Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot projektet konkrete për 24 njësitë administrative ku bashkia do të investojë përgjatë vitit 2016. Në prezantimin e buxhetit përpara anëtarëve të Këshilli Bashkiak, Veliaj theksoi se për vitin e ardhshëm janë parashikuar investime për rikualifikim urban blloqesh banimi, gjelbërim të hapësira publike, rregullim terrenesh sportive, mirëmbajtje rrugësh, ndriçim dhe investime në infrastrukturë.
“Në vitin 2016, ne do të investojmë 48 milionë dollar, ndërkohë që në 2014 investimet publike ishin 15 milionë dollar ndërsa në 2015 vetëm 13 milionë dollar. Me një rritje prej 270%. Çdo të thotë kjo? Në rast se për rrugët dhe transportin publik vitet e shkuara janë investuar rreth 4 milionë dollar, ne do të investojmë gjatë vitit 2016 plot 19 milionë dollar, pra investimet për rrugët dhe transportin publik do të rriten me 375%”, tha Veliaj.
Nga investimet e parashikuar për vitin e ardhshëm, Bashkia e Tiranës pritet të rikonstruktojë plotësisht 32 rrugë në të 24 njësitë administrative të Tiranës.
“Ndërkohë, ne kemi rritur ndjeshëm edhe fondin për mirëmbajtjen e infrastrukturës. Buxheti i Drejtorisë Nr. 2 e Punëtorëve të Qytetit, e cila ka për detyrë mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore është rritur nga 4.9 milionë dollar në 6.4 milionë dollarë, me një rritje prej 30%”, theksoi Veliaj.
Sipas tij, e njëjta gjë mund të thuhet për shërbimet publike vendore, ku përfshihen pastrimi, gjelbërimi, ndriçimi, etj,. Investimet në këto zëra do të rriten nga 4 milionë $ në vitin 2014, apo 5.3 milionë $ në vitin 2015 në 11 milionë dollar në vitin 2016, me një rritje prej 107%.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se shpenzimet kapitale për arsimin parauniversitar dhe edukimin nga 5 milionë $ në vitet 2014 dhe 2015 do të rriten me 300% duke shkuar në 10 milionë $. “Me këto investime do të rikonstruktohen tërësisht 7 shkolla e kopshte dhe do të ndërtohen 3 shkolla të reja. Vitin e ardhshëm do t’i kushtohet punimeve mirëmbajtëse e rehabilituese si edhe ngrohjes me synimin e pajisjes së të gjitha shkollave e kopshteve me sisteme ngrohjeje. Për këtë arsye buxheti i Ndërmarrjes Nr.3 të Punëtorëve të Qytetit është dyfishuar nga 1.5 në 3 milionë dollar”, tha Veliaj.
Në buxhetin e Bashkisë së Tiranës është parashikuar që në programin e Strehimit dhe planifikimit të territorit do të investohen 5.6 milionë $ krahasuar me 1.5 milionë në vitin 2014 dhe vetëm 500 mijë dollar në vitin 2015.
“Për rininë dhe sportet do të investohen 340 mijë dollar, krahasuar me vetëm 24 mijë dollar që u investuan në vitin 2015. Rritja e investimeve në këtë program është 1300%. Investime kyçe këtu do të jenë ndërtimi i disa terreneve sportive dhe i disa qendrave rinore. Për kulturën dhe turizmin në vitin 2015 u investuan vetëm 160 mijë dollar”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se është parashikuar një fond investimi prej 230 mijë dollarësh ose mbi 70% më shumë. Investimi kryesor në këtë program do të jenë rikonstruksioni i disa bibliotekave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se niveli i realizimit të investimeve për vitet e kaluara është shumë i ulët.
“Në total, gjatë vitit 2014 investimet janë realizuar në masën 50% ndërsa gjatë vitit 2015 në masën 33%. Kjo është absolutisht për të qeshur. Një bashki që i planifikon vetë e më pas nuk realizon dot as edhe gjysmën e planit që ka hartuar po vetë”, tha Veliaj. Ai theksoi se gjatë 4 viteve të kaluara, drejtuesit e bashkisë ishin të paaftë për të planifikuar, për të realizuar investime dhe për të qeverisur. “Me shpjegoni se për çfarë ankoheni sot? Kë po kritikoni? Buxhetin tonë? Po buxhet më qesharak se 4 buxhetet e Lulzim Bashës nuk ka pasur asnjëherë në historinë e Tiranës. Buxhete pa plan e pa strategji me realizime qesharake nën 50%. Shihuni njëherë në pasqyrë para se të kritikoni të tjerët”, theksoi Veliaj.