Disa ditë më parë në redaksi u përballa me një video të llojit të veçantë. Duhet të mbuloja me gjuhë gazetareske një material audioviziv që nuk vinte nga duart e një profesionisti mediash, përkundrazi bëhej fjalë për një video që ishte fabrikuar nga vetë organet e rendit. Çfarë të shihje!: Një oficer policie që ia fuste “të dyja kepucët në një këmbë” një tipi me makinë lukzoze, i cili po sillej si një zog i privilegjuar vetëm e vetëm pse ishte miku i një emri të përveçëm. Ky i fundit, me sa dukej, ishte fjalëkalimi i përhershëm për indulgjencë i “shkelësit të normave të lejuara të shpejtësisë”, por pa sukses pasi Polici-video-recorder nuk u influencua nga emri i “dikushit” dhe dërgoi për komision lejen e qarkullimit. E pranoj, më mbërtheu entuziasmi i scoop-erizimit sidomos për faktin që tipologjia e personit të privilegjuar, me shoqen bjonde dhe me një ton zëri plot presion, e pësonte si një “bythëzi” ordiner. Ligji është ligj “daku”, për të gjithë!
Eksperimenti funksionoi
Gjatë javës video-lajmi që u ngjiz nga një video Made in Ministria e Brendshme, ishte dhe më i lexuar(i klikuar) se vetë materiali që pasqyronte vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry në Tiranë apo protestën e qytetarëve kundër “parkut të lojërave” tek Liqeni Artificial. Jo vetëm, kjo video u pasua dhe nga suksese të tjera on tape, ku mediat më prestigjioze online, e jo vetëm, koleksionuan një sër parafabrikatesh mediatike ku polici “këshillonte”, fliste anglisht dhe nuk hante presionin e një drejtori-pa-drejtori që kishte parkuar keq, tmerr. Një rutinë policore për tu patur zili dhe një raportim gazetaresk i cili, padashje, zgjeronte zyrat e shtypit qeveritare dhe afronte tek publiku suksesin e Policisë së re, së re, së re, “vetëm me një click“.
Të gjitha këto videolajme, mjafton të kontrolloni, korrën një sukses të padiskutueshëm tek audienca dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk mund të mos lindi një pyetje naive: Nga na erdhi ky kuriozitet? Besoj se, pasi u shitën si inovacion për një polici më korrekte, qyteatrëve shqiptarë u ka ngjallur tejet interes implementimi në terren i një efektivi policie me regjistrues video në gjoks ose ndoshta vetë fenomeni i ëmbël, grabitqar edhe voyer-ist i asisitimit, si një person i tretë, në momentin e shenjt të pësimit të normave në fuqi pa kushte dhe rrugëdalje. Shoqëria shqipëtare, që nga 13 shkurti i këtij viti, më në fund po dëshmon “me zë dhe figurë” vënien para përgjegjësisë të papërgjegjshmërisë ku mediumi, video, ështe dhe korniza ku magazinohet në mënyrë të parevokueshme shkelja e ligjit dhe pasojat: Ndëshkimi, vetëm ndëshkimi! Arsye tjetër mund të jetë dhe kërkimi i publikut, gati-gati manjak, i një ruajtësi të rendit publik “ideal”, i papërkulur përballë emrave, presionit, dhe çertifikatës së gjuhës angleze. Ndoshta ky interes i madh është thjesht një kërkim, eksperimentim i vetë publikut, edhe pse me frikën mos pilotohet lehtë, të një lloji tjetër informimi, i atij me dy redaksi. Një lajm me dy porta. Një redaksi me dy seli, nga MInistria e Brendshe tek tavolina e atij që zotëron gejnetikisht “sensin e lajmit” e më pas tek ekranet e anonimatit, ato personale.
Fabrikimi dhe masivizimi i rendit, lindja e një zhanri të ri
Deri më tani gjenden ende pak inforacione mbi personat dhe metodolojitë që po zbatojnë këtë iniciativë të re të Ministrisë së Brendshme: Polici-video-recorder. Në këto kushte, ku aktiviteti prodhues është në hije, i vetmi element që mund të analizohet mbetet produkti përfundimtar.
Në të gjitha rastet e bëra publike deri më tani mund të flitet për standardizimin e formës përfundimtare, ku videot përbëhen nga elementë identifikues si: Logo e Policisë së Shtetit (lart, në të majtë të kuadrit), togë fjalëshi “Pilotimi i kamerave të trupit” (lart, në të djathtë të kuadrit), titrat e bisedës mes policit dhe qytetarit, ora e momentit të filmimit, numëri identifikues i efektivit të polcisë në aksion dhe data. Të gjitha këto elemente përbërëse të figurës janë fikse dhe prezente në të gjitha videot e bëra publike deri më tani, gjë që vërteton se ekipi përgjegjës i fabrikimit të këtyre materaileve audiovizive praktikisht po synon formalizimin estetik të pasqyrimit të ndërveprimit polic-qytetar.
I goditur mund të konsiderohet dhe mbulimi i fytyrave të qytetarëve ku, përveç ruajtjes së anonimatit, duket sikur binomi shkelje-shkelës i rregullave depersonlaizohet, përgjithsohet, kthehet në një fenomen të ndëshkueshëm, pa identitet, pa alibi dhe pa rrugëdalje. Natyrisht, në një situatë të servirur, një faktor ndërveprimi i prezantuar në këtë mënyrë nuk mund të meritojë empatinë e publikut, sidomos dhe kur lëshon mbroçkulla nga goja, me\pa faj, pasi nuk është paralajmëruar që po monitorohet nga “kamera trupi”. Si mund mos të ketë të drejtë rendi dhe vetëm rendi me “video-trupi” kur ajo çka shohim e shohim nga sytë e një polici dhe asgjë tjetër?!
Gjithashtu, duke pretenduar se këto video të nxjerra në qarkullim deri më tani kalojnë dhe në një sitë seleksionimi, mund të thuhet se njerëzit që i gatuajnë dhe na i servirin kanë një vizion të tyrin mbi shembujt e ndëshkueshmërisë. Materiali “video-trupor” që tregon një fadromë në mes të Tiranës ndërsa shkatërron dhomën e gjumit të një fëmije rom është më me pak interes se sa një polic që këshillon si një anglez i vërtetë? Mos vallë gjatë gjithë këtij “pilotimi” kemi të bëjmë dhe me një sër gjestesh arbitrare që duan të ngrejnë në piedestal, me teknologji, metodologjinë video të legjitimes institucionale dhe asgjë tjetër?
Duket se po asistojmë në lindjen e një zhanri të ri spektakli mediatik, me burime dhe mjete institucionale, të cilin ma ka ënda ta pagëzoj “DokuRend”. Një zhanër i ri i cili celebron copëza të shkurtra, ideale dhe të izoluara të realizimit të rendit si utopi. Një industri që pret “pjesë të padobishme”, më pas formalizon estetikisht dhe masivizon (me ndihmën e redaksive mediatke) fabula shumë të shkurtra të vënies në vend së të drejtës gjatë konfliktit të përhershëm mes kaosit dhe rendit. Kapja, magazinimi dhe riprodhimi i paradoksit ku qytetari në një moment të caktuar për shkaqe personale, e sheh fizikisht veten si shkelës te ndëshkuar por në një moment të dytë duhet të provojë empati për policin dhe të përçmojë formën e tij, anonime, në video. Një happy ending ciklik me doza të shkurtra video për një shoqëri që sërish në mënyrë ciklike riprodhon problematika sociale të thella, off-record, prej të cilave po shpëtojmë vetëm duke u përballur në redaksitë ministrore, me demagogji dhe kamera trupi që monitorojnë por përzgjedhin “rastin”.
Polic i mirë, polic që monitoron. Qytetar i mirë, qytetar që monitorohet. Nëse i shumëpërfoluri “Policim në komunitet” ka dështuar dhe plani B është monitorimi i përhershëm video, nëpërmjet trupit të efektivit të policisë, shumë mirë, por pse duhen bërë publike si shembuj kullese etike? Kjo është mënyra më e mirë që komuniteti të përthithi dhe të pranojë rendin kushtetues, nëpërmjet ekranit? Nga ana tjetër ekzistojnë raste skandaloze ku zyrtarë të lartë kanë fituar imunitet të përforcuar dhe falë dështimit të faktimit “me zë dhe figurë” si formalizim i dopiostandardit të dëshmisë video.
Disiplinë e trupave për një dilemë krejt të re
Michel Foucault, në Surveiller et punir: Naissance de la prison, teorizonte triumfin e burgosjes si mënyrë institucionale ndëshkimi i individëve falë edhe konsolidimit (gjatë shekullit të XVIII dhe XIX) të formave të rafinuara të disiplinës, me influencë të drejtpërdrejtë në aspekte dhe detaje të vetë trupit të secilit prej qenieve njerëzore. Sipas Foucault disiplina ka krijuar në shoqëritë moderne një individualizëm krejt të ri të trupave, gjë që i ka lejuar këtyre të fundit që të përshtaten, të zbatojnë role të caktuara nëpër struktura të ndryshme ekonomike, politike dhe ushtarake. Kjo disiplinë, gjithmonë sipas filozofit francez, krijon trupa të modifikueshëm dhe që përthyhen lehtësisht, idealë për nevojat e vetë institucioneve që e promovojnë. Por për të ndërtuar trupa të tillë institucionet nuk duhet të ushtrojnë disiplinën me sforcim por falë një monitorimi skrupoloz, të vazhdueshëm, dhe këtu lind nevoja për një tip krejt të ri institucioni siç është Panopticon (një burg “ideal” i projektuar nga filozofi dhe juristi Jeremy Bentham).
Panopticon si strukturë izolimi dhe vepër arkitektonike i mundëson pushtetit një monitorim konstant të individëve falë një këndvështrimi të pabarartë: I burgosuri nuk mund të kuptojë kur dhe nëse realisht është duke u monitoruar. Pikërisht ky raport i pabarabartë mes monitoruesit dhe te monitoruarit krijon dhe kushtet e zbatmit konstant të disiplinës nga ana e të burgosurit. Sipas Foucault nga Panopticon mund të deduktojmë se jemi më pak të predispozuar për të thyer rregullat kur mendojmë se po monitorohemi, edhe kur realisht (përkohësisht) nuk jemi duke u monitoruar.
Në këto kushte, ku po orvatet të vendosen telekamera në uniforma, në biznese, shkolla, kryqëzime rrugësh, dhe në të gjithë sferën publike të shoqërisë shqiptare, lind një dilemë e re: Duhet të jemi qytetarë\policë të përgjegjshëm dhe duhet të përqafojmë rendin, pa kushte, pse monitorohemi apo perceptojmë se po monitorohemi?
Në një shoqëri të tillë, të rendit që monitoron vetëveten, duket se nuk mund të marrim më seriozisht njohjen me vetë krijuesin, por qëllimet dhe objektivat e disiplinës së re të “pushtetit riedukues”.
Ne amerike nuk ka biznes e patrulle policie pa kamera sigurie,o berxolle e djegme.
Lexoke me byth ti vellai
Amerika eshte parajsa i Lirise dhe e Demokracise, o berxolle qe s’ka pa zjarr dhe me sy. Cope mishi me dy sy me i fjal
ky popull nuk ben dot pa diktature,vetem me shkop merr vesh.
Artikull shume domethenes, i cili tregon qarte se c’fare e pret boten qe po pergatisin Elitat Satanike Iluminati Sorosiane, Rockfelere-t dhe Rothschild-et. Keta tanet behen me katolike se Papa, duke pasqyruar zellshmerine e tyre servile dhe per te treguar se perqafojne me shume xhan axhenden e partise nderkombetare Satanike. Edi Rama ka kaluar nga katakombet e erresires, sepse nuk kishte shans qe te behej kryeminister pa u kunguar nga kupola Satanike. Dhe jo vetem Rama, por edhe ata qe do te vijne pas tij dhe ata qe jane perkrah dhe kunder tij.