Taulant Xhaka e nis nga stoli, De Biazi befason me formacionin anti-Austri

26 Mars 2016, 16:08Sport TEMA

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka përcaktuar formacionin për ndeshjen e sotme, kundër Austrisë, e cila nis në orën 17:30, në “Ernst Happel Stadium”, në Vjenë. Në mbledhjen e zhvilluar sot paradite, ai ka deklaruar lojtarët që do të hidhen në fushë nga fillimi. Befasi përbën ulja në stol e Taulant Xhakës dhe zëvendësimi i tij me Migjen Bashën. Në krah të djathtë të mesfushës ka vend për Andi Lilën, i cili ka fituar balotazhin me Odise Roshin, ndërsa ka përfituar edhe nga pamundësia për të luajtur e Shkëlzen Gashit.

Ky i fundit, bashkë me Memushajn janë të lënduar dhe nuk mund të luajnë në miqësoren e sotme. Ata pritet të jenë gati në sfidën pasuese, në Luksemburg. Sikurse shihet, De Biazi i trembet kundërshtarit, ndaj ka marrë masa me një mesfushë të mbipopulluar, me lojtarë shkatërrues, ku spikat Abrashi, ndërkohë që Basha shquhet më shumë për zotërimin e topit, si një amortizues i ofensivës së kundërshtarit. Kaçe, sipas të gjitha gjasave, do të funksionojë si “regjizor” i kuqezinjve, duke asistuar edhe Bekim Balajn, të vetëm në sulm. Për shkodranin do të mendojnë, me krosimet e tyre, edhe dy “pistonët” e krahut, Lenjani në të majtë dhe Lila në të djathtë.

Mbrojtja është ajo që pritej, me katër lojtarë në vijë të drejtë: Cana-Mavraj në qendër, ndërsa nga krahët, Hysaj në të djathtë dhe Agolli në të majtë. Të dy këta të fundit duhet të bëjnë përpara, kur skuadra jonë sulmon, duke zënë pozicionet e dy mefushorëve të krahut, të cilët do të tentojnë këndoret dhe futjet nga krahët drejt qendrës, për të goditur portën kundërshtare, si dhe për të furnizuar me pasime Balajn. Porta, nuk ka asnjë dilemë, i përket Etrit Berishës. Me kalimin e minutave do të kryhen edhe zëvendësime, teksa trajneri i Austrisë ka njoftuar për gjashtë të tilla. A do t’i bëjë edhe De Biazi kaq, gjatë këtij 90-minutëshi miqësore? Kjo mbetet të shihet, në varësi të ecurisë së lojës dhe rezultatit të ndeshjes.

2 komente në “Taulant Xhaka e nis nga stoli, De Biazi befason me formacionin anti-Austri”

  1. Fane Mirdite says:

    memushaj eshte mesfushori me i mire pas demollarit ,na mungon nje sulmues dhe per hir te se vertetes nuk kemi pas kurr nje sulmues me kuptimin e plot te fjales .

  2. Wendy-B says:

    Po vazhduan keshtu cunat tane, do rrifena 10-0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje