Qeveria miratoi një paketë ligjore që synon të rrisë sigurinë gjatë transportit të nxënësve. Nisma u bë publike gjatë një konference të përbashkët për shtyp nga Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.
Ministri Tahiri tha se përpos masave të marra, fakt mbetet që bilanci i aksidenteve në rrugë është ende shqetësues. Ai apeloi për bashkëpunim nga të gjithë aktorët dhe qytetarët për t’i bërë rrugët tona më të sigurta.
“Pra nuk mjafton vetëm ligji, nuk mjafton vetëm vendimi i Këshillit të Ministrave, nuk mjaftojnë aktet, as masat represive të Policisë dhe Autoritetit Rrugor kur vjen puna tek bashkëpunimi që duhet të kemi bashkërisht, tek ndërgjegjësimi i secilit prej qytetarëve për t’i bërë rrugët tona më të sigurta”, konfirmoi Tahiri.
Ai sqaroi edhe shifrat e aksidenteve, që këtë vit janë në rritje.
“Ky është viti i dytë kur pasojat fatale apo të rënda për jetën dhe shëndetin e njeriut janë më pak krahasuar edhe me vjet, e akoma më shumë krahasuar me 2013-ën e më parë. Kjo pavarësisht faktit që numri i aksidenteve është rritur. Sepse sot Policia e Shtetit evidenton çdo aksident. Pra nga gërvishtja e thjeshtë e një makine deri tek aksidentet rënda, Policia nuk kursen askënd nga evidentimi zyrtar i çdo ngjarjeje në rrugë.
Kjo do të thotë që jemi më transparentë me publikun. Kjo do të thotë që gjendemi dhe i shërbejmë qytetarëve në rrugë, pa dallim nëse bëhet fjalë për një gërvishtje të thjeshtë makine, një thyerje pasqyre apo aksident më i rëndë.
Kjo do të thotë gjithashtu që masat që kemi marrë kanë pasur efekt, për sa kohë që aksidentet prodhojnë më pak pasoja. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Pra nëse vjet, për shkak të masave sensibilizuese dhe represive, shqiptarët ishin më të vëmendshëm për të vendosur rripin e sigurimit, efektet duken këtë vit kur, pavarësisht numrit të aksidenteve pasojat janë më të vogla. Do të thotë që masat kanë dhënë efekt, dhe kemi shpëtuar jetë njerëzish apo shëndetin e qytetarëve”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Por sipas tij problem janë aksidentet me këmbësorë.
“Mjafton t’ju përmend një fakt për të kuptuar rëndësinë e garantimit të përbashkët i këtyre rregullave. Thuajse gjysma e qytetarëve që kanë humbur jetën nga aksidente rrugore janë aksidente të mjetit me një këmbësor.
Pra gjysma e aksidenteve duket që janë pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor të një mjeti me një qytetar; situatat kur qytetarët kalojnë në mënyrë të pakujdesshme rrugën nga njëra anë në tjetrën (shpeshherë kjo ndodh edhe në autostradë pra qarkullimin e mjeteve me shpejtësi të lartë) janë situata tipike kur vijnë pasoja të rënda apo fatale për jetën dhe shëndetin e njeriut.
Dhe kjo meriton sërish të gjithë vëmendjen tonë për të shtuar masat edukative dhe ndërgjegjësuese për të bërë gjithkënd të vetëdijshëm që rrugët janë më të sigurta vetëm atëherë kur fillojmë t’i respektojmë të gjithë bashkë rregullat e qarkullimit rrugor”, tha Tahiri.
Paketa parashikon masa të veçanta per transportin e fëmijëve.
“Janë dy masat që kemi miratuar sëfundmi, një përsa i përket transportit të fëmijëve me mjete private dhe ne shpresojmë që me masat që kemi marrë por edhe me sensibilizimin e qytetarëve, pamjet e prindërve që mbajnë fëmijët tek timoni i makinës apo që i shikojmë brenda makinës duke rrezikuar fëmijët vetë, të marrin fund njëherë e mirë.
Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që bëjmë fëmijët më të lumtur, garantojmë jetën dhe shëndetin e fëmijëve në rast se kemi në makinë një ndejsë të veçantë dhe respektojmë rregullat për udhëtimin e fëmijëve nën 12 vjeç.
Kjo është themelore. Nuk ndodhë në asnjë vend të Europës që babai të jetë në timon dhe timonin ta mbajë fëmija. Kjo është një pikturë, një fotografi që nuk duhet të ndodhi më në vendin tonë, fëmijë që prindërit i lënë edhe pa lidhur rripin e sigurimit brenda makinës duke rrezikuar më së shumti jetën e tyre“, theksoi ministri.