Xhani De Biazi është shfaqur me fytyrë të vrerosur pas humbjes me Portugalinë. Mënyra se si erdhi goli në minutën e 92-të të kësaj kualifikueseje, i ka mbetur peng trajnerit të kombëtares sonë. Po ashtu, kjo disfatë, e para pas pesë eliminatoresh pa humbje, e ka bërë disi të nderë atmosferën në kampin kuqezi. Flitet për pakënaqësi lojtarësh, si puna e Ergys Kaçes, për mosaktivizim, për mënyrën e të luajturit të De Biazit, pa një organizator në fushë, gjëra që nuk i shërbejnë kauzës kuqezi në këtë moment delikat, para një “derbi” ballkanik të nxehtë me Serbinë, në muajin tetor.
Sigurisht, mendime japin të gjithë, aq më tepër paraardhësit e De Biazit, ata shqiptarë, që me “petkun” e njohësve të futbollit kanë edhe ndonjë sugjerim. Astrit Hafizi, ish-trajneri i kombëtares sonë, duke analizuar ndeshjen Shqipëri-Portugali, nënvizon: “Loja e aplikuar nga trajneri Xhani De Biazi gjatë këtyre eliminatoreve është e tillë: ose do të pësosh në fund, siç ndodhi të hënën me Italinë, ose do të marrësh një pikë dhe do t’ia dalësh me sukses si në kualifikueset e tjera, kur jemi treguar të kujdesshëm. Në veprimet e sulmit, Shqipëria mund të kërkonte më tepër ndaj një kundërshtari që nuk shfaqi tërë arsenalin e vet.
Portugalia krijoi vetëm dy taste të pastra: një me Eliseo dhe në fund kur shënoi golin. Shumë pak për një ekip kombëtar, që ka në gjirin e vet një lojtar të klasit botëror, sikurse është Kristiano Ronaldo. Tani situata në treshen e kreut të grupit është më ndryshe. Portugalia ka krijuar një epërsi prej 3 pikësh, ndërsa ne kemi mbetur pas Danimarkës 1 pikë. Për mendimin tim, diferencat e këtyre 3 kombëtareve janë minimale. Humbja me Portugalinë nuk duhet parë si dramë, aq më tepër kur matematikisht kemi shanse reale për t’u kualifikuar si të dytët në grup.
Të mos e humbasim toruan, as entuziazmin, në dy sfidat e mbetura kualifikuese, me Serbinë në fushën tonë dhe me Armeninë në transfertë. Këto ditë shumë po flitet për momentin e pësimit të golit, në kohën shtesë, një sëmundje e vjetër e kombëtares sonë, e cila u rishfaq të hënën. Analizat i bën trajneri, bashkë me lojtarët, në bazë të detyrave të ngarkuara për secilin në kësi rastesh të goditjeve nga këndi, ndërsa ne të tjerët mund të flasim në bazë të asaj që kemi parë nga jashtë.
Unë mendoj se ishte një vendosje gabim nga ana taktike. Në një goditje standarde duhen marrë mirë masat. Nëse do të shihni me vëmendje, në atë moment aty ishte Basha, ndërkohë që mendoj se futbollistët tanë më të mirë me kokë ishin Cana dhe Gjimshiti. Po ashtu, Berisha duhej të kishte dalë për zotërimin e topit që erdhi nga këndorja, sepse në të tilla raste portieri favorizohet. Ndoshta menduam se morëm atë që kërkonim pa u mbyllur ende ndeshja.
Kjo s’duhet të ndodhë derisa arbitri të vërshëllejë tri herë. Jemi ende në luftë për kualifikim në finalet e “Euro 2016”, çka tregon se kombëtarja ka ecur vërtet shumë përpara. Pra, nuk ka vend për ta bërë dramë, sepse na mundi Portugalia, ashtu sikurse bëmë ne në fushën e saj, në ndeshjen hapëse të këtyre eliminatoreve,” – thotë Hafizi./ Telesport