Prokuroria e Tiranës ka siguruar disa nga dëshmitë e ish-punonjësve të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, që kanë rrëfyer se urdhri për 6 prokurimet fiktive me dokumente false dhe pamje të montuara u dha direkt nga ish-ministri i arrestuar, Spiro Ksera.
Ndërsa në dokumente ekziston edhe firma e tij që ka lejuar lëvrimin e 30 mln lekëve nga fondi rezervë për shtresat në nevojë.
Sipas deklaratave të vartësve të pyetur nga organi i akuzës, ata ishin detyruar nga ish-ministri të hapnin procedurat e prokurimit në kundërshtim me ligjin, për 6 aktivitetet që nuk u zhvilluan asnjëherë, raporton Dita.
Para arrestimit të Spiro Kserës, prokurori Ndini Tavani ka administruar në dosje deklarimet e 2 dëshmitarëve, ish-punonjës të kabinetit, të cilët kanë shpjeguar me detaje për 6 eventet në letra.
Mësohet se ndër të tjera, ata kanë deklaruar se në prill të 2013 ish-ministri Ksera ka kërkuar një listë aktivitetesh në lidhje me programin e mbrojtjes sociale për të gjithë institucionet që mbuloheshin nga politikat sociale.
Kjo i është dorëzuar nga njëra prej dëshmitarëve, që kishin të bënin me fëmijët në nevojë dhe moshën e tretë.
Dëshmitarja i ka thënë prokurorisë, se ish-ministri Ksera ka kërkuar që të rishikohet lista e aktiviteteve, duke bërë përzgjedhjen e aktiviteteve të kërkuara nga vet ai, që lidhet me fëmijët e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike dhe tjetri për moshën e tretë.
Madje ka përcaktuar vetë modalitetet, vendin dhe datat e zhvillimit të tyre.
“Duke kërkuar verbalisht nga dy dëshmitarët e prokurorisë, që aktivitetet të zhvillohen në komuna të përcaktuar prej tij, duke caktuar numrin e fëmijëve që përfshihen, përzgjedhjen e zonave, si dhe të njëjtën procedurë edhe për të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë”, thuhet në dosje.
Por pavarësisht përcaktimit të këtyre eventeve, ata asnjëherë nuk u organizuan.
Dy dëshmitarët kanë pretenduar se shkresa që ata i kanë dorëzuar ish-ministrit me datat e aktiviteteve, janë ndryshuar dhe janë përshtatur me datat e organizimeve fiktive të deklaruara në zyrat e financave ku edhe janë tërhequr parat.
Deklarimet e dy ish-punonjësve të ministrisë implikojnë ish-ministrin Ksera në bashkëpunim me shefin e kabinetit, të arrestuarin Kleves Bitro, vartësin tjetër të ndaluar, Artevis Mene dhe 3 të fundit në kërkim.