RREFIMI/ Cila është e vërteta e bizneseve, e hetimit dhe fatit politik të Gjergj Bojaxhi

2 Maj 2016, 21:41Politika TEMA

Ish-drejtor i KESH-it, zyrtar i qeverisë “Berisha”, kritik i tij dhe më pas kundërshtar, tashmë kundërshtar i stadiumit të ri “Arena Kombëtare” në Tiranë dhe i hetuar nga qeveria “Rama”. Cila është e vërteta e bizneseve, e hetimit dhe fatit të tij politik, e përse Gjergj Bojaxhi duket sot i kërkuar dhe i sulmuar nga të gjithë? Për këtë dhe të tjera është folur këtë të hënë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ku vet Gjergj Bojaxhi u ka dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.

Sokol Balla: Në Shqipëri është normalitet që një element i ri politik, i cili duket se vendos në rrezik palët kryesore të politikës, bën që këta të fundit të çfarëdo krahu ta sulmojnë. Në pjesën e parë të emisionit, Bojaxhi është përpjekur t’u përgjigjet akuzave si biznesmen dhe vjen pikërisht në cilësinë e personit nën hetim. Ju erdhi e papritur kjo që po ndodh?

Gjergj Bojaxhi: Më shumë e papritur është fakti që përfshihen anëtarë të familjes sime, me një kosto të dhimbshme për ne por edhe për jetën politike në këtë vend. Gjithnjë na surprizojnë me të tilla gjëra politikanët shqiptarë. Sot do të uroja shqiptarët edhe ditën e Shën Gjergjit, i cili ka vrarë me shigjetë dragoin…

Sokol Balla: Sa i shenjtë është Gjergj Bojaxhi?

Gjergj Bojaxhi: Nuk jam qytetari më i mirë, absolutisht që ka shumë më të përsorur se mua, por për akuzat që më kanë bërë jam i bindur se jam një qytetar i rregullt dhe tëpër korrekt me ligjin.

Sokol Balla: Si gazetar kam sensin e skepticizmit për gjithçka. Rëndësi ka që publiku të kuptojë më shumë për atë që po ndodh, sepse akuzat nuk janë të lehta. Të flasim për kompaninë që ju keni ngritur. E çfarë natyre?

Gjergj Bojaxhi: Kompania “Everest” është regjistruar në korrik të 2012-s dhe ka marrë këtë emër nga aksionerët e kompanisë, sigurisht edhe për arritjen tonë që ngjitëm majën më të lartë të botës.

Sokol Balla: “Everest Oil” nuk është themeluar prej jush, por nga një tjetër shoqëri, që sipas hetimit policor “Superba Srl”, italiane me seli në Napoli (por ju thoni në Gjenovë), ku aksionerë janë bashkëshortja juaj dhe disa të tjerë. Për kuotat e reja ju keni paguar diku 10 mijë dollarë. Një i afërm i juaji është aksioner gjithashtu. Vet “Superba” është themeluar shumë pak kohë nga themelimi i “Everestit”, në fund të të cilës del emri i Otto Lenghit, si pronar i gjithçkaje.

Gjergj Bojaxhi: Kompania ime nuk është themeluar nga “Superba”, le ta ndihmojmë edhe Policinë e Shtetit të marrë informacione më të sakta. Nuk kishin pse të lodheshin kaq shumë dhe mund të më kishin thirrur për t’iu dhënë informacion. Shoqëria është krijuar nga disa aksionerë, përfshi edhe bashkëshorten time. Këtu nuk ka gjë për t’u fshehur, sepse informacioni është publik në faqen e QKR-së, ku mund të gjendet i gjithë historiku. Asgjë nuk është jonormale në këtë mes. Unë jam emëruar si administrator i kompanisë dhe 10% më është dhënë për të pasur mundësi të jem aksioner, në mënyrë që të punoj duke mbajtur përgjegjësi për këtë. Otto Lenghi ka punuar me shtetin shqiptar që në vitin 2004, kur është punuar për Petroliferën në Vlorë, është takuar me të gjithë politikanët në pushtet dhe opozitën e asaj kohe. Është një qytetar i rregullt dhe një investitor shumë i rëndësishëm dhe serioz. Deri këtu çdo gjë është publike dhe në përputhje me ligjin, kështu që nuk kuptoj se çfarë ka për t’u trajtuar si pjesë e një hetimi. Nuk besoj se ndonjëri të jetë kundër barazisë gjinore në këto aksione. Ne kemi të deklaruara të gjitha të ardhurat e fituara në emigracion, por edhe gjatë punëve të ndryshme.

Sokol Balla: Të qëndrojmë te zoti Lenghi, që është pronar i Petroliferës rumune, pronare e përgjithshme edhe e Petroliferës shqiptare. Por a ka një lidhje interesash mes këtyre kompanive?

Gjergj Bojaxhi: Këto kompani janë zbatueset më të rregullta të ligjeve kudo ku shtrihen, në Itali, Rumani apo Shqipëri. Lidhje pronësie mes këtyre bizneseve ka, por është në përputhje të plotë me ligjin, dhe nuk kuptoj se çfarë ka këtu që shkel ligjet apo moralin. Nuk e di ende problemin e policisë.

Sokol Balla: A mund të quhet kjo një skemë e ngjashme me kompanitë guackë, siç u zbulua skandali i fundit “Panama Papers”?

Gjergj Bojaxhi: Nuk jam jurist, megjithatë nga informacioni që unë kam, nuk ka asgjë që Everesti të ketë të bëjë me kompanitë e tjera. Ajo është e regjistruar në Shqipëri dhe paguan dividentin dhe taksë për dividentin rregullisht. Policia e Shtetit nuk dëshiron ta marrë informacionin e plotë dhe gjoba që na është vënë është vendosur nga drejtori i Tatimeve të Tiranës, i cili sot është nën arrest. Ajo është apeluar brenda institucioneve të Tatimeve dhe Apeli e ka rrëzuar këtë, sikurse edhe Gjykata Administrative. Raporti është qartazi me informacion të vjetër. Kompania Everest ka paguar aq shumë taksë vitin e kaluar, saqë shteti shqiptar na ka detyrim të na kthejë diçka, pasi kemi paguar më shumë se ç’duhej. “Everesti” nuk transferon fonde jashtë, përveçse kur paguan dividentin, që tatohet sipas ligjit shqiptar. Ne kemi kompani telekomunikacioni në Shqipëri, që fitimet i bëjnë këtu dhe i transferojnë në vende të tjera pa paguar taksë. Unë nuk di si bëhen kompanitë guackë, por ju siguroj se me të gjithë punën që bëjmë e kemi transparente, duke zbatuar ligjet dhe standardet e shtetit shqiptar.

Sokol Balla: A ka lidhje mes aksionerëve tuaj dhe “Superbas”? Cili është fokusi i aktivitetit të “Everest Oil”, kompanisë që ju administroni?

Gjergj Bojaxhi: Kompania ime nuk ka bërë import apo eksport, por ndërmjetësim të produkteve të kompanive të mëdha, sepse kompanitë e mëdha nuk kanë përfaqësi në Shqipëri. Ata gjejnë kompani lokale dhe në bazë të tyre bëjnë shitjet e tyre. Në Vlorë kemi një kontratë depozitimi, duke paguar qira për çdo ngarkesë, ndaj dhe të gjitha gjërat e thëna për xhirot e mëdha janë të pasakta. Ne thjesht menaxhojmë shitjet dhe volumin, por nuk marrim risk mbi vete, ndaj dhe nuk deklarohet i gjithë volumi si fitim i yni. Kemi deklaruar çdo gjë që nga dita e themelimit e deri më sot. E gjitha kjo skenë e madhe e ndërtuar nuk ka justifikim normal sesi shteti trajton një biznes. Ne si kompani nuk kemi bërë kurrë transaksione me kompani shtetërore shqiptare, as nuk kemi bërë ndonjë tender, por e vetmja marrëdhënie me shtetin tonë është pagesa e taksave në mënyrë të rregullt.

Sokol Balla: Ju vet keni qenë zv.ministër i Ekonomisë, kur PD-ja tha se do ta mbyllte aktivitetin, e që më pas u rinegociua marrëveshja me Petroliferën.

Gjergj Bojaxhi: Kjo është dhënë me koncesion kur unë kam qenë duke punuar në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Kur unë kam ardhur këtu, qeveria Berisha bëri një premtim se do të anulonte disa nga këto projekte, por çështja shkoi në Arbitrazh dhe Avokatura e Shtetit e ndoqi çështjen, duke mos pasur lidhje me ministrinë, ndërsa në prill të 2007-s, pasi Arbitrazhi u humb nga shteti shqiptar, u vazhdua kjo kontratë. Gjatë kësaj kohe unë s’kam qenë pjesë e qeverisë së Shqipërisë. Është njësoj sikur t’i thuash dikujt që ka punuar në Dogana apo Tatime, që të mos punojë në asnjë biznes tjetër, sepse ka konflikt interesi me këto institucione. Kur shteti shqiptar vendosi ta vazhdonte bashkëpunimin me këtë kompani, unë s’kam qenë pjesë e qeverisë dhe nuk kam pasur gjë për të vepruar apo rinegociuar. Po të ishte te gjykatat shqiptare, ne mund të bënim përmirësime të kontratave koncesionare.

Sokol Balla: Për shkak të detyrës, ju jeni marrë me Petroliferën dhe e dini aktivitetin e saj, që i ndalon marrjen për tregti me pakicë të karburanteve. A mund të thuhet se ka një pikëpyetje mbi veprimtarinë e dy firmave që të kenë shfrytëzuar me zotësi vakuumet ligjore?

Gjergj Bojaxhi: Nëse kompania ime ka shkelur licencën, shteti shqiptar le ta çojë për hetim dhe gjykim. Kontrata e koncesionit është aty, nëse duan që kjo kompani të heqë dorë nga funksionaliteti i saj, atëherë le të vijnë dhe ne u kërkojmë aksionerëve dorëheqjen. Nuk ka asgjë të paligjshme që aksionerët e Everestit të jenë në këtë kompani. Shteti shqiptar ka pasur 4 vite kohë që ta shqyrtonte këtë çështje, megjithëse përpara disa vitesh Autoriteti i Konkurrencës e ka trajtuar këtë dhe është konkluduar që nuk ka asnjë shkelje të ligjit. Unë s’kam asnjë interes si administrator, që Superba të jetë aksionere, por nëse duan që të largohet, le ta bëjnë të ditur.

Sokol Balla: Nëse ju do të ishit sot në qeveri, do ta lejonit një funksionim të tillë?

Gjergj Bojaxhi: Nga informacioni që unë kam po, sepse nuk nuk ka asnjë konflikt interesi. Pavarësisht se këtu nuk flas dot si specialist, sepse nuk kam të gjitha informacionet e duhura për të interpretuar në themel gjithçka.

8 komente në “RREFIMI/ Cila është e vërteta e bizneseve, e hetimit dhe fatit politik të Gjergj Bojaxhi”

  1. dardan says:

    Persa kohe se rezulton se kompania, ku zoteria eshte administrator, eshte e regjistruar ne QRB dhe eshte deklarues e pagues i rregullt i taksave, ska asgje per tu akuzuar. Nese nuk ekziston ndonje prove se ky zoteri ka nen emrin e tij firma apo nenfirma (shell companies) te paregjistruara qe nxjerrin fitim te padeklaruar ne Shqiperi cdo gje qe thuhet eshte spekullim e llafe pazari me mbush gazetat e njollos figuren e tij.
    Nuk duhet harruar se z. Bojaxhi eshte nje profesionist qe ka studiuar ne shkollat me te mira de SHBA, ka qene zv. minister dhe di mire te veproje brenda ligjeve te shteti shqiptar. Nuk eshte aq diletant sa te kapet per evazion fiskal nga ndonje Polic me shkolle te mesme nga keta te “Rilindjes” alla-Rame. Cdo kush ka te drejte te jete aksioner apo administrator i nje firme apo disa firmave njekohesisht dhe te kete aksione ne emer te pjestarve te tjere te familjes se tij, per sa kohe qe firmat jane te regjistruara dhe paguajne taksa ne shtet. A i regjistrojne pronaret pronat ne emrat e bijve, nipave e mbesave? Po ashtu ndodh dhe me aksioneret neper firma. KY ESHTE KAPITALIZEM nese se keni kuptuar akoma, asgje ILEGALE ska ketu.

  2. ermal says:

    te verteten tashme e thone vete personat qe jane te prekur, nuk e thone institucionet qe e kane per detyre;
    por nga ana tjeter kjo eshte edhe media e leshit qe kemi… del dhe e zbulon te verteten sokoli nga gjergji… vajt me det

  3. Ana says:

    Zoti Bojaxhiu, fakti qe ju paguani te gjitha tatimet nga aktiviteti juaj (pa e vene ne diskutim kete), nuk do te thote qe ky aktivitet nuk pastron para-pasi praktika tregon se pikerisht keshtu pastrohen dhe hyjne ne qarkullim parate e pista- duke paguar tatimet. Nuk kam bindje qe hetimi policor mund ta kete vertetuar kete por ju lutem mos e perdorni si argument te pastertise suaj pasi ju vertet nuk mund te beni evazion fiskal por “mund” te beni pastrim parash.
    Me cudit se sa me thjeshtesi e pranuat faktin e te qenit te gruas apo vjehrres si aksionere te nje shoqerie? Te besh tjetrin me kaq lehtesi aksioner ne nje shoqeri ku fitohen goxha para, ne fakt vetem ne Shqiperi ndodh dhe ju nuk I keni shpetuar kesaj. Te ishte aq e thjeshte sa e shpjeguat duke thene qe “si gruaja si une njelloj do te ishte”, ju kujtoj se s’kemi degjuar asnje investitor serioz qe aksionet neper kompani ti vendose ne emer te gruas apo familjareve te tjere pasi te qenit aksioner eshte kontribut, pjesmarrje, pergjegjesi e shume te tjera (dhe jo se ne historikun boteror te investimeve nuk gjenden njerez kaq te emancipuar sa ju).
    Ka dhe ceshtje te tjera me pikepyetje tek sqarimi juaj, por me erdhi keq qe kuptova nuk jeni as ju, politikani ” I ri” qe i duhet ketij vendi.

  4. ana says:

    Asgje nuk kuptova nga kjo intervist, vec nje bindje timen e perforcova , qe….ballasokolgazetari e ka nivelin dhe intelektin baraz me zero.

  5. e verteta says:

    10.30, dhe ende nuk lejohen komentet per Bojaxhiun.Pse keshtu plaku Mere?!

  6. NjeQytetarOptimist says:

    Asgje ske bere o Bojaxhi.. Ke hedhur ne gjyq arbitrazh taksapaguesit e rraskapitur shqiptar nepermjet gruas si aksjonere.. Si te tingellon kjo?!?! Jam komplet I zhgenjyer.. Harram more qafir…

  7. Nardi says:

    Sigurisht gazetare papagalle dhe me ate nivel,nuk mund te presesh ballafaqime ,interpretime dhe qartesime te duhura,por tymnaje,dhe justifikim se ky tym del pa patur zjar.Megjithate te humbur jemi ne qe presim te na dalin politikane engjej.

  8. indi says:

    I VETMI VEND KU AKUZOHESH PSE JE I AFTE – PSE BLEN NE BURSE DHE PSE BEN XHIRO. Vend komunistash.

    Vendi nuk ka me nevoje per mafien politike deri tani por per njerez te ndershem dhe te afte si Gjergj Bojaxhi apo Ben Blushi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje