Gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’iu verifikohen tabulatet telefonike pa vendim gjykate

12 Janar 2016, 09:22Kronika TEMA
Gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’iu verifikohen tabulatet

ID:68585140

Gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’u verifikohen tabulatet telefonike. Kjo është skema më e re, e cila parashikohet në draftin për reformën në drejtësi, me anë të së cilës gjyqtarëve do t’u kontrollohen tabulatet telefonike, pa marrë më parë një vendim gjykate. Këtë autoritet kontrollues do ta ketë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, njësi kjo që parashikohet në draftin për reformën.

Ky komision, përpos kësaj, do të ketë autoritetin të bëjë edhe vlerësimin e pasurisë, të figurës dhe të aftësisë profesionale të gjyqtarëve. Thjeshtimi i procedurave sa i përket kontrollit të tabulateve të gjyqtarëve, pa pasur më parë nevojë për të marrë për këtë një vendim gjykate, duket se synon filtrimin e tematikës së bisedave dhe të kontakteve të tyre me palë apo persona që kanë çështje në gjykim apo që janë duke u gjykuar.

Paraprakisht, sipas draftit për reformën në drejtësi, gjyqtarët dhe prokurorët do të jenë të detyruar të dorëzojnë një pyetësor të detajuar mbi kontaktet e tyre dhe më pas komisioni do të ketë të drejtën të verifikojë deri edhe tabulatet telefonike.

Pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Sa i përket pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ata do të jenë të detyruar të dorëzojnë deklarata të detajuara të pasurive në ILDKPKI. Më pas ky institucion kontrollon pasurinë dhe i dorëzon një raport mbi të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Nëse gjyqtarët apo prokurorët rezultojnë të kenë dyfishin e pasurisë së ligjshme, ndaj tyre nis procedura për shkarkim, ndërkohë që vetë ata kanë barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën. E njëjta masë e ashpër do të ndërmerret edhe kur gjyqtarët apo prokurorët vonojnë të dorëzojnë deklaratën e pasurisë apo tentojn të fshehin të ardhurat e tyre.

Sipas projektligjit, këtij procesi do t’i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët, përfshirë edhe ata të Kushtetueses, të gjithë prokurorët bashkë me Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e KLGJ, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e inspektoriatit si dhe këshilltarët ligjorë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili do të vlerësojë trupën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve do të qëndrojnë në këmbë 11 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit ose deri në momentin kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të ngrihet edhe një mision ndërkombëtar monitorimi, i cili do të përbëhet nga vëzhgues ndërkombëtarë./ Javanews

1 komente në “Gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’iu verifikohen tabulatet telefonike pa vendim gjykate”

  1. Shpresa v. says:

    Sa ligje shkelen me keto masa? Edhe per te pergjuar te dyshuarit si kriminele duhet vendim gjykate, ndersa per gjyqtaret e prokuororet jo ? Edhe pse mund te mos jene te dyshuar per asgje. Sa te lire do te jene ata ne jeten private? Sa te lire do jene per te marre vendime te “pavarura” kur do jene te detyruar qe te japin paraprakisht listen e njerezve me te cilet do bisedojne?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje