Tahiri te Siguria: Lufta kundër krimit jo çështje muskujsh, por mendjeje e vullneti

25 Nëntor 2015, 16:38Kronika TEMA
Tahiri te Siguria: Lufta kundër krimit jo çështje muskujsh, por

Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi në parim projektbuxhetin për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2016, ku nuk munguan replikat mes ministrit Tahiri dhe deputetëve të opozitës.

Ministri i Brendshëm tha se siguria është një mall që kushton dhe përmendi se me buxhetin e kaluar iu dha një pagë e 13-të punonjësve të policisë, duke iu rritur pagën me 25 %.

Në buxhetin e MPB për 2016, investimet e parashikuara krahasuar me planin e vitit 2015, janë 60 % më shumë.

Ministri evidentoi se në hartimin e projektbuxhetit është marrë parasysh fakti i domosdoshmërisë për investime në kapacitetin teknologjik të Policisë së Shtetit.

“Ne besojmë shumë se lufta kundër krimit nuk është çështje muskujsh, por mbi të gjitha është çështje mëndjeje, çështje vullneti dhe çështje kapaciteti”, theksoi Tahiri në Komisionin e Sigurisë.

Debat e replika palët patën për Emergjencat.

Ministri tha se deputetët e opozitës që lanë Rezervat e Shtetit bosh, sot veshin çizmet pas çdo shiu që bie dhe bëjnë politikë në zonat që prek uji.

“Nuk dua përsëri këtu të bezdis kërkënd duke përsëritur derexhenë në të cilën e gjetëm qoftë Rezervat e Shtetit për nga mungesa totale e kapacitetit për të përballuar çdo lloj emergjence, edhe fasulet ishin zhdukur. Nuk kisha fare ndërmend të thoja që i hëngri zotëria apo përfunduan në duart jo të duhura fasulet. Thashë vetëm që mungonin dhe po kështu emergjencat civile dhe kapacitet për të përballuar emergjencat civile, sikur të kishte fatkeqësi natyrore”, u shpreh ministri duke iu drejtuar deputetit Noka, ish-ministër i Brendshëm.

Me propozim të deputetit socialist Paulin Stërkaj u ra dakord që Komisioni t’i propozojë qeverisë një kërkesë për rritje page edhe për Gardën e Republikës.

Tahiri pranoi se në buxhetin e 2016 nuk ishte e mundur të parashikohej blerja e armëve të reja për gjithë policinë, i pyetur nga deputeti Arben Çuko, i cili mendon se dalja e efektivëve me kallash në rrugë pas alarmit për akte terrori, është e tepërt.

Por Stërkaj nuk e kurseu batutën për kolegun e majtë, duke i thënë se për terroristët, kallashnikovi është arma e duhur.

1 komente në “Tahiri te Siguria: Lufta kundër krimit jo çështje muskujsh, por mendjeje e vullneti”

  1. i says:

    Dmth per krimin e organizuar nuk duhen muskuj, kurse per hajdutet e korentit duhen muskujt, per kuponin muskujt e per cdo budallik te vogel muskujt…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje