Pas publikimit nga ana e Doktorit e një liste deputetësh të opozitës, që ai thotë se i ka përgjuar Saimir Tahiri, në PD plasi lufta për të futur emrin në listë. Më i shqetësuari nga të gjithë ishte Muli. I ngelur keq që Doktori nuk e kishte futur tek lista që përgjon Saimiri, Muli vendosi t’i shkruajë një letër vet Doktorit, të sqarojë situatën.
“I dashur Doktor.
E pashë listën që ke botuar, për deputetët që përgjohen. Unë e di që ti e bën këtë punë për politikë dhe për të gënjyer kundërshtarin, por duhet të bëjmë një sqarim të brendshëm në parti, se kush janë personat që përgjohen vërtetë.
Fjala vjen, kur thuhet që përgjohet Arben Ristani, duket sikur ai di diçka të rëndësishme. Por e vërteta është se ai për çdo gjë më pyet mua, dhe nëse është përgjuar Ristani, i bie të jem përgjuar dhe unë. Nga ana tjetër, ai nuk ka mundur të flas deri më sot asnjëherë në telefon me ty, dhe i bie që Tahiri të mësojë nga Ristani, ato gjëra që i kam thënë unë. Por të jesh i sigurt Doktor, se unë e di këtë punë, dhe kryesisht kemi bërë muhabete për femra dhe pije. Nuk jemi përzier në politikë.
Sa për Jozin, besoj se e kanë përgjuar, pasi duan të dinë se çfarë thotë për Lulin dhe si e shan. Nga ana tjetër, duan të mësojnë nëse e nxit ti apo jo. Unë jam i sigurtë që ajo i ka të gjitha nga vetja, kështu që nuk prish punë.
Sa për Arben Imamin, jam i sigurtë se duan të dinë ndonjë muhabet që di ai, kur Iika përgjuar këta në opozitë. Por siç më ka thënë dhe Beni, ai zakonisht rri me ata biznesmenët që u ka dhënë tendera dikur dhe bëjnë vetëm muhabete lekësh.
Genc Rulin e kanë përgjuar pasi duan të dinë, a ja thotë ai vërtet “Antenës” ato batutat apo i shpikin ata legenat. Është e çuditshme, por nga disa përgjime del që ai i ka marrë përsipër ato. Unë them se kemi më shumë interes të thuhet që i thotë Ruli, se sa të bëjnë si të zgjuar ata legenat.
Ridvan Boden e përgjojnë se mos i jep udhëzime Elvi Fundos për lajmet kundër Lul Bashës.
Genc Pollon e përgjojnë, sidomos sms-të me pastruesen, se duan ta nxjerrin si Shukriun.
Genti Strazimirin po e përgjojnë se duan të gjejnë rastin kur të porosisë fishekë për pistoletën.
Majlinda Bregun e përgjojnë se mos shkëmben sms me Edi Ramën dhe kanë frikë se çfarë qëndrimi të mbajnë ndaj saj, ta shajnë apo ta mbrojnë.
Albana Vokshin e përgjojnë se kanë nostalgji për Bije Vokshin dhe shpresojnë se ajo do kthehet sërish në gjirin e partisë.
Këtë Albina Dedën nuk di pse e përgjojnë. Ndoshta u ka ngel fiksim ku e lagu leckën që i hodhi Edi Ramës dhe duan ta zbulojnë nga telefonat.
Unë të falenderoj që nuk e ke fut emrin tim në listë, por më ke ruajtur, por e vërteta është se mua më përgjojnë se duan të dinë se çfarë mendon ti, duke llogaritur që jam njeriu yt më i besuar.
Prandaj i dashur Doktor, ti ke bërë mirë që më ke ruajtur, por është mirë të sqarosh partinë, se dhe unë jam i përgjuari kryesor, pasi më bie shumë rëndësia në popull. Po deshe herën tjetër, kam një kërkesë, që të shtosh dhe atë deputeten seksi të Cërrikut, se e kam shoqe dhe ka qejf dhe ajo. Se me siguri e përgjojnë dhe atë, se kanë kuriozitet ta dinë, kush i ka thënë i pari që je e bukur”.