Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se në asnjë rast nuk është shkelur asnjë marrëveshje me dëshmitarët e mbrojtur të drejtësisë, por ata të gjithë janë trajtuar sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Pas akuzave të Partisë Demokratike, sipas të cilës Qeveria po tradhëton bashkëpunëtorët e drejtësisë duke i lënë pa mbrojtje, Ministria e Brendshme sqaron se dëshmitari Arben Kicja, i cili dëshmoi për çështjen e njohur si “Banda e Lushnjës” humbi statusin, pasi shkeli marrëveshjen me shtetin shqiptar duke thyer, në mënyrë të vetëdijshme për më shumë se 1 herë, rregullat e përcaktuara.
“Në zbatim të Ligjit, ky dëshmitar i mbrojtur nuk mund të gëzojë më statusin e të mbrojturit.
Theksojmë se heqja e statusit të një dëshmitari të mbrojtur nga drejtësia nuk bëhet as nga Qeveria dhe as nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga Komisioni shtetëror përkatës, ku janë anëtarë përfaqësues të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë së Shtetit dhe MPB-së.
Përsa i përket dëshmitarit të vrasjes së komisar Dritan Lamaj, sqarojmë se ai është nën mbrojtje të posaçme dhe gëzon statusin që përcakton ligji.
Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje që të mos përdoren çështje të tilla për luftë politike, apo të spekulohet me zbatimin korrekt të ligjit”, thuhet në deklaratë..
Të gjith kan merit në të nesërmen