Kryeqyteti në ‘ethet” e derbit

3 Mars 2016, 16:17Sport TEMA

Luhet derbi i kryeqytetit. Partizani dhe Tirana do të përplasin brirët në Qemal Stafa. Afroi supersfida që i mban pezull të gjithë.

Skuadrat përgatitën me fanatizëm çdo detaj të ndeshjes. Në sfida të tilla, janë ato që bëjnë diferencën. Lojtarët, por edhe ish-ët e të dyja kampeve vazhdojnë të nxehin përballjen, me shigjetime në distancë, por edhe besim për fitoren. Tifozët janë në ankth. Për të përgatitur koreografinë më të bukur. Spektakël në tribuna, pa harruar thumbimet për rivalët. Presin me padurim duelin që vlen sa një sezon. Në të gjitha kuptimet. Derbi shërben për të përcaktuar, edhe pse momentalisht, supremacinë në qytet. Një qytet, që si asnjëherë tjetër ndahet në dy pjesë.

Të paktën në letër, Partizani luan në shtëpi. Gjithsesi dihet që në derbi faktori fushë ka peshën më të vogël. Edhe sepse sipas traditës, kur dy skuadrat ndeshen në Qemal Stafa, evitohet kufizimi për numrin e tifozëve kundërshtarë. Në derbi, që është absolutisht sfida më spektakolare e futbollit shqiptar, të gjithë janë të mirëpritur. Për të shijuar një ndeshje që i ka të gjitha: Luftën e fort, nervin, tensionin, por mbi gjithçka, adrenalinën e jashtëzakonshme, në fushë, në stol dhe në tribuna. Steka e derbit rritet edhe nga objektivat e të dyja skuadrave.

Si Partizani, ashtu edhe Tirana, luajnë në këtë duel direkt një pjesë të sezonit. Të kuqtë për të vazhduar garën për titull me Skënderbeun dhe larguar rrezikun e bardhebluve. Tirana në anën tjetër synon të zvogëlojë diferencën me 10 pikë nga vendi i dytë dhe të konsolidojë pozitat drejt kupave të Europës.

Këtë herë barazimi është i ndaluar!/ SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje