Rritja e akcizës shkakton rritje të evazionit fiskal te cigaret

19 Gusht 2015, 18:42Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare arriti të zhdoganojë vetëm 1083 tonë cigare gjatë gjysmës së parë të këtij viti, shifra më e ulët në shumë dhe shumë vite. Në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2014, importet e ligjshme të cigareve kanë rënë me 7.3 për qind ndërsa në krahasim me 2013, rënia është 21 për qind.

Rënia e importit të ligjshëm të cigareve është një histori që përsëritet sa herë që qeveritë, nën presion për të rritur të ardhurat, kanë rritur akcizën e duhanit. Presupozohet që konsumi i duhanit ka kërkesë joelastike. Si ves, konsumi i duhanit pëson rënie shumë më të vogël në raport me rritjen e çmimit. Por kjo ndodh vetëm në teori. Në praktikë, në rastin e Shqipërisë, konsumatorët kanë alternativa më të lira ndaj konsumit të cigareve të taksueshme, sido që me cilësi më të keqe.

Shqipëria është një vend ku gati gjysma e popullsisë jeton në fshat dhe rrjedhimisht, një pjesë e madhe e konsumatorit ka mundësi të mbjellë duhan. Dhe ndërsa çmimi i cigareve është rritur

Vetëm se përgjatë dy viteve të fundit, akciza e cigareve është rritur me shpejtësi të paprecedent dhe rënia e importit të taksueshëm të cigareve ka qenë gjithashtu i paprecedent.

Për një nga kompanitë e importit të cigareve me të cilat foli BIRN, duhani i hapur i prodhuar në vend ka zëvendësuar një pjesë të konsiderueshme të konsumit për shkak se rritja e shpejtë e çmimit të akcizës nga 70 lekë për paketë që qe në vitin 2013, në 110 lekë për paketë në vitin 2015, ka nxjerrë nga tregu i paketave një pjesë të popullsisë, e cila nuk është në gjendje të përballojë çmime kaq të larta duhani.

Qeveria argumenton nga ana e saj se nuk është thjeshtë që konsumi është zëvendësuar nga paketat e importit te duhani i hapur i vendit, por se politika e saj ka synuar uljen e konsumit.

Realiteti i rrugëve shqiptare tregon ndërkohë që konsumi i duhanit të hapur është rritur dhe se një numër tregtarësh kanë siguruar sakaq pajisje të prodhimit të cigareve të cilat janë në gjendje të mbushin qindra cigare në minutë dhe që shiten te konsumatorët për 50 apo 100 lekë për 20 cigare, ose sa gjysma e çmimit të cigareve të importuara. Duke e pranuar këtë realitet, Ministria e Financave njoftoi në maj të këtij viti se do të shtrëngonte masat për të ndaluar importet e letrës së cigareve, e cila shërben më pas për të prodhuar cigare me duhan të pataksuar.

“Ministria e Financave bën të ditur se gjatë analizimit të importeve të cigareve për periudhën katër mujore Janar- Prill 2015, u konstatua një ulje e importeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga analizimi i situatës së tregut të cigareve, u konstatua se gjatë kësaj periudhë 4-mujore është rritur importi i lëndës së parë që përdoret për prodhimin e paketave të cigareve, ku konstatohet se vetëm për 4 muajt e parë të vitit 2015 janë importuar rreth 74% e gjithë sasisë vjetore të vitit 2014”, deklaroi Ministria e Financave në atë kohë.

Por masat e ndërmarra në këtë drejtim si dhe kontrollet e shpeshta e konfiskimet e duhanit të hapur të shitur nëpër rrugët e Shqipërisë nuk e zgjidhën problemin.

Të dhënat statistikore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se importi i cigareve ka qenë mbi 4 mijë tonë në vit në vitet 2008-2010 kur akciza e cigareve qe 40 apo 50 lekë për paketë. Por në vitin 2011, kur qeveria e kohës e rriti akcizën menjëherë në 70 lekë për paketë, importet e ligjshme ranë në 3249 tonë. Edhe atëherë duket se pati një rritje të konsumit të duhanit të hapur ndërkohë që rritja e çmimit të cigareve solli krijimin e një hendeku me disa vende të rajonit si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, ku çmimi qe ndjeshëm më i ulët. Ministria e Financave në atë kohë shprehu shqetësimin se në zonat kufitare si në Shkodër apo Kukës, pati një rritje të ndjeshme të kontrabandës në shkallë të ulët, që do të thotë, tregtarë të vegjël që marrin disa steka cigaresh përtej kufirit për t’i shitur në territorin shqiptar.

Në vitin 2014, kur qeveria e rriti akcizën e cigareve nga 70 në 90 lekë për paketë, importi i cigareve ra në më pak se 3 mijë tonë nga 3700 tonë që qe në vitet 2012 dhe 2013. Por gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kur akciza u rrit sërish nga 90 në 110 lekë, importi i ligjshëm i cigareve ra në 1083 tonë, 7.2 për qind më poshtë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe niveli më i ulët i importeve në shumë kohë.

Qeveria u kap e papërgatitur për këtë situatë, pasi pati parashikuar rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga akciza më e lartë. Deficiti buxhetor i krijuar si pasojë e rritjes së konsumit të duhanit të pataksuar dhe ecurisë së keqe të të ardhurave të qeverisë nga taksat e tjera e detyroi qeverinë të ulë shpenzimet e planifikuara për këtë vit me një akt normativ. Por shkurtimi i planifikuar me rreth 120 milionë euro duket i pamjaftueshëm për të mbuluar deficitin e krijuar në të ardhura ndërkohë që ky shkurtim shpenzimesh pritet të rëndojë edhe në rritjen ekonomike të vitit aktual.

3 komente në “Rritja e akcizës shkakton rritje të evazionit fiskal te cigaret”

  1. alti says:

    Erebara kerkon te analizoje nga ana ekonomike akcizen e cigareve dhe gabon kur e lidh renien e te ardhurave me rritjen e saj. So t jo vetem tek ne ,qe jemi nje shtet i varfer ,por dhe ne shtetet e pasura , rritet kaciza e cigares dhe pijeve ,me aresyen e thjeshte qe te ulet komnsumi i tyre . Dihet qe semundjet qe shkakton cigarja ,kane nje kosto te madhe per shendetin dhe shteti harxhon tre fishin e parave qe vilen nga doganat. Tjeter shkak qe ka ulje te importit ,eshte dhe shitja e duhanit vendas ,qe per Shqiperine eshte mire , se valuta nuk del jasht te rris deficitin e jashtem , por parate merren nga prodhuesit tone ,qe ne rastin konkret duhet te tatohen ne baze te sistemit taksues te shtetit.

  2. Kritiku says:

    Perse nuk e shikon dikush kete anen e uljes se importit te cigareve dhe me nje sy pozitiv? Mediat e mbushura nga gazetare analfabete vazhdojne qe ti bien fyllit t einjorances. Prodhimi i brendshem i duhanit eshte shume here me i mire se sa ai i duhanit te importuar. Te pakten tani ata qe pine duhan te dredhur, kane rastin qe te pijne nje duhan me cilesi shume te larte dhe gati bio. Cigaret e importuara nuk kane te bejne aspak me duhanin e mirefillte sepse ato jane mbushur me mbeturina industriale duke u perzier me aroma te ndryshme qe te bejne te varur duhanpiresit. Duhani shqiptar eshte i nje cilesie shume te larte dhe konkuron mjaft mire me duhanin e famshem kuban.
    Duhet pare edhe nga ana pozitive kthimin ne pirjen e duhanit te dredhur dhe vendas me ate qe mushkerinjte e duhanpiresve nuk mbushen tani me mbeturina industriale,qe shkaktojne semundje te ndryshme. Per kete rrjedhoje do te kete me pak te semure qe do te duhen qe te kurohen dhe shteti ne kete rast i duhet qe te paguaje me shume se sa shume qe gjoja “humbi” nga mosarketimi i akcizen se duhanit te importuar.
    Shteti duhet qe te mbeshtese prodhimin vendas te duhanit dhe te vazhdoje qe te zbatohet me korrektesi arketimi i takses se fitimit nga shitja e prodhimit vendas. Ketu e kemi mbushjen e arkes se shtetit, nese shitesit e duhanit vendas do te paguajne detyrimet e tyre takses se fitimit.
    Lerini njerezit qe te prodhojne sepse nga shtimi i prodhimit do te kemi edhe eksport te duhanit dhe si rrjedhoje dhe rritje te te ardhurave te njereve dhe rrjedhimisht te mbushjes se arkes se shtetit nga taksat perkatese.

  3. Tema says:

    Cigaret elektrike për konsumatorët e rinj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje