Për të trajtuar rrjetet sociale duhet të jeni me takt dhe të monitoroni mesazhin që dëshironi të komunikoni. Bayern Munich ka publikuar një “tweet”, me shije shumë të keqe, drejtuar Juventusit. “Këtu është fundi” (Qui è la fine). Kjo ishte motoja që kishte menduar Bayern Munich për t’iu përgjigjur kampionëve të Italisë në prag të ndeshjes së kthimit të 1/16 finale të Ligës së Kampioneve.
Publikimi në faqen e Bayern Munich si “cicërimë” është shoqëruar nga një imazh, me shije të keqe: një udhë treni (hekurudhë) që përfundon në “Allianz Arena”, në hyrje të të cilit shkruhet “fino alla fine”, në sfond mbizotëron imazhi i Manuel Neuer. Kjo hekurudhë ka sjellë në memorien e përkrahësve bardhezinj rrugën (imazhin) e famshme drejt kampit të përqëndrimit “Birkenau”, i cili të kujton mijëra hebrenj të vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përgjigjet për talljen e Bayern Munich nuk kanë munguar, si nga komentuesit, edhe nga mediat italiane, çka ka shkaktuar reagimin e klubit bavarez përmes rrjeteve sociale, duke kërkuar falje për mesazhin. “Për fat të keq, ka pasur një keqkuptim me imazhin tonë për ndeshjen e sotme. Eshtë bërë një përqasje historike, por kurrë nuk kishte këtë qëllim. Nëse do të jenë lënduar ndjenjat e tifozëve të Juventusit, ose përdoruesve të tjerë të këtij rrjeti social, ne sinqerisht kërkojmë ndjesë. Objektivi ynë i vetëm në fotomonazh ishte evidentimi i faktit se njëri nga dy ekipet do t’i japin lamtumirën Ligës së Kampioneve,” – thuhet në reagimin e ndjesës së Bayern Munich.