Sindikatat e pavarura shpjegojnë arsyet përse nuk ka protesta më 1 maj

1 Maj 2016, 21:18Antena TEMA

Sindikatat e pavarura të Shqipërisë kanë dalë sot me një deklaratë me rastin e 1 majit, ku shpjegojnë arsyet përse nuk përkujtohet 1 Maji dhe fajësojnë për këtë qeverinë shqiptare:

“Të dashur punëtore dhe punëtore.

Në emër të Sindikatave të Pavarura, bëjmë me dije se qeveria shqiptare ka shkatërruar festën ndërkombëtare të punëtorëve, datën 1 Maj. Sivjet, përveç faktit që ajo bie në një ditë me Pashkët ortodokse, ka dhe një fatkeqësi tjetër, pasi është viti kur në Shqipëri nuk ka asnjë fabrikë apo uzinë të madhe.

E vetmja uzinë e madhe është ARMO, punëtorët e së cilës, janë të vetmit punëtorë që nderuan sot ditën e 1 Majit, duke bërë protesta për punën e tyre. Ata kanë muaj pa marrë pagat, ndërsa ARMO nuk dihet më në dorë të kujt është. Ajo ka falimentuar pas ikjes së Taçit, ndërsa azerët kanë ikur pasi e panë që u ngelën në duar më shumë fatura se sa pasuri.

Përvec ARMO, shqipëria nuk ka më uzina dhe fabrika, dhe siç e dimë ne, 1 Maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve, që nisi nga një grevë që është bërë në një fabrikë në Çikago.

Në një vend ku qeveria nuk ka lënë në këmbë asnjë fabrikë dhe uzinë, nuk është faji i punëtorëve që nuk protestojnë, as dhe i sindikatave që nuk i organizojnë, por i qeverisë, që ka mbyllur fabrikat dhe uzinat dhe i ka lënë punëtorët pa punë.

Njerëzit e pa punë, nuk mund të quhen më punëtorë, dhe kështu qeveria ka zhdukur bashkë me uzinat dhe fabrikat, dhe klasën punëtore. Në vend të tyre ajo ka hapur disa vende pune, ku njerëzit punojnë me internet apo kompjutera. Por, siç ka thënë Marksi, “Mbivlera” është pune e papaguar e punëtorit. Në një shoqëri ku shumë gjëra bëhen me kompjutera, nuk ka as mbivlerë dhe nuk ka përse të protestosh.

E bëjmë këtë deklaratë për të sqaruar gjithë ata zëra kritikë ndaj nesh dhe njerëz të pakënaqur që na fajësojnë për gjëra që nuk kemi faj. Në një vend pa uzina, pa fabrika dhe pa punëtorë, nuk ka kuptim të kërkosh llogari përse nuk ka protesta më 1 Maj. Kjo është ditë e punëtorve, jo e të papunëve. Ne do të bëjmë presion që te kemi një festë të të papunëve, ku dhe do të bëjmë protesta të mëdha, dhe të trondisim qeverinë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje