Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë kanë miratuar dje projektligjin e amnistisë. Drafti pritet të miratohet të hënën në seancë plenare. Përfitojnë amnisti ata që janë dënuar deri në dy vjet. U falen 1.5 vite dënim të gjitha grave dhe 1 vit të gjithë burrave.
Më shumë se 720 të dënuar për vepra të lehta penale, me shumë mundësi do ta festojnë Vitin e Ri pranë familjeve të tyre.
Kjo pasi të hënën e ardhshme, Kuvendi i Shqipërisë ka parashikuar që të votojë projektligjin e amnistisë të sjellë nga qeveria me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Drafti i propozuar ka kaluar dje “pengesën” e komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë Kombëtare, duke u miratuar me votat e deputetëve të mazhorancës.
Projektligji u mbrojt në komisione nga vetë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili theksoi se kjo nismë bazohet në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe funksionet rehabilituese të dënimit dhe nevojës së riintegrimit social, si dhe nga ana tjetër, është marrë në konsideratë mbipopullimi në burgje dhe fakti se jo të gjithë personat që vuajnë dënimin penal dhe veprat penale të tyre kanë rrezikshmëri të njëjtë shoqërore.
Kush përfiton nga Amnistia?
Sipas projektligjit përfitojnë amnisti: a) personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin ndalues të përfitimit të amnistisë dhe ku përfshihen veprat e rënda; b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në datën 30 nëntor 2015) ose personat, për të cilët gjykata deri në datën 30 nëntor 2015 ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit; c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5. Gjithashtu nëpërmjet amnistisë, siç bëhet e ditur në raportin e vlerësimit të Komisionit të Ligjeve, i botuar në faqen zyrtare të Kuvendit, përfitojnë nga amnistia a) personat e dënuara femra, që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji; b) personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji; dh) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për disa vepra penale të rënda.
Kujt i ulet dënimi?
Projektligji përcakton një kategori të gjerë personash që janë dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe që nuk përfitojnë nga amnistia, por që gjithsesi përfitojnë një ulje të dënimit. Më konkretisht, të dënuarit që kanë kryer një nga veprat penale ndaluese dhe që janë veprat e rënda penale, përfitojnë një ulje të dënimit: a) 1.5 vjet, për personat e dënuar gra dhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur dhe b) 1 vit për personat e dënuar burra. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë. Gjatë viteve të fundit, Kuvendi i Shqipërisë ka dhënë disa amnisti, mes të cilave amnistitë e bëra në vitin 2012 dhe 2014. Ndryshimet që sjell ky projektligj, krahasuar me ligjet e mëparshme për amnistinë konsistojnë se kësaj here amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet (nga 3 vjet që ishte në amnistinë e vitit 2014). Gjithashtu amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet (në amnistinë e vitit 2012 ka qenë deri në një vit).