Tahiri: Do shqyrtojmë kundërshtitë e presidentit, por s’ka debat a duhen masa shtesë apo jo

5 Prill 2016, 14:25Politika TEMA

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka deklaruar se do të merren në shqyrtim kundërshtitë e Presidentit të Republikës Bujar Nishani pasi ky i fundit një ditë më parë ktheu në Parlament ligjin për Sigurinë Publike. Nga qyteti i Lezhës ministri Tahiri deklaroi se qeveria është e hapur për çdo sugjerim të Presidentit Nishani kur ato janë të arsyeshme dhe ligjore.

“Presidenti ka ushtruar  të drejtën e tij kushtetuese.  Ka shfaqur edhe disa rezerva të cilat kam shumë besim që, bashkë me Komisionet në Parlament do t’i shohim. Nëse ka diçka për të reflektuar do e reflektojmë. Në të kundërt, do të vazhdojmë me projektin që kemi nisur dhe që u miratua në Parlament. Ne jemi shumë të hapur që çdo sugjerim të Presidentit të Republikës ta marrim parasysh, në eventualitetin që ata janë të arsyeshme dhe ligjore. Dhe mezi pres të lexoj, bashkë me ekspertët e ministrisë por dhe me kolegët deputetë në Komision, të lexojmë sugjerimet e Presidentit për të parë çdo mundësi që të përmirësojmë projektligjin që kemi paraqitur në Parlament. Ne mendojmë se Ligji për Sigurinë Publike shton shumë kapacitetin e Policisë së Shtetit (më së pari) dhe pastaj të gjithë institucioneve të tjera për të bërë Shqipërinë më të sigurtë”, tha ministri Tahiri

Ministri Tahiri theksoi se në asnjë vend të zhvilluar të botës nuk ka më debat nëse duhet te gjejmë balance apo jo mes privatësisë dhe nevojës për siguri.  Sipas ministrit bërja e qyteteve më të sigurta është mbizotëruese  në të gjithë botën, kjo duke garantuar edhe jetën private të gjithkujt.

“Ju besoj e dini që në çdo vend të botës ka masa sigurie të shtuara, kjo për shkak të luftës kundër terrorizmit por dhe për shkak të luftës kundër kriminalitetit, të cilat qytetarët i mirëpresin. Mua ma do mendja dhe në Lezhë, në qoftë se qytetarët e Lezhës do dinin që në shkolla ka kamera sigurie, apo elementë të tjerë siguri, unë besoj prindërit do të ndiheshin më të sigurtë për fëmijët e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha masat shtesë që janë propozuar në projektligj, por, e përsëris, ne do ta vlerësojmë me seriozitet mendimin e Presidentit dhe shumë shpejt do të bëhen publike dhe për ju rezultatet e konsultimit që do bëjmë për të marrë parasysh në qoftë se ka për të marrë parasysh, ato që ka parashtruar Presidenti”, tha ministri Tahiri

Këto deklarata ministri Saimir Tahiri i bëri gjatë inaugurimit të Zyrës së Shërbimit Unik për Qytetarët në Drejtorinë  e Policisë  Lezhë. Ministri theksoi se kjo zyrë do të shtojë besimin e qytetarëve te Policia.

1 komente në “Tahiri: Do shqyrtojmë kundërshtitë e presidentit, por s’ka debat a duhen masa shtesë apo jo”

  1. Treviso says:

    Zoti Sajmir, lereni presidentin ti mbaroi mandati dhe mos ja fishkelleni se çfar nxjerr ai nga goja.Aftesia e tije nuk eshte me shume se nje magazinjer te nje pike te repartit ushtarak. Ta kuptoni mire, te nje pike dhe jo te nje reparti. Vazhdoni punen siç po punoni, duke zbatuar gjithmone ligjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje