Nga konspiracionet për Sorosin te Putin: Misteret e "Panama Papers"

5 Prill 2016, 16:32Politika TEMA

Kush është burimi i dokumenteve? A është e ligjshme të kesh një kompani offshore dhe a është e vërtetë që nuk ka amerikanë të përfshirë në listën e Panama Papers? Gazeta italiane “l’Espresso”, e përfshirë në rrjetin e investigimit tregon gjithçka në lidhje me këtë skandal për të kuptuar çfarë është ajo që i bën të dridhen sot politikanët dhe vipa-t e gjithë botës.

1- Çfarë do të thotë Panama Papers?

Panama Papers është emri që lidhet me 11,5 milionë dokumente të dala në dritë falë një investigimi gazetaresk, rrjedhja më e madhe e informacioneve financiare në histori. Hetimi është kryer në nivel ndërkombëtar nga 378 gazetarë, që i përkasin mediave kryesore të vendeve të ndryshme, që përbëjnë “Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë ( ICIJ )”. Hetimi i “Panama Papers” ka të bëjë me një studio ligjore Mossack Fonseca në Panama, një nga “fabrikat” më të mëdha në botën shoqërive offshore. Emri “Panama Papers” u zgjodh duke iu referuar “Pentagon Papers”, dokumentet që kanë nxjerrë në shesh gënjeshtrat e sekretarit të mbrojtjes së Nikson në Luftën e Vietnamit, të botuara në vitin 1971 nga New York Times.

2- Çfarë do të thotë offshore?

Offshore në gjuhën financiare do të thotë “jashtë vendit”. Më konkretisht, termi i referohet vendeve ku një individ mund të paguajnë taksa shumë të ulëta, ndonjëherë afër zeros, dhe kompania apo llogaritë bankare mbeten të fshehta. Këto shtete janë përdorur shpesh nga njerëzit që kërkojnë të bëjnë të paprekshme një pjesë apo të gjithë pasurinë e tyre.

3- Nga vijnë këto dokumente?

Një burim anonim, një “informator” mori në posedim mijëra dokumenteve të studios ligjore Mossack Fonseca : 2.6 terabytes materiale. Burimi fillimisht i ka kaluar informacionet për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” e cila për të përballuar këtë mal me të dhëna, iu drejtua ICIJ për të ndarë punët dhe kërkimet.

4- Çfarë është Mossack Fonseca?

Është një studio ligjore e themeluar në Panama në 1977 e specializuar në krijimin e kompanive të regjistruara në parajsat fiskale. Studioja konsiderohet si një nga pesë më të mirat në botë në sektorin e saj dhe u themelua nga dy avokatë. Njëri është Jurgen Mossack, i biri i një nazisti Waffen SS, i cili që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore u transferua në Panama. Tjetri është Ramon Fonseca, panamez, i cili ka studiuar në shkollat Ekonomike të Londrës dhe ka punuar në selinë e OKB-së në Gjenevë para se të kthehej në Amerikën Qendrore. Studioja Mossack Fonseca ka 40 zyra në mbarë botën me rreth 500 punonjës. Deri para disa kohësh Ramon Fonseca ishte një nga këshilltarët e Presidenti të Panamasë Juan Carlos Varela. Në fillim të marsit studioja u përfshi në një hetim për korrupsion që autoritetet braziliane nisën ndaj Petrobras, kompania e naftës e kontrolluar nga qeveria. Kur lajmi doli, Ramon Fonseca dha dorëheqjen nga posti i presidentit. Në lidhje me rastin, Mossach Fonseca u përgjigj se nuk mund të jetë përgjegjës për atë që klientët e saj bëjnë me kompanitë e tyre.

5- Çfarë është ICIJ?

Është një lidhje gazetarësh investigativë në të gjithë botën, e themeluar në Washington në 1997 nga gazetari amerikan Chuck Lewis. Tani kjo organizatë numëron 190 gazetarë në 65 vende të botës. Kjo organizatë është e fokusuar në hetimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar. Ky grupim ka publikuar shkrime të ndryshme investigative, i fundit ishte në 2014 për Luksemburgun. I emëruar “Luxleaks”. Hetimi nxori në dritë për herë të parë marrëveshjen e fshehtë mes disa vendeve dhe qeverisë së Luksemburgut për fshehjen e taksave. ICIJ është një organizatë jofitimprurëse që bazohet tek donacionet. Disa nga funksionarët janë: Adessium Foundation, Open Society Foundations, The Sigrid Rausing Trust, the Fritt Ord Foundation, the Pulitzer Center on Crisis Reporting, The Ford Foundation, The David and Lucile Packard Foundation, Peë Charitable Trusts dhe Ëaterloo Foundation.

6- Kush është i përfshirë?

Hetimi i Panama Papers lidhet me më shumë se 214 mijë shoqëri offshore që lidhet me persona që jetojnë në mbi 200 shtete të ndryshme. Investigimi ka arritur të zbulojë ekzistencën e shoqërive offshore të paarritshme direkt apo indirekt. 140 prej tyre i përkasin burrave të shtetit të disa vendeve të botës por edhe politikanëve të ndryshëm. Mes tyre janë 12 krerë shtetesh dhe ish liderë të politikës. Ndër më të lakuarit: Kryeministrat e Islandës, Pakistanit, Presidenti i Ukrainës dhe Azerbajxhani, Mbreti i Marokut dhe Arabisë Saudite. Presidenti i Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Janë përfshirë emrat e 500 bankave, që përmes studios ligjore panameze Mossack Fonseca kanë krijuar më shumë se 15 mijë shoqëri offshore.

7- Pse përfshihet Panamaja?

Panamaja u vë ne qendër të kësaj ngjarje pasi në vendin e vogël të Amerikës Qendrore ka studion kryesore Mossack Fonseca, epiqendra e hetimeve. Kjo studio ka krijuar për llogari të klientëve të saj, parajsat fiskale ku fshihen të ardhurat pikërisht në Panama, por edhe në vende të tjera, ku garantohet sekret i lartë bankar dhe nga ana tjetër regjimi i taksave është i ulët, si Bahamas, British Virgin Islands, Gjibraltari, Luksemburgu, Zvicra, Samoa, Seychelles dhe shumë të tjerë.

8- A është e ligjshme të kesh një llogari offshore?

Të kesh një llogari rrjedhëse ose një kompani offshore nuk është e paligjshme. Në rastin e personave të caktuar ajo bëhet e paligjshme nëse ata nuk njoftojnë organet tatimore, pra nëse nuk e përfshinë në deklarimin e të ardhurave. Por sigurisht, rasti i personave të përfshirë në këtë skandal i janë shmangur organeve tatimore.

9- A është e vërtetë që nuk ka amerikanë të përfshirë dhe se ky është një komplot kundër Putin i financuar nga Soros?

Në forume dhe rrjetet sociale janë të shumtë njerëzit që kanë menduar pse, në informacionet e para të publikuara, nuk ka emra të qytetarëve amerikanë. Për disa kjo mungesë nuk është e rastësishme, por e diktuar nga SHBA. Këto teza argumentohen me faktin se një nga të përfshirët kryesorë është Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Ndërsa shtojnë se mes financuesve të ICIJ është Fondacioni “Open Society Foundations” i George Soros, një financier i afërt me SHBA-të dhe armik i Putinit. “Panama Papers” përmbajnë me të vërtetë mijëra emra të qytetarëve amerikanë, por asnjë prej tyre nuk ka dalë nga verifikimet e deritanishme. Puna e mediave investiguese po vazhdon, ndërsa nuk përjashtohet dalja e emrave të amerikanëve në të ardhmen. Mund të theksohet se shumë kompani offshore janë të regjistruara në SHBA, në shtetet e Delaware dhe Nevada, të njohura si streha e parajsës fiskale dhe se ICIJ si në rastin e Luxleaks ka zbuluar përfshirjen e shumë shtetasve amerikanë.

(Me shkurtime nga L’Espresso)

3 komente në “Nga konspiracionet për Sorosin te Putin: Misteret e “Panama Papers””

  1. krysho ludovik says:

    dmth i doli kallaji per 24 ore.
    edhe cfare eshte kjo qe nise me ate topen Snowdenin.
    Ti bejne te gjitha publike, jo po i lexojne ca gazetare edhe na thone ata cfare eshte e vertete.

  2. nuk ka tym pa zjarr says:

    Edhe cia fle he? Nuk merr vesh se cndodh verdalle he?
    Budallenj

  3. S'te mor vesh fare says:

    “Presidenti i Rusise dhe i Mbreterise se Bashkuar”—–Gjeni Gabimin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje