Si mund ta plakë rininë politika?

30 Nëntor 2015, 21:36Editorial TEMA
Si mund ta plakë rininë politika?

Nga Mero Baze

Ka dy lajme në garën për Forumin Rinor të Partisë Demokratike. E para është që ka lajme për garën, pasi nuk quhet dhe aq formale, pra ka proces zgjedhor, dhe e dyta që beteja nuk bëhet për idetë, apo për personalitetin e kandidatëve, por për lidhjen e tyre të mundshme “me armikun”.

Lajmi i parë është pozitiv dhe duhet përshëndetur. Në çfardo forme që të zhvillohet gara, kur ajo ekziston si e tillë, mobilizon energji pozitive tek një parti dhe jep shpresë.

Por, lajmi i keq, që e bën të duket një garë pleqsh, biles nga ata të Frontit të dikurshëm të lagjes, apo fshatit, është se gjithë beteja mes dy kandidatëve të mbetur në garë, zhvillohet për të treguar se kush nga ata të dy është më shumë i Edi Ramës, se sa i Partisë Demokratike.

Fatkeqësisht unë nuk e njoh fare njërin prej tyre, dhe njoh pak atë që Basha ka përdorur herë pas here si zëdhënës partie, i cili më kujtohet dhe çdo të dielë, kur shikoj Portokallinë.

Natyrisht do të përfshihesha në ndonjë vlerësim për ta, sikur të dëgjoja ndonjë gjë prej tyre, se kush janë dhe çfarë kanë ndërmend të bëjnë. Por, ajo që kam dëgjuar deri tani, është se njëri, zoti Këlliçi, është agjent i Edi Ramës në krye të PD, pasi ka rënë në dashuri me vajzën e një bashkëpunëtori të tij, kurse tjetri është edhe më agjent akoma, se është një i infiltruar nga Henri Çili brenda PD, për të blerë PD për reformën arsimore, të Edi Ramës.

Kjo është marrë kaq seriozisht, sa kam parë postera në Facebook dhe thirrje histerike për të larguar njeriun që është dashuruar me një “të deklasuar”. Mentalitet kaq brutal të luftës së klasave tek një brez të rinjsh, që kanë lindur pasi ra komunizmi, nuk gjen dot as në partinë e mbetur të Hysni Milloshit. Në këtë pike, të rinjtë e PD po e konkurrojnë çdo mentalitet enverist në vend. Ata shihet qartë që janë një mentalitet i formuar nga një parti, e cila e ka standart karriere, jo personalitetin e dikujt, por konspiracionin rreth tij dhe rrezikun e agjenturës së jashtme.

Por, as mbështetësit e Këlliçit nuk mbeten mbrapa. Ata e sulmojnë Salianjin, për diçka që nuk meriton të sulmohet, që është lidhja e tij me Henri Çilin dhe UET. Që UET dhe Çili mbështet Salianjin, është e qartë dhe nuk është krim. Për më tepër që bëhet hapur. Në Partinë Demokratike njerëzit duhet të mësohen se lobimi për dikë është legal dhe i jep kuptim garës. Nëse ata kanë frikë se Lulzim Basha dëgjon më shumë Çilin dhe ka interesa më të mëdha me Çilin se sa me institucionin e Forumit Rinor, atëhere ata le të merren me Bashën, jo me Çilin. Dhe nuk e kuptoj pse fokusohen tek kjo lidhje, e cila e bën serioz kandidatin, kur vetë personazhi në fjalë, të shkakton humor kur e dëgjon të flasë, apo kur tenton të flasë, dhe le më pastaj me ato që thotë.

UET është një universitet privat, që është i lidhur me pushtetet, si atë të Berishës e Bashës, dhe me këtë të Ramës e Metës, por që është përfshirë rëndshëm në politikë në fushatën e Bashës për kryetar bashkie më 2011. Nëse në PD ka akoma frikë se Basha mund të shpërblejë UET, atëhere është punë e tyre.

Të rinjtë e Partisë Demokratike duhet të çlirohen nga ky konspiracion, që po ua zgjedh kandidatin për kryetar të Forumit pala kundërshtare. Ata po e zgjedhin vetë dhe është gjëja më e mirë që po bëjnë në këto vite, për të mos thënë në gjithë historinë e atij forumi. Ata janë shumë të rinj për ta nisur karrierën me dyshimin se janë agjentë të armikut në radhët e PD. Ata nuk janë duke zgjedhur njeriun e Edi Ramës, por kryetarin e tyre. Se kështu si e kanë nisur dhe si po akuzojnë njëri- tjetrin, i bie të fitojë ai që do më shumë Edi Rama, prej të dyve. Kjo është e rëndë për një brez të ri, nga i cili ne presim të ndryshojë mentalitetin enverist dhe luftën klasore që ka mbetur si atavizëm në atë parti. Do të ishte e rëndë dhe sikur kandidatët të ndaheshin në pro dhe kundër Bashës, por jo të shkohet deri tek fakti se kë do më shumë Rama prej tyre. Por kështu si po sillen me garën, ata duken se po japin një leksion të hidhur, se si mund ta plakë para kohe rininë politika shqiptare.

5 komente në “Si mund ta plakë rininë politika?”

  1. Eri says:

    Ata pedagoget nuk po kursehet Naimi tu pagu e lobu n Klan , ABC, TCh po ata dance s din me fol, veq gruja Rakipllarit munohet!!! Hiq performance publike e larte. Gjithsesi tuj fillu me Dumen ka infiltru plot n PD po ata te Naimit shum t vyshkun pa gjak cop cop!

  2. petro says:

    Une nuk e di sesi nga nje politike e plakur mund te dalin filiza te rinje.Ata do jene edhe me te plakur, do jene te rinje te thinjur.Duhet te rinohet politika e para.Po me skorjet e diktatures as qe mendohet.Nje mentalitet i ngulur per dekada dhe trasmetuar tek brezat, fatkeqesisht edhe nepermjet shkolles, universiteteve, edhe atyre jo publke (shihni cilet i zoterojne), me duket e pa mundur tash per tash.

  3. geri says:

    Mero, edhe ti ke kontribuar ne krijimin e kesaj klime. Ne fakt gazeteria jote dhe talenti e zgjuarsia(qe nuk mund te mohohen)pervec rasteve te vecanta, ka ecur pikerisht ne kete drejtim. Ndonjehere pa dashje, ndonjehere I errur nga revanshi dhe pse jo edhe nga hakmarrja, por ndonjehere edhe nga emocioni dhe deshira, gazetaria jote ka sponsorizuar dhe mbivleresuar nje klime te tille. Ke pjese edhe ti Mero, ke.

  4. xeni says:

    Nje rini si puan e jone ketu ne Shqipri domosdo do plaket nga politika , sepse rinia jone meret me politike se keshtu jane ndikuar nga ‘Parite e Ferrit’ te cilet i mobilizojne me detyrim qe te angazhohen me pjesmarjen ne politike e cila ka synuar qe te jete gjithnje ne pushtet duke shfrytezuar dobesite te ksaj rinie qe ne vend qe te meret me dicka te veten meret e genjehet nga ‘Partite’

  5. Opinionisti says:

    Po edhe ty o Mero po tek Enverizmi te ngeli ora a thua se keta shqiptaret, kontribuues te zellshem ne Perandorine Otomane si askush tjeter, ishin qingja dhe naive.
    Geni i poshter ketyre formave intrige dhe komploti nuk nga shqitet kollaj neve. Enveri thjesht e perfeksionoi dhe nxenesi i tij Saliu po e perjeteson me ane te kesaj rinie.

    p.s.
    Thuhet se kur Berluskoni takoi Kryeministrin Majko dhe e pyeti per moshen i tha: “Ne moshen tende mor djale une e kisha mendjen vetem tek femrat…”
    Kjo eshte me shqetesuese per keta te rinj. Ne vend te bejne ate qe bejne te gjithe te rinjte e botes plaken perpara kohe. Ketu te jap te drejte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje