Në rrëmbimin dhe vrazjen e Gazmend Çollakut akuzohet se ka marrë pjesë edhe ish-punonjësi i policisë, Ervin Dalipaj, që tashmë është shpallur në kërkim.
Ai ka qenë shef i sektorit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme Qendrore Tiranë, deri në tetor të vitit 2013, kur u shkarkua nga kjo detyrë me akuzën “Shpërdorim Detyre” dhe “Rrjedhje Informacioni”, gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” që kishte për qëllim mbylljen e lojërave të paligjshme të fatit.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri urdhëroi pezullimin nga detyra të dy shefave të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë dhe në Korçë.
Ministri e dha urdhrin pasi sipas policisë, rezultoi se në aksionin për bllokimin e lojërave të fatit të dy shefat nuk kryen detyrën e tyre dhe dyshohet gjithashtu se bashkëpunuan me pronarët, për t’i fshehur policisë makineritë (e lojërave të fatit).
Në njoftimin e datës 15 tetor 2013 thuhet:
“Nisur nga konstatimet e bëra për një numër shkeljesh ligore gjatë operacionit, me urdhër të ministrit Saimir Tahiri, SHKB ka nisur hetimet në të gjithë sektorët e luftës kundër krimit ekonomik, të cilët me mosveprimet e tyre në përmbushje të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme u kanë krijuar mundësinë subjekteve të ndryshme të fshehin aktivitetin e tyre të paligjshëm.
Në këtë kuadër janë pezulluar dhe po hetohen për shpërdorim detyre dhe rrjedhje informacioni shefat e sektorëve të krimit ekonomik, në tiranë dhe Korçë, E.D. dhe O.M.”
Ai ka qenë drejtor në kohën kur ministër ishte Flamur Noka.