Kryetari i Parlamentit të Izraelit Yuli-Yoel Edelstein-Metës: Më duhet të them që ju jeni vërtet një mik shumë i fortë i vendit tonë këtu në Shqipëri

18 Shkurt 2016, 12:48Politika TEMA

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Kryetarin e Knesset, Parlamentit të Izraelit z. Yuli-Yoel Edelstein, me të cilin biseduan rreth forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ekonomik mes dy vendeve.

Fillimisht z. Meta dhe z. Edelstein vizituan një eskpozitë me fotografi nga Izraeli dhe Shqipëria dhe më pas dy delegacionet parlamentare zhvilluan bisedimet zyrtare.

Në përfundim të tyre, u dha një konferencë e përbashkët për shtyp ku kreu i Kuvendit Meta tha:

Jam shumë i lumtur sot që ndodhem para jush së bashku me Kryetarin e Parlamentit të Izraelit – Knesset, shkëlqesinë e tij z. Edelstein, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë në krye të një delegacioni të rëndësishëm të Parlamentit të Izraelit.

Dua ta falënderoj thellësisht z. Edelstein për pranimin e ftesës dhe realizimin e vizitës, e cila ndodh në një moment të rëndësishëm dhe shërben për konsolidimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, të cilat këtë vit shënojnë edhe 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Marrëdhëniet shqiptaro- izraelite janë shumë më të hershme. Janë marrëdhënie të provuara në momentet më të errëta të historisë. Ne patëm kënaqësinë përpara se të fillonim takimin, të vizitonim një ekspozitë këtu në Kuvendin e Shqipërisë me dëshmi, me fakte, me faksimile, të cilat provojnë atë dashuri, atë ngrohtësi, atë solidaritet të jashtëzakonshëm njerëzor, që populli shqiptar tregoi gjatë persekutimit barbar dhe mizor të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj tyre. Dhe jam ndjerë vërtet shumë krenar, unë, por besoj dhe çdo shqiptar që viziton “Yad Vashem” në Izrael, kur shikon hartën e Europës se Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në kontinent, ku numri i këtij komuniteti të persekutuar aq shumë, është pas Luftës së Dytë Botërore, shumë herë më i madh se sa është përpara fillimit të kësaj lufte.

Asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesve nga populli shqiptar, duke shënuar një rast unik në historinë e Europës, gjë që na bën të ndjehemi krenar. Por natyrisht përveçse të krenohemi për historinë dhe atë që kanë bërë gjeneratat e mëparshme, na mbetet që këtë miqësi të fortë, ta kthejmë në një avantazh për të përfituar sa më shumë qytetarët e të dy vendeve tona nga kjo erë e re e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Izraelit.

Ndaj, jemi të vendosur të rrisim më tej shkëmbimet parlamentare. Dy parlamentet tona kanë një marrëveshje, pasi dihet që Parlamenti i Izraelit është ndër më të njohurit në botë përsa i takon programit të “Parlamentit të Gjelbër”, dhe ne jemi të vendosur të zhvillojmë këtë eksperiencë edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Ashtu sikurse mund t’ju them se grupet e miqësisë në të dy parlamentet, pra të Shqipërisë për marrëdhëniet me Izraelin dhe në Parlamentin e Izraelit për marrëdhëniet me Shqipërinë, janë mjaft aktive.

Dua të falënderoj edhe kryetarët e tyre, deputeten dhe nënkryetare e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj, por edhe z. Amar, nga Knesset për punën e jashtëzakonshme që bëjnë për të rritur shkëmbimet midis dy parlamenteve tona.

Njëkohësisht, dua të shpreh kënaqësinë që shkëmbimet midis dy qeverive tona kanë qenë dhe janë mjaft intensive, me mjaft vizita në Shqipëri dhe në Izrael, me fusha konkrete të bashkëpunimit, në ato të energjisë, të bujqësisë dhe të ushqimit, të teknologjisë së lartë, të turizmit. Besoj dhe në fushën e transportit do të ketë zhvillime të reja pasi, kjo rritje e shkëmbimit të marrëdhënieve midis dy vendeve po merr përmasa gjithnjë e më dinamike.

Në këtë drejtim, parlamentet tona janë të vendosura të mbështesin qeveritë, institucionet, dhomat e tregtisë dhe të industrisë, në mënyrë që të prodhojmë më shumë rezultate konkrete në të ardhmen në marrëdhëniet tona dhe në interes të vendeve tona dhe të qytetarëve tanë.

Dhe sigurisht që Shqipëria dhe Izraeli, ndajnë mjaft vlerësime të përbashkëta për mjaft çështje të rëndësishme dhe jemi sigurisht të unifikuar, në mënyrë të veçantë në luftën dhe në sfidën kundër terrorizmit, si një sfidë mjaft serioze për vendet tona, për rajonet tona dhe për mbarë njerëzimin.

Duke uruar edhe njëherë suksese gjatë vizitës së tij , Kryetarit të Knesset, Parlamentit të Izraelit z. z. Edelstein, dua ta siguroj edhe njëherë për rritjen e bashkëpunimit midis dy parlamenteve tona dhe për ndjenjat e jashtëzakonshme të miqësisë që populli ynë ka ndaj Izraelit dhe për vullnetin tonë për të mësuar nga eksperiencat më të mira që ka Izraeli në shumë fusha të rëndësishme, që mund të jenë në të ardhmen, falë edhe këtyre eksperiencave nga Izraeli, shumë më produktive për zhvillimin e vendit dhe sidomos për rritjen e ekonomike të tij.

Kryetari i Parlamentit të Izraelit, z. Yuli-Yoel Edelstein gjithashtu falenderoi për mikpritjen.

“Më duhet të them, që në fakt ndoshta nuk është diçka për t’u thënë sepse, dihet tashmë që ju jeni vërtet një mik shumë i fortë i vendit tonë këtu në Shqipëri dhe që po punoni shumë për t’i çuar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona.

Jam dakord me atë që tha i nderuari z. Kryetar, kur ju përmendet në fakt që komuniteti hebre në Shqipëri ishte i vetmi komunitet në botë, që u rrit në numër pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Holokaustit të tmerrshëm. Megjithatë, ju thatë në fjalën tuaj që ndoshta ishte i vetmi, por dëshiroj t’u siguroj që fatkeqësisht ishte i vetmi vend, Shqipëria, në të cilin komuniteti ynë u rrit në shifra pas Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj do të thosha që marrëdhënia midis dy vendeve tona janë marrëdhënia, që sigurisht janë marrëdhënie të bazuara mbi interesa të përbashkëta mes dy vendeve tona, por mbi të gjitha marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë marrëdhënie, të cilat janë të bazuara në një miqësi ndërmjet dy popujve tanë, një miqësi që ka ekzistuar edhe përpara krijimit të shtetit të Izraelit.

Ju keni qenë vetë në Izrael në një vizitë tuajën dhe ne patëm kënaqësinë t’ju prisnim, por po ashtu ne kemi pasur kënaqësinë edhe të nënshkruajmë një marrëveshje parlamentare ndërmjet dy vendeve tona në Pragë përpara një viti dhe do të thoja që edhe kjo shënon një hap tjetër në marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve tona.

Po ashtu ne kemi pasur mundësinë që të kemi dhe vizita të ndërsjellta në dy parlamentet tona, kemi grupe miqësie të cilat janë shumë aktive në parlamentet tona. Kemi pasur po ashtu mundësinë që shefi i ekzekutivit të çështjeve administrative të Knesset-it, apo Parlamentit të Izraelit, të vinte në Shqipëri për të parë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona dhe me kënaqësi mund të them që ne mund të shikojmë iniciativa në fusha të ndryshme si ato të ekonomisë, turizmit, teknologjisë dhe të tjera, që do të vazhdojnë të ecin përpara.

Jam i kënaqur që ne prej tre vitesh ne kemi një ambasadë të Izraelit në Shqipëri, po ashtu edhe Shqipëria ka ambasadën e saj në Izrael dhe shpresojmë që të dyja këto ambasada do të punojnë që ne të zhvillojmë më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona.

Në përmbyllje dëshiroj të them që ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tonë të përbashkët, një rrugëtim që do të jetë i gjatë, po me kënaqësi ne patëm mundësi sot që të diskutonim shumë çështje të ndryshme dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Ndaj në emrin tim dhe në emrin e delegacionit të cilin unë përfaqësoj dëshiroj t’ju falënderoj ju personalisht për gatishmërinë tuaj, për vullnetin tuaj të mirë, për miqësinë tuaj, por në fakt jo vetëm ju, por edhe të gjithë udhëheqësit e tjerë shqiptarë për miqësinë që kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj Izraelit”, tha ai.

1 komente në “Kryetari i Parlamentit të Izraelit Yuli-Yoel Edelstein-Metës: Më duhet të them që ju jeni vërtet një mik shumë i fortë i vendit tonë këtu në Shqipëri”

  1. E po kjo pune! says:

    boll me furca personale.. nuk eshte Meta mik, jemi miq si popuj, sa Meta shkojne e vijne ne politike, aq te mira qofshin, beni gjera konkrete per te miren e popujve se deri tani vec keni bere vizita dhe qerasur njeri-tjetrin me parate e taksapaguesve sa andej kendej.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje