Disa shënime të të ndjerit Ardian Klosi për Gërdecin

16 Mars 2016, 09:10Politika TEMA
Disa shënime të të ndjerit Ardian Klosi për Gërdecin

Resmije Osmani 18 vjeç pati një vdekje të tmerrshme. Babai i saj dhe nëna (në foto me Resmijen) u vetëvranë pas Gërdecit. Resmija la pas një foshnje 4 muajshe ditën e shpërthimit

Një nga librat që na ka lënë pas i ndjeri Ardian Klosi quhet “Katastrofa e Gërdecit”.

Pjesë nga ky libër janë botuar sot nga DITA.

Në këtë libër flitet edhe për Resmije Osmanin, 18 vjeç, e vdekur ditën e shpërthimit të Gërdecit bashkë me 25 të tjerë.

Resmija kishte lënë pas një foshnje 4 muajshe.

Tragjizmi shtohet në rastin e saj sepse babai i Resmijes, Kujtimi, u vetëvra disa muaj pas vdekjes së të bijës, ndërsa nëna Tushe, u vetëvra tre vjet më pas.

E gjithë familja u shua nga ajo që ndodhi në 15 mars në Gërdec.

Vdekja e Resmijes ka qenë ndër më të tmerrshmet.

Shkruan Klosi: “…Tmerrin më të madh e panë ata që nuk vdiqën menjëherë, e si pakkush Resmije Osmani (Kranja nga i shoqi), edhe ajo 18-vjeçare, nëna e një foshnjeje  4-muajshe. Me shpinën krejt të djegur, si hoqi dhe rrobat e përfshira në flakë, Resmija arriti të rendë deri larg, u fut brenda një bunkeri, ku dhe i shterrën forcat. Ka ndenjur aty për 6 orë afër duke thirrur për ndihmë,  derisa e kanë dëgjuar… Pas peripecish të papërfytyrueshme në ambulanca e spitale, ku njëherë e deklaruan të vdekur e pastaj të ringjallur, u dërgua të nesërmen në një spital në Itali. Dha shpirt atje pas një agonie të gjatë më 12 prill 2008…”.

Jemi ngjethur e kemi ndjerë dhimbje shumë herë për Gërdecin. Në fillim, tronditja nga pamjet shokuese të momenteve të shpërthimit. Pastaj nga fytyrat e fëmijëve të vrarë. Më pas nga të sakatuarit në spitale. Jemi revoltuar nga mashtrimet  e Sali Berishës, kemi ndjerë turp kur pamë thasët me lekë që zbrazeshin në tavolinën e Bashkisë për të konvertuar me para dhimbjen e familjeve të të vdekurve.

Na ngatërruan më pas në spiralet pa fund të gjyqeve që vetëm drejtësi nuk bënë.  Pastaj u mësuam.. Shohim Berishën, Mediun, ministrat…  Qeshen ata: “Ne e kemi harruar, harrojeni dhe ju”.

Por atje nën tokën e Gërdecit, aty buzë autostradës ku kalojmë përditë, ka eshtra fëmijësh të vrarë. Fëmijë të tretur.

I ndjeri Ardian Klosi shkruan në librin e tij, pjesë të të cilit janë botuar sot nga DITA se “të gjithë që kanë punuar në Gërdec kanë qenë në skajin e mbijetesës”.

Ai zhvilloi takime me banorët dhe i intervistoi ata para botimit të librit:

“Më ka habitur tej mase mirësia e njerëzve që kam takuar, sinqeriteti, mikpritja.  Të gjithë që kanë punuar në Gërdec kanë qenë në skajin e mbijetesës, që kanë pranuar të punojnë në ato kushte. Shumica e viktimave janë prej familjesh të ardhura ose nga fshatrat e Martaneshit, ose të Gramshit, krahina me bukuri të rrallë, por sot të braktisura, njerëz të mësuar me punë të rëndë e të ndershme, që ranë në kurthin e pagesave të shpejta e gjoja të sigurta në një fushë të minuar.

Shumica e të vrarëve janë vajza të reja, me fëmijë të vegjël ose në djep, apo dhe prindër të moshuar që kërkojnë të mbajnë në shkollë fëmijët e tyre. Pastaj të mitur si Flavio Deliu e Erison Durdaj, ata që s’patën kurrfarë lidhjeje e dijenie për bizneset e Albademilit me Ministrinë e Mbrojtjes.

Për hir të kujtimit të tyre dhe barrës që i bie çdo njeriu të vetëdijshëm në Shqipëri për të mos i harruar dhe për të ndryshuar gjendjen e shtetit ku jetojmë, më mbetet vetëm të kujtoj në fund thënien e një gazetareje amerikane: bashkëpunëtorja kryesore në krimin e korrupsionit është indiferenca jonë” – shkruan Klosi.

1 komente në “Disa shënime të të ndjerit Ardian Klosi për Gërdecin”

  1. spartaku says:

    Kur lexon keto te verteta,dhe keto ngjarje makabre,te shkon mendja ,si rri ne kembe ky Sali Berisha me suiten e tij,sikur nuk kane bere asgje? Djali tij kriminel si i ati,mundohet me te gjithe menyrat te justifikohet e te mbrohet,se nuk ka qene ai me demontmin e armatimit ne gerdec,por te tjeret,dhe me e keqja eshte se ai maskara,kerkon te dal i pafajshem.Jo!more sy peshkaqen,ti dhe babai yte do jepni llogari e do ndeshkoheni rende.Hakmarrja e viktimave do bjere ne koken tuaj si shpata e domokleut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje