Gjermania do të kthejë 1400 “azilantë” shqiptarë deri në fund të shtatorit

18 Gusht 2015, 19:46Kronika TEMA

Që Shqipëria është vendi ballkanik me numrin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani, këtë e tregon qartë numri i të kthyerve në atdhe.

Deri në fund të shtatorit është bërë plani për rikthimin e të paktën 1400 azilkërkuesve dhe më shumë se gjysma e tyre janë nga Shqipëria, raporton TCH.

Ambasada Gjermane shpërndau një listë me datat kur azilkërkuesit do të kthehen, numrin e tyre, si dhe kombësinë. Shumica dërrmuese janë shqiptarë dhe kosovarë, më pak serbë dhe maqedonas. Ambasada Gjermane bëri të ditur se kjo listë është pjesë e aksionit të ndërmarrë nga institucionet gjermane për kthimin e përshpejtuar të azilkërkuesve shqiptarë.

Gjatë ditës, Ambasada Gjermane në Tiranë sqaroi edhe një pretendim të shfaqur nga disa azilkërkues në mediat shqiptare, sipas të cilëve autoritetet gjermane nuk i kishin informuar përpara fluturimit të kthimit për në Shqipëri, por u kishin thënë se po i zhvendosnin drejt një qendre tjetër brenda Gjermanisë.

Përfaqësia diplomatike gjermane thotë se ky është një pretendim i rremë. Personat që janë subjekt i rikthimit apo i dëbimit nga Gjermania në kuadër të procedurave të azilkërkimit informohen rreth masave të synuara në përputhje me të gjitha parimet e shtetit ligjor përmes policisë dhe me asistencën e përkthyesve, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.

Zyra e saj në Tiranë sqaroi se “autoritetet përkatëse gjermane janë të pranishme gjatë gjithë procesit të dëbimit dhe u përgjigjen pyetjeve të azilkërkuesve të refuzuar me mbështetjen e përkthyesve, që do të thotë se azilkërkuesit informohen plotësisht rreth të gjitha masave që kanë të bëjnë me ta.”

Riatdhesimi i azilkërkuesve do të bëhet me avionë “charter” si më poshtë:

20.08.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë

26.08.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë

02.09.2015 – rreth 70 shqiptarë (data e saktë nuk është përcaktuar ende përfundimisht)

03.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë

10.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë

15.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 maqedonas

16.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 serbë

17.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë

22.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë

29.09.2015 – rreth 70 shqiptarë

30.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë

1 komente në “Gjermania do të kthejë 1400 “azilantë” shqiptarë deri në fund të shtatorit”

  1. Populli says:

    Mirëardhshin e t’u përvishen politikaneve të deshtuar këtu,nëse kanë dinjitet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje