Pas bërjes publike të nenit 25 dhe amnistisë që u jepet ish- ministrave të PD, Kunati i dërgoi një letër Doktorit, ku shpjegonte se Luli nuk kishte faj për këtë nen, dhe se nuk kishte asgjë kundër tij. Dyshimet e Kunatit ishin përqëndruar tek Ed Halimi dhe Enkelejd Alibeaj, të cilët kanë dash të shpëtojnë veten.
“I nderuar Doktor!
Luli sot u çudit shumë kur mësoi për nenin 25 dhe përjashtimin e ministrave të PD nga hetimi prej Gjykatës së Posaçme. Sapo ja lexova draftin, përplasi filxhanin e kafesë mbi tavolinë dhe e derdhi mbi draftin e reformës. Pastaj shtyu tutje reçelin dhe bukën me gjalp që kishte bërë gati për mëngjes.
-Ky është skandal, tha. Si mund t’ia lejojmë ne vetes, që ne të mos hetohemi dhe Doktori të hetohet! Pse, ai do t’i mbajë gjithë jetën hallet tona në kurriz?
Këtë skenë e kam parë me sy Doktor, që në pike të mëngjesit në orën 11:00, kur Luli çohet nga gjumi, dhe nuk do më hiqet sa të jem gjallë.
Pastaj bëri një sërë telefonatash dhe mori përshtypje dhe të drejtuesve të rinj të PD. Të gjithë ata janë dakord që neni të hiqet, pasi ata nuk kanë qenë ministra. Edhe Strazua që nuk ka qenë ministër, kërkoi që neni të hiqet.
-Unë kam shprehur gjithnjë gatishmërinë time edhe të vdes në vend të Dokorit, edhe të bëj burg në vend të Doktorit, dhe jo të jem dakord të ndahet me ligj fati i disa ministrave, nga fati i Doktorit, tha ai.
Pas kësaj Luli arriti të kuptojë se strumbullari i gjithë këtij sherri janë Ed Halimi dhe Enkelejd Alibeaj, pasi ata e kanë futur atë pa pyetur Lulin. Luli i pyeste ata vetëm për hallet që ka pas PD me reformën, kurse ata kanë futur tinëz dhe këtë.
Ata të dy mbajnë përgjegjësi, por më shumë Ed Halimi. Ata janë fajtorë për këtë që ka ndodhur, por nga ana tjetër nuk besojmë se e kanë me të keq. E kanë bërë thjesht t’i servilosen Lulit dhe të rregullojnë punët e tyre. Ndonjë herë ai Ed Halimi më duket si Koçi Xoxja me këto që bën, duke punuar pas krahëve të shokëve të partisë dhe udhëheqjes së saj. Ai është i lidhur me agjenturat e huaja në kurriz të fatit të partisë sonë.
Për këtë arsye ne propozojmë që ata të dy t’i shkarkojmë nga Komisioni i reformës, por reformën nuk po e prekim, se nuk ka lezet të bëhemi pengesë.
Më respect, Kunati i Lulit”.