin e rrugëve janë të korruptuar, sikur në Kosovë, por së paku atje, në ato rrugë të ndërtuara së fundmi, pothuajse nuk e sheh asnjë gropë të vetme. Asfalti është dukshëm më cilësor se sa në vendin tonë. Dhe i tillë vazhdon deri në qytetin më jugor në vend.

Beton, cement dhe armaturë në Sarandë

Ndonëse kisha qenë edhe më herët në Sarandë, përmes kësaj rruge, asnjëherë nuk isha ndalur për të parë Syrin e Kaltër, përkundër presionit popullor. Kjo është prej tekeve kryesore te miat. Nëse rritet presioni, ulet gatishmëria ime për të bashkëpunuar. Si edhe në shumë raste tjera u binda se paskëm qenë krejtësisht i gabuar. Pamja tek ky burim është aq e veçantë sa lirisht mund të themi se është e panatyrshme. U stepa përballë këtij burimi. Mu duk sikur po më ikte goja. Isha i gatshëm t’i shtroja disa dhjetëra pyetje, por nuk ishte askush që të përgjigjej.

Për Sarandën nuk e besoj që mund të them diçka. Me ndërtimet e kryera, dhe me ndërtimet që po kryhen, ky qytet është buzë kolapsit. Kur e sheh Sarandën, vetëm një pyetje të shkon në mendje: Edhe sa dekada do t’u nevojitën shqiptarëve për t’u ngopur me beton, cement, armaturë?

Por duke mos e konsideruar vetën aspak kompetent për të analizuar ngritjen e qyteteve, po shpresoj që ata që qëndrojnë prapa Sarandës e kanë një plan se çfarë do të ndodh fare në fund. Pra, e kanë një plan se çfarë do të ndodhë, ose si do të duket ky qytet, atëherë kur shqiptarët do të janë ngopur me beton?

Me Leon (Kerqukin) dhe me Shpendin (Limonin) kishim vendosur që të qëndronim vetëm një natë në këtë qytet dhe të nesërmen, për çështje kurioziteti, të kalonim në Korfuz, për të parë se si po e kalonin grekët krizën. Fillimisht kishim menduar që për në ishullin grek të shkonim me veturë, por kjo gjë nuk që e mundur, sepse çdo gjë ishte e rezervuar për 3-4 ditët e ardhshme.

Por, para se të niseshim për në Greqi pushuam një natë në Sarandë, saktësisht në hotelin Sejko. Çmimi për një natë, për një dhomë, me tre krevate, ishte 120 euro, duke e përfshirë edhe mëngjesin. Dhoma ishte jashtëzakonisht e pastër, me banjo të bukur dhe me shije. Ajo çfarë nuk arrij edhe më tutje ta kuptojë është se kush duhet të jetë autoriteti final në këtë hotel, por edhe në shumë të tjera në Shqipëri, që merret me listën finale të kanaleve televizive? Atë që e ka bërë listën në Sejko do ta kisha ndëshkuar rëndë: disa dekada ndales për të parë televizor. Mëngjesi, në anën tjetër, ishte mjaft modest. I koncentruar vetëm në dy tri pjata.

Darkën e hëngrëm në restorantin Demi, ku bashkë me ne ishin edhe tre persona tjerë. Paguam 95 euro në kundërvlerë të: dy pjatave të mëdha me ushqime të ftohta të detit, duhet të kenë qenë edhe 5 pasta, shumica prej të cilave me fruta të detit dhe dy ose tre levrekë, disa birra dhe disa shishe me ujë, e edhe ndonjë kafe. Për aq sa mund të gjykojmë ne në Kosovë për ushqime të detit, cilësia ishte mjaft e lartë. Dhe më në fund mund të themi se edhe shërbimi ishte korrekt dhe i shpejtë, sëmundje kjo që ka lënguar bregdeti shqiptar tash e sa vite.

A po kuptohemi më mirë?

Kurse pas kaq vitesh, më në fund, është në përfundim e sipër edhe procesi i komunikimit, gati normal, në mes të kosovarëve dhe shqiptarëve, veçanërisht atyre në jug të vendit. Për shembull, gjatë gjithë darkës, kam porositur ushqimin dhe pijet duke mos u dhënë aspak pas ndryshimeve, ose përshtatjeve gjuhësore. Madje, në fund të darkës i thash kamarierit nëse kishte ‘bostan’, një provokim gjuhësor i qëllimshëm. Përgjigja ishte një “PO” e lehtë, e shoqëruar me një buzëqeshje, që sikur thoshte se jemi në rrugë të mbarë për t’i adoptuar fjalët që na ndanin.

Patjetër që ka edhe më tutje mosmarrëveshje. Kjo kryesisht vërehet në vende më pak të izoluara, ku kontakti me kosovarët është më i rrallë. Kështu në njërën prej pompave të benzinës e pyeta shitësin në restorantin ngjitur me pompën “nëse kishte sivjet ma shumë a ma pak turistë nga Kosova?” Në rrethana normale do të duhej të më kuptonte, por më gjasë problemi më shumë se sa tek fjalia qëndronte tek melodia e zërit.

“Urdhëro?”, më tha.

“Kurrgjo jo”, ju përgjigja.

Zakonisht paniku tek kosovarët fillon saktësisht këtu. Kur pala tjetër, ajo shqiptare, pas një fjalie të gjatë të një kosovari, përgjigjet shkurt, me: urdhëro?, ose me: nuk po të kuptoj.

Këtu shqiptarët e Kosovës e humbin sigurinë dhe vetëbesimin në gjuhën e tyre shqipe. Në vend që të insistojnë edhe më tutje t’i përsërisin të njëjtat fjalë, derisa pala tjetër ta kuptojë, ata ndryshojnë kursin, duke provuar që t’i përshtaten vendalive, duke rrezikuar kështu seriozisht reputacionin e tyre, me kombinime të llahtarshme dialektësh.

A po na plaçkitin në Shqipëri?

Këtu ia vlen të thuhen disa fjalë edhe rreth zhurmës së madhe mediale se a po plaçkiten turistët nga Kosova, në Shqipëri, apo e gjithë kjo është një luftë speciale kundër turizmit shqiptar. E vërteta mund të jetë diku në mes. Hileja që u bëhet kosovarëve, nga tregtarë të pangopur me fitim, zakonisht fshihet prapa lojës së konvertimeve të euros me lek. Ta zëmë, në pompën e benzinës për të cilën fola pak më lart, unë i bleva tri lëngje të ndryshme dhe një espresso. Shitësi më tha se çmimi për to ishte 300 lek. Kur i thash se sa shkonte kjo në euro, ai u përgjigj: 3 euro. Pra plot 117 lek më shumë, ose për një të tretën e çmimit. Që nuk është pak.

Në Korfuz

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që të kalonim dy net në ishullin grek, Korfuz.

Kishim planifikuar të shkonim me veturë, por kjo gjë nuk ishte e mundur, sepse tashmë rezervimet për vetura ishin të mbyllura për 3-4 ditët e ardhshme. Çmimi i një bilete, për një udhëtar, në një trajekt të vjetër dhe aspak komod, ishte tepër i lartë: 24 euro, vetëm në njërin drejtim. Udhëtimi nga Saranda deri në portin e Korfuzit zgjati rreth 1 orë e 20 minuta.

Realisht pritja në portin e Korfuzit, për udhëtarët, ishte shumë më miqësore se sa ajo që ndodh në pikat kufitare për në Slloveni ose në Kroaci. E veçantë ishte edhe befasia se si shteti grek i ka lejuar oficerët policorë që në detyrë të shfaqeshin të veshur me rroba verore. E tillë ishte edhe veshja e femrës police. Ajo në vend të uniformës kishte veshur një fustan veror, bukur të hapur.

Porti në Korfuz gjendet shumë afër me pjesën e vjetër të qytetit – rreth 15 deri në 20 në këmbë. Çmimi i transportit publik është jashtëzakonisht simbolik. Mund të udhëtosh deri në 10 kilometra me autobusë, për jo më shumë se 1.5 euro. I njëjti udhëtim me taksi kushton 25 – 30 euro. Në restorantet e pjesës së vjetër të qytetit çmimet janë mjaft të larta. Pothuajse asnjë porcion i peshkut nuk ishte nën 15 euro. Pak a shumë tek kjo shifër sillej çmimi për një porcion pastë.

Sigurisht se në shumë raste njeriu i konstaton dhe i vërteton paragjykimet malicioze për dembelinë e popullit grek, kur është në pyetje puna. I tillë ishte kamarieri i parë që e takuam. Ai refuzonte të sillte fillimisht një kafe espresso, e pastaj të na shërbente me ushqim. Na tha, me një dozë mllefi, se ai nuk ishte ushtar i yni dhe se nuk e kishte ndërmend të bënte edhe pompa/skleka.

Përndryshe, ishulli i Korfuzit që ka një hapësirë prej mbi 400 kilometra katror, është cak jashtëzakonisht joshës për turistët britanikë, por edhe francez. Aeroporti i këtij qyteti, i cili nuk ishte larg prej hotelit ku ne po qëndronim, nuk pushonte asnjëherë duke pritur dhe përcjellur avionë nga të gjitha vendet e Europës, posaçërisht nga Britania e Madhe. Më sy të lirë, aq sa mund të numëronim duke qëndruar të shtrirë në zallë, mund të flasim për më shumë se 50 fluturime në ditë.

Marrë parasysh fluksin e madh të turistëve, mund të themi se çmimet e hoteleve janë jashtëzakonisht racionale, bazuar nga ajo çfarë gjeta në bookings.com. Për ata që kanë kohë, ka edhe shumë opsione tjera për të banuar në shtëpi të ndryshme private, që i japin dhomat më qira me çmime të ngjashme me ato që i hasim në bregdetin shqiptar. Gjëja më e mrekullueshme në Korfuz ishte uji i detit, në pjesën lindore të ishullit, që sheh me fytyrë nga toka. Kjo pjesë, e cila duket më shumë si një liqen i madh se sa një hapësirë e detit, ndoshta e kishte ujin më të qetë dhe më të ngrohtë që e kam parë dhe që kam prekur ndonjëherë. Kjo sigurisht për shkak se kishte si formën e gjirit.

Në portin e Sarandës, taksistët të presin para policëve

Udhëtimi që kishte filluar të enjten në mesditë në Prishtinë po shkonte drejt fundit të dielën. Kështu, në orën 13.00, sipas orës greke, e cila është një orë më herët se sa ajo europiane, ne hipëm në trajekt për t’u kthyer në Shqipëri. Bashkë me mua, Leon dhe Shpendin, ishin edhe rreth 30-40 veta të tjera, shumica prej tyre të huaj që po vinin ta vizitonin Shqipërinë për herë të parë. Një copë herë biseduam me një student të drejtësisë nga Suedia, rreth 20-22 vjeçar, i cili me plot kërshëri po ia mësynte Shqipërisë, për të cilën kishte dëgjuar që ishte mjaft mirëpritëse për të huajt. Këtu njeriu lutet që të mos e hapim temën e vrasjeve të turistëve cekë, ose edhe nëse e hapim të themi se u kap krimineli.

Kishte edhe shumë turistë të tjerë, ca prej tyre familjar, e ca të tjerë që po vinin të pashoqëruar prej askujt, sikur puna e studentit nga Suedia. Të gjithë u shtangëm për disa momente, kur shumë afër brigjeve shqiptare, persona që bënin akrobacione me ‘jetski’ në detin e hapur, i prenë rrugën trajektit në mënyrë krejtësisht joadekuate. Kjo ishte si një lloj përshëndetje për të huajt. Sikur u thuhej atyre se në Shqipëri, për mirë a për keq, është pak më ndryshe se sa në vende të tjera.

Përveç kësaj, porti i Sarandës mund të jetë prej të paktëve në botë që mund të bësh not rreth e rrotull tij pa kurrfarë problemi, siç edhe po ndodhte kur trajekti po ankorohej.

Por nuk është vetëm noti dhe skijet’ët që e dallojnë Shqipërinë prej vendeve tjera. Kështu, në Sarandë, personin e parë që e takon nuk është polici kufitar, por është një tufë taksistësh që vetëm një Zot e di se si kanë depërtuar kaq thellë brenda kufirit dhe që ushtrojnë presion banal për të rrëmbyer sa më shumë klientë të huaj.

“O ta q… motrën”

Pasi i kalojmë taksistët arrijmë tek kontrolli i pasaportave. Edhe në këtë rast, sikur edhe në Vërmicë, sjelljet e oficerëve brenda kabinave janë jashtëzakonisht dinjitoze dhe korrekte. Këtë pamje, sikurse edhe në Vërmicë, e lëndojnë rëndë ata policët e tepërt që sorollatën për kushedi se çfarë arsye nëpër terminal, pa e kryer asnjë punë. Komunikimi i tyre i vetëm është me taksistët, që gjithashtu nuk të shqitën për asnjë moment, deri kur largohesh krejtësisht prej asaj zone. Madje, kishte raste kur taksisti përzihej në punën e policisë, duke këshilluar ata policët e tepërt se kush prej turistëve ishte veshur si duhet e kush jo.

“Pse e lejoni këtë turist të futet në Shqipëri, i veshur kështu?” i thoshte taksisti policit të tepërt. Bëhej fjalë për një djalë të ri nga Skandinavia, i cili, meqë po dilnim nga një diell përcellues që na kishte përcjell për më shumë se një orë në anije, nuk kishte vënë fare bluzë.

“Hej amigo”, ju turr polici djalit të ri, duke i gjestikuluar që duhej të vishte diçka. Kjo thirrja ‘hej amigo’ ishte jashtëzakonisht sharllataneske. Djali i ri u qortua pastaj edhe prej prindërve të tij për mungesën e bluzës.

Dhe nuk ishte vetëm ky intervenim flagrant i taksistëve brenda territoreve, ose objekteve, ku realisht nuk do të duhej të kishte asgjë tjetër, pos turistë, policë dhe doganierë.

Më bizaret ishin ngulmimet e taksive, tek veshi i turistëve nëse donin taksi ose jo. Disa nga turistët nuk përgjigjeshin fare, thjeshtë e vazhdonin rrugën e tyre, pa thënë as PO e as JO. Dhe kjo sjellje i hidhëronte tej mase taksistët, që nuk e kishin as pak bezdi që ta shanin të huajin me “fol ore ta q… motrën”.

Kthimi i njëfarë normaliteti në trafik

Kthimin për në Kosovë vendosëm ta bënim tash jo më nga Gjirokastra dhe Tepelena, por përmes Borshit, Qeparos, Dhërmisë dhe Vlorës. Ndonëse piku i sezonës verore disa prej plazheve më të bukura shqiptare vazhdonin të mos ishin të mbushura.

Kontingjenti kryesor i kosovarëve, trupi dërrmues i turistëve, edhe më tutje po heziton të zbres më poshtë se sa Durrësi, eventualisht Vlora. Për ketë arsye as trafiku që kalon nëpër këto vise nuk është shumë i dendur. Jo rastësisht, kjo rrugë, që kalon mësipërmes këtyre mrekulli natyrore, është vlerësuar si prej më të bukurave në Europë. Cilësia e rrugës, e asfaltit, është mjaft e mirë. Kthesat e shumta vetëm sa i japin pamje më atraktive gjithë bregdetit shqiptar.

Kjo bëhet edhe më atraktive, tash, kur shoferët e shqiptarë kanë vendosur që makinat t’i ngasin, pothuajse në mënyrë normale. Meritë të veçantë këtu duket të kenë efektivët policorë, të cilët janë shumë prezentë në të gjitha rrugët shqiptare. Posaçërisht prezenca e femrave police, që për dallim prej kolegëve burra, uniforma u rri në mënyrë më elegante. E sidomos shija në përzgjedhjen e syzeve të diellit.

Do të përpiqem që një përmbledhje të radhës për Shqipërinë ta bëj diku rreth vitit 2025.

Express

10 komente në “REPORTAZHI/ Rilindja e vështirë e Shqipërisë”

  1. Ilia says:

    Ma shpejt I nderuar Berat! 2025 asht larg! Respekt!

  2. Po nuk e beer né 2025 do na lesh pa gjume ,artikell me medioker nuk kam Lexus ,shume xhelozi,,,,,,,

  3. filani says:

    Pershkrim realist dhe pa shume furça.

  4. Alion says:

    m n fund BERATI shkruajti mire per SHQIPERINE pergezime

  5. Toni KS says:

    Edhe hana do ta dije
    Edhe dielli do t’kete pa
    Se percark kesaj rrokullie
    Si Shqiperia vend nuk ka
    ?

  6. jak says:

    prej kujt eshte e mire eshte.Ama Berat deri ne 2025 a je gjalle apo jo prandaj thuej-kysmet

  7. qiu says:

    Mezi do presim !!

  8. nji pershkrim i sinqerte dhe i persosur !

  9. zoro vlonjati says:

    me ne funde kemi dhe ndonje kosovare te zgjuar. shkrim perfekt , berat kur te vishe ne 2o25 prape keshtu do jemi , nuk ndryshojme ne jo . bukurit i kemi trashgimi nga zoti por shqiptaret kane mungese te theksuar te pa shkollimit. injoranca berar injoranca. te jesh mir dhe larg shqiperise.

  10. Tema says:

    Malokët s’din të përdorin preservativin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje