E keqja, kjo vlerë morale e kohës...

20 Shkurt 2016, 18:01Blog TEMA
E keqja, kjo vlerë morale e kohës...

 

 

Nga Panajot Barka

Në vendin tonë më shumë se kriza politike apo ekonomike është prezente kriza sociale dhe e shtetit ligjor. Rruga që mund ta nxjerrë shoqërinë dhe shtetin nga kjo krizë pa të shkuar është bllokuar nga politika, e cila në këto 25 vjet tranzicioni u interesua të instalohen në vend anët me negative të sistemit demokratik, të ekonomisë së tregut, zbatimit të ligjit dhe respektimit të vlerave. Kjo ka bërë që në këtë bllokim deri në asfiksi, shoqëria të mos reagojë. Në aspektin filozofik “tranzicioini” përbën konceptin e kalimit nga një stad më i ulët në një stad më të përparuar. Tek ne tranziocioni, edhe pse i stërgjatur, po vërteton të kundërtën. Kështu që shoqëria jonë nuk është në atë tranzicion që në përvojën popullore përcaktohet sipas proverbit “bëj durim në stuhi, në kohë të mirë bëj para”. Por, duke qenë se ka humbur shpresën “e kohës së mirë”, po vepron sipas parimit, “ose kërrusu, ose ik”. (Ndoshta jemi për në librin gines pasi, në këto 25 vjet gati 2/3 e popullsisë ka provuar ikjen dhe emiogracionin si shpëtim nga kjo e keqe që prodhojmë po vetë.)

Kjo krizë e shoqërisë është e pashpresë se tek ne u shemb i pari institucion, ai i fjalës. Në bibel thuhet se “në fillim qe fjala”. Edhe për filozofinë, si edhe për shkencen e antropologjisë sociale “fjala” lidhet me zanafillën, me zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë njerëzore. Ky perceptim i shenjtë, shkencor e filozofik në lidhjen me “fjalën” në përvojën e popullit shqiptar gjen shprehjen tek proverbi “Burri kapet nga fjala, dashi nga brirët”. Pra, nuk kemi të bëjmë me “fjalën” si materie gjuhësore që shënjon objekte e nocione, por me “fjalën” që na identifikon si qenje shoqërore, që materializon parimet, ligjesitë, rregullat, moralin dhe qëllimet e jetës në shoqëri dhe vet përparimin e saj. Por çfarë materializon tek ne “fjala”? Përgjigja është tepër e thjeshtë. Meterializon në ekstrem rrethin e interesave të individit, apo të një grupi, kundër individit dhe grupit jashtë këtij rrethi interesash dhe sidomos kundër interesit shoqëror. Vet politika është ngritur dhe funksionon me këtë filozofi. Mirëpo, dihet nga të gjithë se realiteti i kësaj filozofie presupozon degradimin e shoqërisë permes zevëndësimit të vlerave të saj dhe konkurencës së tyre, me një vlerë të vetme, interesin individual pa kufi, i cili për t’u realizuar ka si definicion të pashmangshëm krimin.

Ky realitet i rrenojave të institucionit të “fjalës” tek ne konstatohet kudo.

Për shoqërinë tonë dhe për më shumë në strukturën e shtetit nuk ka asnjë vlerë fjala akademike. Ajo, ose është shpallur armike, ose është nëpërkëmbur, ose përdoret për qëllime të rendomta të politikanëve të politikës, ose shërbën thjeshtë për dekor. Fjala akademike është përjashtuar nga të gjitha “strategjitë” ekonomike, sociale, kombëtare të politikës.Fjala e akademikeve në punët e shtetit dhe të politikës së shtetit është zevendësuar nga fjala e të diplomuarve informalë që kacaviren në politikë, ose nëpërmjet parasë së krimit, ose nëpërmjet devocionit pa kufi dhe pa skrupull ndaj udhëheqësit. Pjesa e ndërshme e saj është e margjinalizuar.

Fjala e politikës më shumë i ngjan një njolle që nxin e përbalt çdo gjë. U pa edhe së fundmi në trajtimin e vizitës së Sekretarit Amerikëan të Shtetit, Kerry. Me të njëjtin destinacion zuri vend këmbëkryq në parlament. Në tembullin e fjalës së lirë dhe të demokracisë misioni “i fjalës” është baltosja sa me shumë të vlerave. Eshtë kthyer në tregues të përmasave të krimit dhe njëkohësisht në mjet për të treguar se sa i mbrojtur, i fuqishëm, i patrembur, sfidues, i pushtetshëm dhe detyrimisht i respektuar nga pjesa tjetër është ai. Lë të thotë sa të drejta të dojë opozita, ajo nuk gëzon moralin për të qenë bindese. Lë të thotë sa të dojë premtime pozita, realiteti e ka bërë fjalën e saj të pa shpresë. Këtu e ka burimin kongluzioni i perendimorëve se “shqiptari (politikan dhe jo vetëm) të tjera thotë, të tjera mendon dhe të tjera bën”.

“Fjala” në shkollë nuk i shërbën aq dijës sa u shërbën interesave të ulëta kundër dijës.Në familje shërbën për të treguar se mirëqenia dhe lumturia kanë nevojë për para. Në marrëdhëniet intime për të treguar se nuk ka ndjenja por kenaqësi utile që paguhet, ose këmbëhet me privilegje.

Të vetmin dedikim pozitiv që ka fjala në këtë situatë është se i jipet mundësia të prodhojë humor politik, shumë humor politik. Por edhe në këtë rast joshja e monentit thellon në kohë gropën e zhgënjimit. Ndërsa ata që bëhen objekt i këtij humori përfitojnë nga ky “denim” më shumë imunitet, përfitojnë konfirmimin publik të statusit e të fortit, të faktorit të paprekshëm, statusin e vlerës së duhur për të ecur përpara në rrugën e tyre.

Në përgjithësi institucioni “i fjalës” është ftuar tanimë për të shprehur dhe njëkohësisht për të zbutur sadopak intervecionin masiv të së keqës mbi të mirën. Në këtë operacion e keqja nuk fitoi thjeshtë të drejtën e qytetarisë por u shnderua në vlerë morale të kohës, duke nxjerrë në minorancë dhe si të tëpërt e qesharake drejtësinë, ndërshmerinë, përkushtimin për punën, respektimin e ligjit etj. Kemi gati gjysmën e periudhës së tranzicionit që qeveritë e djathta dhe të majta shënojnë si vlerë pozitive politike fushatën për legalizimin e ndërtimeve pa leje, që do të thotë se në emër të votës legalizon shkeljen e ligjit. Por kur shifrën e tyre kupton se përmasat e shkelësve të ligjit, pra, të së keqës, sipas parimeve demokratike dhe të shtetit ligjor, ka bërë të pushtetshëm antiligjin. Në çdo zgjedhje për pushtetin egzekutiv qëndror apo lokal, votuesi ftohet për të votuar jo më të mirën e mundshme, por mundësisht të keqën më të vogël. Me 2005 votuesi shqiptar votoi partinë që shtatë vjet më parë dogji vendin. Dhe e bëri këtë jo se harroi këtë fakt, por se e keqja qeverisese që pasoi 1997 shkoi me larg se e keqja e këtij viti të mprapshtë. Me 2013 u votua kundër qeverisjes 8-vjeçare pasi ajo e çoi të keqën me tutje se ç’ e gjeti atë me 2005. Mbëtet i hidhur dhe domëthenës fakti i pohuar se me 2013, për të mundur të keqën në pushtet duheshin afruar struktura të të njëjtit nivel të keqeje, por të veshura me shpresë rilindjeje.

Shkalla më e lartë e kësaj të keqeje është shitblerja e çdo vlere dhe shitja e atdheut për interesa të ulëta.

Shteti thotë se kërkon të prodhojë bariera për ndalimin e kësaj të keqeje. Por po provohet se ato gjithmonë e më shumë po ushqejnë sistemin e së keqës.Nga njera anë këto “bariera” institucionale injorojnë dhe deligjitimojnë institucione të tjera shterore, nga ana tjetër ato shfrytëzohen nga përfaqësuesit e shtetit për përfitime personale, ose për të bërë politikë, apo fushatë elektorale. Marrim si shëmbull “testet” e punësimit. Nga njëra anë ato shpesh mohojnë diplomata universitare (shpesh me të drejtë pasi ato janë produkt i një të keqeje tjetër), nga ana tjetër testet shndërohen në mundësi përfitimi, për shkak të manipulimit, nga individë përgjegjës për zhvillimin e tyre, apo shndërrohen në mundësi për efekte elektorale.

Një biznes sado i vogël ka aq shumë detyrime e rregulla për të zbatuar, sa vështirë se mund të përballohen dhe nuk mund të përballohen. Kjo është njera anë, ajo më e vogla. Ka edhe një anë akoma më të rendë dhe nuk lidhet aq me faktin se shteti nuk është në gjendje për të përmbushur detyrimet e veta të parashikuara në ligj ndaj këtij biznesi, apo edhe qytetarit, por më shumë për shkak se përfaqësuesit për përmbushjen e tyre e shikojnë detyrimin e tyre ligjor si mjet përfitimi për vete. Pra, ligji është në dorë të Maliqit dhe Maliqin e cakton në atë post qeveria, shpesh jo për shkak të meritave, por të aftësisë për të grumbulluar vota.

Eshtë këtu lehtësisht e kuptueshme që në këtë të keqe të madhe vjen një e keqe më e madhe që është krimi i drejtësisë dhe i korrupsionit. Nga ana tjetër, këto rrathë viciozë të ngarkuar me të keqe kanë vrarë konkurencën, konkurencën e vlerave, të aftësive, të dijeve, të fitimit sipas rregullave të lojës dhe të ligjit. Konkurencën që shteti kërkon të organizojë në bazë sistemi ligjor, përbën mënyrën institucionale për lulëzimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Nuk ka as konkurencë demokratike në politikë. Ka vetëm një konkurencë në dukje të lirë. Eshtë bota e krimit, por vlera matese e konkurencës atje, është gjaku. FUND

 

 

2 komente në “E keqja, kjo vlerë morale e kohës…”

  1. Basha A. says:

    Të lumtë Panajot..!Këtu,në këtë vend të gjitha partitë dhe qeveritë e tyre i ndihmojnë tranzicjonit…Është mundësia e vetme që të bëjnë para e pasuri…Sepse,nuk mund tja dalin me drejtësi,dhe konkurencë të ndershme..Sepse,edhe diplomimin ..ashtu e kanë..të cunguar..Pastaj,nuk mund të ecet përpara pa vendosur standarte të njëjta për të gjithë…Këtu çdo parti që vjen në pushtet ka ”Qitapet..”e saj për ti zbatuar…Psikologjia otomane ..vazhdon..në mënyrën më të keqe dhe absurde të saj…Një shkrim filozofik…Urime!

  2. Po,Po says:

    Zoti Barka . …tema qe trajtoni dhe realiteti , me te cilen i shtjelloni mendimet tuaja , te bindin , se ju, di te shkruani… dhe bile mire , kur u do qejfi . Eshte hera e pare qe ,ne vleresimin tim , meritoni te falenderoheni .Nga radhet e minoritetit grek ka pena te talentuara dhe jo vetem ne publicistike ,por kur ata bien ne batakun e shovinizmit “Vorio-epiriot” grek , behen vertet te neveritshem dhe gjithecka thone,qofshin edhe te sakta e te verteta, shikohen me dyshim , mosbesim e percmim . Qendrimi me kembe ne toke,ua rrit vlerat , dinjitetin dhe respektin , ne syte e shqiptareve , apo kujtdo qofte . FALEMINDERIT !
    Vecse duhet kujtuar dhe nje here se “behari nuk vjen me nje lule ” .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje