Në disa shkrime të botuara sot, kritikohet Ambasada e SHBA përse i ka dhënë vizë për SHBA Zenit, edhe pse mbi të rëndojnë një sërë akuzash që lidhen mes të tjerash dhe me biznese amerikane.
E shqetësuar dhe e çuditur nga këto shkrime, Karmina bëri një status në Facebook, ku sqaronte të irrituarit:
“Ua u çudita shumë. Nuk e kuptoj çfarë janë ca njerëz. Bëhen ziliqarë dhe për një vizë amerikane. Mbi të gjitha, ata duhet të kuptojnë se kur një modele si unë vendos të shpenzojë lekët e saj të fituara me djersë dhe punë të ndershme në Malibu, nuk ka Ambasadë amerikane që të mbyll derën.
Por meqë kuriozët nuk rreshtin së shkruari, po ua them dhe një sekret.
Ato që thoni për Zenin janë të gjitha rrena. Ne kemi ardhur në San Fraçisko dhe do shkojmë dhe në Hollivud, të takojmë aktorin që luan Zenin tek ai filmi për tregtinë e fishekëve. Nuk kemi ndërmend t’i bëjmë presion, por ai ka kërkuar vetë ta njohë nga afër Zenin, me qëllim që ta nxjerrë siç duhet rolin e tij dhe figurën e tij njerëzore.
Për këtë arsye erdhëm të dy bashkë të na njohë më mirë.
E di që dhe kjo do t’i tërbojë ziliqarët, por nuk kam çfarë u bëj.
Desha të them dhe dicka për armët. Ku është e keqja të armatosen gjithë shqiptarët, nuk e kuptoj? Unë kam parë armë këtu në SHBA dhe nuk janë shtrenjtë. Unë besoj se kanë mundësi ekonomike të blejnë të gjithë. Jemi vend i varfër, por ja kaq sa e bëjnë këta të qeverisë, që janë hedhur përpjetë se gjoja populli s’ka lekë të blejë armë. Në fund të fundit Doktori para se të gjithash është prind. Kur shikon çfarë thoni për djalin e tij, tek armët i shkon mendja.
Lidhur me vizën e Zenit, dua t’u sqaroj se atë e kam paguar unë dhe e kemi për tre vjet. Unë i kam lekët e pastra, pasi i fitoj nga dyqani. Kam shitur tre kostume banje që kur e kam hapur dhe 40 palë geta.
Kush nuk beson, të shikojë bilancet. Dhe nuk do rri të sqaroj gjithë ziliqarët e botës. Pastaj pse të mos i japë vizë Ambasada? Ambasada i ka dhënë vizë Luan Hoxhës që ka shpifur për Zenin që gjoja e ka kërcënuar, e mos t’i japë Zenit. Njerëz koti, merreni gjithë jetën me punët e të tjerëve. Pff.
Nesër do postoj një foto tjetër nga Malibuja dhe boll me atë foton me sqetullën me lesh, se latë nam”.