Përplasjet mes PD dhe Aleksandër Frangaj kanë vijuar edhe ditën e sotme.
Ka qenë e përditshmja RD që ka sulmuar Frangajn duke e cilësuar sekser të qeverisë.
“Televizioni i Sandrit sulmoi dje opozitën me atë që është tipar i njohur i këtij ekrani, qitja me batare të marrë nga një frëngji, duke qepur trashë e tymthi ca argumente pa lidhje, gjithë duke fshehur arsyen e vërtetë të këtij hakërrimi. Arsyeja është se Sandri dje nuk mori me forcë si gjithnjë e në kundërshtim me ligjin, licencën dixhitale”.
Dhe pasi shpreh sipas saj arsyen e vërtetë të sulmeve RD shkruan:
“Sandri pikëllohet vetëm kur nuk merr atë që do dhe e do patjetër edhe në kundërshtim me ligjin.
Përfaqësuesit e opozitës në AMA janë aty për të zbatuar ligjin, jo për të ndjekur interesat e pronarit Sandër.
Ky sekser sypatrembur i qeverisë, mund t’ia ketë dalë sot të marrë një rrahje shpatullash nga Edi Rama për sulmin që i bëri opozitës, por nuk ka bindur dot askënd.
Edhe bahçevani i tij, me të cilin Sandri kalon shumë kohë, e di se shefi nuk e ka hallin tek qëndrimi i PD për rastin Ksera, por për qëndrimin e PD tek AMA, ku janë interesat e financat”.