Veliaj çel Bienalen e parë Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë

21 Nëntor 2015, 16:39Sociale TEMA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, çeli sot punimet e Bienales së parë Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë, ku u shpreh se projekti për transformimin e qytetit nëpërmjet ngjyrave, nisur vite më parë, do të vazhdojë me po të njëjtën dëshirë për t’i dhënë jetë qytetit. Në fjalën e tij përshendetëse për rreth 170 artistë nga 50 vende të botës që do të punojnë dhe ekspozojnë pikturat e tyre nga data 21-25 nëntor, Veliaj tha se Tirana e ka lidhur jetën e saj të modernizimit me ngjyrat.

“Një ish kryetar bashkie, sot Kryeministër i Shqipërisë, në fakt e filloi transformimin e këtij qyteti duke përdorur ngjyrat. Duke i përdorur si kanavacë fasadat e pallateve, një projekt që ne po e vazhdojmë sot, për të treguar se aty ku financat dhe urbanistika s’munden, ngjyrat dhe kreativiteti kanë shumë fuqi”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se bashkia këmbëngul që Tirana të shndërrohet në një qytet ku çdo ditë të javës organizohen aktivitete kulturore, për të mbushur një vakuum të viteve të fundit në art dhe në kulturë. “Shpresojmë që në këtë ‘aferë dashurie’ që ky qytet ka me ngjyrat dhe transformimi që ngjyrat sjellin në jetën tonë publike, bienalja juaj e parë në Tiranë të jetë një traditë që vazhdon dhe besoj që, secili prej jush, të lërë shenjën e vet në Tiranë, ndërsa ne të frymëzohemi për transformime të tjera të urbanistikës së qytetit. Ndaj dhe më vjen mirë që, ky është një nga aktivitetet që do ta vërë qytetin tonë në hartë”, u shpreh Veliaj.

Ai i uroi sukses 170 artistëve, si dhe punimeve të Bienales së parë të Akuarelit, e cila organizohet nga Shoqata artistike “VIZart”. Gjatë katër ditëve të Bienales, artistët do të shprehen nëpërmjet artit të akuarelit. Shumë artistë vijnë nga vende të largëta, si Gana, Maruitis, Indonezi, Filipine, Japonia, Kina, Indi, Ekuador e Peruja, Singapori, Siria, Irani, e vende të Europës e Ballkanit.

Gjatë ditëve të eventit do zhvillohen demostrime live dhe workshope, ku artistët që kanë ardhur në Shqipëri do pikturojnë live për nxënësit dhe publikun artdashës. Gjithashtu, do ketë dhe demostrime live në rrugët e Tiranës që do të mbushen me ngjyrat e akuarelit, duke bërë edhe më atraktiv kryeqytetin këtë fund Nëntori.

1 komente në “Veliaj çel Bienalen e parë Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë”

  1. funerali says:

    nje lajm I bukur. cfare celebrimi, festat e nendorit, art, culture. le te harojme per disa dite varferine.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje