Kryetari i Partisë Demokratike ka paralajmëruar mosbindje civile me qëllim rrëzimin e qeverisë. Shembullin e parë e dha në 8 dhjetor, datën simbolike të rrëzimit të diktaturës komuniste. Sulmi ndaj një bunker-monument që degradoi në veprime huliganësh kundrejt fasadave të institucioneve shtetërore ishte shija e parë e asaj çka opozita kërkon të bëj në atë që vetë Lulzim Basha e pagëzoi si “stina e protestave”. Kjo nuk do të ishte hera e parë. Sheshet dhe bulevardet e Tiranës janë shëndrruar shpesh në skena protestash të dhunshme, madje trotuaret e rrugëve janë përgjakur dhe askush nuk ka dalë para drejtësisë për vrasjen e protestuesve të thirrur nga e njëjta klasë politike në demonstrata të ngjashme anti-qeveritare. Sokaket dhe ndërtesat përreth janë dëshmimtare të asaj çka ky qytet ka përjetuar në 25 vjet, ndërsa shqiptarët duket se pavarësisht shijes së hidhur, kanë një kujtesë dritëshkurtër.
Mbase kjo duhet të jetë arsye që pavarësisht se përvoja u ka treguar qënien të përdorur nga politikanët, vazhdojnë t’i përgjigjen sërish pozitivisht ftesës për të dalë në shesh. Ose mbase arsye s’ka për kategorinë e atyre që pluskojnë në ujërat e mosmendimit dhe shesin instrumentin demokratik ‘proteste’ për një rrugë falas në kryeqytet dhe një kafshatë bukë. Përtej arsyes së mosarsyes, e vërteta është se shqiptarët dolën në protestë sërish. Ata dhunuan sërish ndërtesat qeveritare, u manipuluan sërish nga gojështururit politikanë dhe me gjasë do të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe në 17 dhjetor, kur pritet që opozita të organizoj protestën e rradhës. Por ç’faj ka protesta kur vërtet duhet protestuar? Ç’faj kanë shqiptarët që politika i zhvlerëson edhe të vetmin mjet të shprehjes së pakënaqësisë kur thika u ka shkuar në palce dhe janë bërë “të paduruar” sikurse i cilëson kryeministri? Shqiptarëve nuk u mbetet shumë hapsirë për të zgjedhur, vendosur, ndërtuar apo folur kur u gllabërohet sfera private dhe ajo civile. Atëherë nuk ngelën më të çara për inisiativën qytetare, atëherë thuhet se gjithçka është politikë.
Thirrja e demokratëve për mosbindje civile nuk është e padëgjuar për veshët tanë. Një thirrje të ngjashme e kanë bërë dhe socialistët në 2010-ën kur rrëkeshin të kundërshton rezultatin e zgjedhjeve të konsideruara prej tyre si të manipuluara. Madje në atë kohë sheshi përpara kryeministrisë u uzurpua për gati 3 muaj, ndërsa “sfilitja” e deputetëve apo të militantëve socialistë që u përpoqën të mos ushqeheshin në shenjë protestë mori fund me një darkë mes dy krerëve të partive politike në një restorant në Bruksel. Historia e kombeve të civilizuar na tregon se kjo nuk është mënyra sesi zakonisht përfundojnë aktet e mosbindjes civile. Mosbindja civile ka sjellë përmbysje të mëdha: Fitoren e pavaresisë së Indisë së udhëhequr nga Gandi kundër kolonialistëve britanike, të drejtat e zezakëve në Shtetet e Bashkuara dhe së fundmi lëvijza demokratike në Burma/ Mianmar ku Aung San Suu Kyi fitoi zgjedhjet duke dëshmuar sesi mund të arrihen ndryshime rrënjësore sociale. Por çfarë e bën shkeljen e ligjit të klasifikohet në akt të mosbindjes civile? Kur mund të quhet mosbindja civile moralisht e justifikueshme?
Në gjenezën e saj kjo praktikë është jetësuar nga një poet, filozof amerikan që hyri në histori si kundërshtari i parë i taksave në Amerikë. Henry David Thoreau refuzoi të paguante në 1848 një taksë shtetërore të vendosur për të mbështetur financiarisht Luftën në Meksikë. Ai shkroi dhe një ese për këtë në të cilën prezantoi për herë të parë konceptin e “armikut”, individët që margjinalizoheshin edhe pse i kishin shërbyer shoqerisë me ndërgjegjie dhe sens patriotik, vetëm sepse kundërshtonin politika të caktuara. Thoreu shpenzoi kohën që i kishte mbetur në burg por prej fundit të shekullit të XIX e deri më sot njerëzimi ka njohur dhe ka ndërmarrë akte të shumta të mosbindjes civile. Në Enciklopedine Filozofike te Standford shpjegohet që një akt të kategorizohet si mosbindje civile duhet së pari ndërgjegjsim për të pasur bindje morale dhe të sinqertë se thyerja e një seri ligjesh bëhet për t’i ardhur në ndihmë shoqerisë. Së dyti duhet komunikim, për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve për një çështje të veçantë në mënyrë që të nxis ndryshimin e ligjit. Së treti publiciteti, sepse nje akt i mosbindjes civile nuk mund të kryhet kurrsesi në mënyrë sekrete por qëllimi kërkon që të kryhet në mjedis të hapur dhe në dijeni të plotë të autoriteteve ligjore. Së katerti, një akt i mosbindjes civile nënkupton pikërisht mospërdorimin e instrumenteve të dhunës shoqëruar me pasjen e vullnetit për të pranuar ndëshkimin për thyerje te ligjit.
Të renditura në këtë mënyrë duket se në historinë tonë çerekshekullore të demokracisë, aktet e mosbindjes civile kanë qenë më shumë të pagëzuara me këtë emërtesë familjare sesa të kenë rezultuar vërtet të tilla nisur nga mënyra sesi janë përvijuar por edhe në lidhje me qëllimin që është kërkuar të arrihet. Pavarësisht uzurpimit që politika dhe shteti i bëjnë shoqërisë në jetë mbetën gjithnjë disa horizonte të pakapercyeshme, sikurse eshte garantimi i mireqenies se njerëzve. Ndaj pyetja që shtrohet në këtë konteskt është: sa ka ndryshuar jetesa jonë pas gjithë këtyre protestave të thirrura nga partitë politike? A janë zgjidhur të paktën disa nga problemet apo shqetësimet tona si qytetare? Protesta të tilla të thirrura nga politika vetëm sa i imponojnë heshtjen qytetarit, duke e urdhëruar që ose të renditet në taboret e militantizmit partiak për një vend punë që do t’ia zë të ngjashmit të tij i cili lobon për krahun tjeter, ose te qendroj menjanë. Ndërkohë që vrasjet shtetërore, korrupsioni galopant, kapja e shtetit nga mafia shtyjnë kufinjtë e normalitetit, aq sa shëndrrohen në pjesë të rutinës dhe bëhen frikshëm të pranueshëm. Por çfarë duhet të bejmë në këto kushte?
Të provojmë të ndërmarrin aktin e mosbindjes civile për interesin tonë dhe jo të politikës. Të nisim duke i thënë “JO” mitigjenve partiake dhe të kujtojmë sesi dikur sheshet në Tiranë nuk ishin vetëm skena të grumbullimeve politike, por edhe të manifestimeve qytetare.
E drejte. Ka sindikata ne Shqiperi dhe shoqeri civile apo jane te shkrira me partite? Ato kane te drejten e veprimit, por jo Gezim Kalaja qe ka 25 vjet kryetar i sindikates se pavarur te Sali Berishes!
Po tamam keshtu eshte. Keta duket sikur kane ndryshu vetem fytyrat se fjalet qe thone dhe menyrat qe perdorin me marr pushtetin jane krejt njesoj.
bravo gazetare
Pershendetje Evis,
nuk besoj se eshte e nevojshme te te pergezoj per shkrimin sepse ai eshte vete i pergezueshem per guximin.
Fjala e fundit me la mbrese, “manifestim qytetar”, me ka marre malli per kete fjale qe nga prostesta kunder armeve kimike para 2 vitesh e nje muaji. madje edhe ajo proteste ka kritikat e saj, po perfekt qe ne heren e pare eshte goxha sipermarrje. praktika ne kete rast do te ishte gjeja me e mire, praktike protestash qytetare duke marre si shembull te vetmin rast qytetar shqiptar nder vite, jo te dhunshem, jo partiak, i nxjerre ne pah nga shoqeria civile, nga facebook, gazeta dhe rrjete informative virtuale sociale. Sikur…do ishim diku tjeter tani. Do kishim dicka tjeter tani. Por nje gje eshte mese e sigurte, nuk do kishim nje nivel ndergjegjesimi kaq te ulet, kaq vulnerabel dhe femijeror, kaq per te ardhur keq.
Edhe John Withers thote qe shume shqiptare kane humbur shpresen, por une them se bashke me te kane humbur dhe identitetin dhe i kane hapur krahet politikes.
Shume goditje e ulet.