Kina nuk ka hequr akoma dorë nga Zlatan Ibrahimovic. Sipas faqez franceze të internetit “Le10Sport”, kampioni suedez, ka informuar ekipet e interesuara për kushtet e tija: sulmuesi 34-vjeçar ka kërkuar një rrogë prej 100 milionë euro në sezon për t’u transferuar në kampionatin kinez. Pas shpenzimeve të bëra në merkaton e dimrit, ku janë investuar 336 milionë euro, Super League kineze nuk ka ndërmend të ndalet dhe tani po provon të realizojë goditjen e madhe. Me mbështetjen e Partisë Komuniste ka nisur sulmin ndaj Zlatan Ibrahimovic, i cili shihet si njeriu i duhur për t’i bërë reklamë futbollit kinez.
Suedezi, nëse ky operacion do të realizohet, do t’i bashkohej lojtarëve të tjerë të rëndësishëm si Lavezzi, Ramires, Gervinho, Guarin, Jackson Martinez dhe Alex Teixeira. Oferta prej 75 milionë eurosh, që i është bërë para disa muajsh, duket se i ka hapur oreksin Ibrës dhe menaxherit të tij Mino Raiola. Aq sa të dy kanë vendosur t’i paraqesin aziatikëve ofertën e tyre: 100 milionë euro në sezon, një shifër e çmendur që do ta bënte Zlatan sportistin më të paguar në planet. Tani topi i ka kaluar Xi Jinping, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste.