Një emër si një kujtesë

21 Janar 2016, 20:37Blog TEMA
Një emër si një kujtesë

Diana Ndrenika

Eshtë një shesh në Tiranë që mban emrin “21 Dhjetori”. Sheshet te ne rrallë marrin emërtime datash , më shpesh marrin emra personalitetesh e ngjarjesh. Për çudi ky shesh me emër date është shumë i njohur. Nuk gjen njeri që nuk e njeh. Nuk e di me saktësi nëse fillimisht është emërtuar kështu për të shënuar datën e nisjes së diellndalimit dimëror, ditëlindjen e Josif Stalinit apo vendimin e po kësaj date të vitit 1990 për të hequr të gjithë shtatoret e tij në Shqipëri kudo që ndodheshin. Ajo që di me siguri është se ky shesh thirrej kështu edhe gjatë periudhës komuniste, por ka shumë të ngjarë që pikërisht për arsyen e fundit ky emër ka rezistuar deri më sot.

Eshtë një tjetër shesh në Tiranë, shumë qendror, në zemër të bulevardit Dëshmorët e Kombit midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit Popullor i njohur për tubime e protesta. Para ca ditësh ky shesh u zbukurua me slitën e drerëve të vitit të ri, e nën tingujt e muzikës muret e dritareve të Kryeministrit u shndërruan në ekranin e urimeve për festa. Askush për asnjë moment nuk kujtoi që nga ato dritare, në 21 Janar të 2011-ës, me urdhër të një tjetër kryeministri u qëlluan për vdekje katër jetë të pafajshme dhe u plagosën shumë të tjerë.

Sot bëhen plot 5 vjet që nga ajo ditë, nga revolta e madhe e popullit kryesisht të majtë kundër korrupsionit, kundër padrejtësisë, kundër pabarazisë. Më vjen e gjallë ndërmend sesi disa nga kolegët , arkeologë e specialistë të trashëgimisë kulturore në ojf-në që drejtoja më vunë në sedër atë mëngjes: Unë nuk dua t’i rris fëmijët duke i mësuar të vjedhin me bllok në dorë më tha Valbona Hysa ,një vajzë nga Elbasani,   do dal patjetër në demonstratë sot. – Kjo nuk është demokracia e liria të cilën kanë ëndërruar prindërit tanë dhe ne – më tha Edvin Lamçe, një djalë nga Erseka. Edhe unë do dal aty të protestoj.

Jo se nuk do të shkoja , por e kisha në plan t’i bashkohesha turmës së qytetarëve e anëtarëve të asamblesë kombëtare te PS-së; duke u nisur qysh nga selia e partisë, siç bënim gjithnjë në të tilla raste, e pa e patur në natyrë për të dalë në ballë të protestave, siç rrodhën ngjarjet shumë shumë nuk do kisha arritur më tej urës së madhe pranë hotel Dajtit. Përpos kësaj askurrë gjatë punës sime në atë ojf, nuk isha përpjekur të influencoja në bindjet e tyre politike. Duke qenë se venddodhja e zyrës në rrugën Ismail Qemali, 34 nuk e shmangte daljen direkt në sheshin kryesor përpara kryeministrisë ne u nisëm për aty. Disi në faj për rolin tim si drejtuese e një organizate të shoqërisë civile dhe njëkohësisht anëtare e asamblesë kombëtare të ps-së, doja të sigurohesha që ata nuk e bënin këtë për të lajkatuar parapëlqimet e mia(çka nuk e kisha inkurajuar kurrë) u thashë me insistim se nuk kishin asnjë detyrim të dilnin e të shkëputeshin nga zyra. Insistimi dhe reagimi i tyre më vuri në pozitë sa gati gati sa në sytë e tyre u duk se unë vetë isha pro qëndrimeve me bllok, gjobvënëse të Ilir Metës e qeverisë së Sali Berishës e nuk besoja në shpirtin e qëllimin e protestës . Ose në rastin më të mirë synoja për t’i lënë ata jashtë një jetë aktive politike, që ndërkaq ishte një e drejtë e tyre gjithashtu.

Kështu, të gjendur nga të parët në shesh 3 kolegë dhe unë u vendosëm në rradhët e para të njerëzve pranë kryeministrisë. Devocioni i tyre ia kishte dalë mbanë të na nxirrte në ballë. Atë ditë ne u bëmë dëshmitarë të asaj masakre që ndodhi aty. Pa kuptuar se si ne përjetuam asfiksinë e gazit lotsjellës, panikun e turmës, shtypjen e shtyrjen prej saj, frikën, llahtarën dhe tmerrin nën krismat e plumbave të një sistemi që godet qorrazi këdo, për të çimentuar të drejtat e fuqitë e tij.

Sot, mbas 5 vitesh 21 Janari nuk po njeh drejtësi. U morën 4 jetë qytetarësh të thjeshtë. Familjet e tyre humbën përjetë njerëzit e dashur vetëm se ata në mënyrë të sinqertë, iu përgjigjën thirrjes së forcës politike të cilës i besonin. Askush nuk u gjend fajtor. U fol për kompensim- ata janë më të varfër, me të rënduar e më shpresëhumbur se më parë.

Dhjetrave të tjerë të plagosur, keqtrajtuar, e poshtëruar me shkopinj gome e gaz lotsjellës iu është vrarë përgjithnjë guximi për të protestuar nga shock-u i përjetuar aty si dhe nga terrori psikologjik që vijoi më pas.

Unë vetë përveç tmerrit të asfiksisë së gazit lotsjellës dhe kalvarit disaorësh që pasoi në kullat binjake nën terrorin e krismave u përballa më pas me një kritikë nga drejtuesi anglez i projektit Brian Ayers, i cili më përcolli mendimin e donatorit David Packard, se unë ‘mbështesja projekte komuniste’. Ca muaj më vonë, në kongresin e PS-së, në nëntor të po atij viti pa shkak e pa shpjegim, gjë që se kam kuptuar as sot, unë u hoqa nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku aderoja prej 4 vitesh.

Sot nga dritaret mbi sheshin e 21 Janarit Rama dhe Meta kundrojnë të qetë nga godinat përkatëse përkundruall njëri tjetrit. Askush nuk ua cënon për momentin koalicionin. Po qeverisin në harmoni të plotë e shpesh nën maskën e pseudo konflikteve. E kjo, po të jesh përdorur si popull në 21 Janar të ngjall vec nauze e pikëllim. E kanë harruar gjakun e pafajshëm derdhur në atë shesh nga lufta e tyre për pushtet. Sheshi vazhdon të shtrihet aty i qetë , i përjetshëm si çdo shesh qëndror në botë. Dy drejtuesit e koalicionit kanë harruar gjithashtu t’i ligjërojnë atë emër që ai e ka vetëfituar ndërkohë. Sheshi “21 Janari”.

Ashtu si sheshi “ 21 Dhjetori ” që të kujton rënien e diktatorëve , “21 Janari” vlen për të na kujtuar ato 4 jetë; për t’u dhënë guxim qytetarëve në të drejtën e tyre të protestës; dhe për t’u ndalur duart tiranëve gjakderdhës të çdo kohe.

 

 

5 komente në “Një emër si një kujtesë”

  1. Dorina says:

    Te lumte Diana!

  2. keno kotorri says:

    Diana ! do te kishte mjaftuar te pyesnje Robertin dhe do te kishte shpjeguar se aty prane ne periferine e dikurshme pa ndertime te
    Tiranes ishte ndermarja e ndertimit “21 Dhjetori” dhe prej saj mori emrin zona e me vone sheshi I sotem. Tironsit e thone
    ke njizetenjishi.

  3. Askush says:

    Prinderit e disa prej jush ne parlament, ose ne media apo komentues me/pa pagese neper forume luftuan dhe ju mesuan dhe juve bij te denje te tyre te luftoni per Demokraci Staliniste. Ujku qimen e nderron po zakonin nuk e harron. Nuk ka demokraci nga bijte e atyre qe permbysen/shkaterruan regjimin pas Luftes se Dyte Botere, dhe nuk lane shqipetar intelektual pa i shkaterruar jeten bashke me fare e fis. U tha me sarkazem po na mbulojne plehrat e tokes, u ngriten kembet t’i bien kokes, por asjo paska qene fatkeqesisht e verteta. Ju nuk njihni forme tjeter regjimi pervec Demokracise Staliniste. Te fala Putinit!

  4. ladi says:

    Me vjen keq qe te kane larguar nga asambleja…, por duket qarte se ty shoqe te mungon kohezioni…

  5. Fredi says:

    dy emra si dy kujtesa ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje