E marta do të jetë dita e Mario Balotelit.
Sulmuesi italian do të rikthehet në Milanello pas më shumë se 1 viti dhe nëse kalon me sukses vizitat mjekësore do të firmosë kontratën që do ta lidhë sërish me Milanin.
Marrëveshja mes Liverpulit dhe klubit kuqezi tashmë është arritur dhe rikthimi i Supermarios në San Siro është vetëm cështje orësh.
Mario Baloteli kalon nga Liverpuli te Milani në formën e huazimit për një sezon me kuqezinjtë që nuk do të derdhin asnjë qindarkë në arkat e “The Reds”.
Në marrëveshjen mes palëve është përfshirë edhe opsioni që 7-herë kampionët e Europës mund ta blejnë përfundimisht kartonin e 25-vjecarit në fund të sezonit për një shumë të papërcaktuar ende.
Milani ndërkohë ka rënë dakort me klubin anglez që ti paguajë vetëm 3 milionë euro nga 6 milionë që Baloteli përfiton në total gjatë një viti nga kontrata që ka me Liverpoolin me Të Kuqtë që do ti paguajnë pjesën tjetër.
Mbetet për tu parë nëse trajneri serb Sinisa Mihajlovic do ti japë mundësinë e debutimit futbollistit të përfaqësues italiane që në ndeshjen e të shtunës ndaj Empolit.
Mario Baloteli rikthehet kështu pas vetëm 1 sezoni te Milani.
Në eksperiencën e tij të parë me kuqezinjtë e cila zgjati 1 vit e gjysmë, ish- sulmuesi i Interit dhe Manchester City-it zhvilloi në total 54 ndeshje dhe realizoi 30 gola.