Fjalimi i fundit i kandidatit për rektor: Sllogani im është “Votoni, shpëtoni"!

19 Prill 2016, 20:01Antena TEMA

Fushata për zgjedhjen e rektorit në Universitetin e Tiranisë, ka përfunduar.

Kandidati më i përfolur i kësaj fushate, Mynxyr Koni, në fjalën e tij të fundit para studentëve dhe pedagogëve, tha:

“Të dashur studentë dhe pedagogë!

Kjo ishte një garë e vështirë për mua dhe familjen time, pasi nuk ishim mësuar me gjëra të tilla.

Kur u futa në garë, Dhori më garantoi se çdo gjë e kishte rregulluar dhe punët do shkonin mbarë.

Më tha që zëvendës “do kesh dhëndrin tim, ndihmës do më kesh mua se do shkoj tek Ekonomiku, vajza ime do jetë atje ndihmësia ime, pastaj do iki unë, do kandidoj dhëndri im, pastaj do ikësh ti, do kandidojë vajza ime, ti do kandidosh në vend tim e kështu me radhë”. Pra mu duk e lehtë.

Por si çdo garë, dhe kjo kishte vështirësitë e veta.

Dhe vështirësia më e madhe ishte kur mora vesh nga Doktori që kisha dhënë dorëheqjen, se më kishte kërcënuar Emiljano.

Nga ai moment, e kuptova se të jesh rektor jo çdo gjë duhet ta përjetosh vetë, por ka shumë rëndësi dhe si e përjetojnë të tjerët detyrën tënde.

Ndaj mënyra se si Doktori e kishte përjetuar pozicionin tim, ishte një mynxyrë e vërtetë, të cilën nuk do ta harroj kurrë.

Dua të them dhe dy fjalë për rivalen time.

Unë nuk kam gjë me të, se nuk e njoh, por Dhori më ka thënë, se po e mori ajo Rektoratin, ne do na marrë lumi të gjithëve.

Universiteti do humbasë ekuilibrin e vendosur nga viti 1997 që drejtohet nga Dhori dhe do bjerë në duar axhamijsh.

Përfytyroni që rivalja është një anëtare e thjeshtë socialiste e Këshillit Bashkiak, dhe është ende shumë larg CV-së së Dhorit.

Dhori ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të PD, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, anëtar i Bordit të Bankës së Shqipërisë, anëtar i Bordit të Fondacionit të Lirisë, anëtar i Bordit të Financimit të PD, dekan i Fakultetit Ekonomik dhe së fundi rektor.

Ne nuk e kemi luksin të braktisim këtë establishment dhe t’ia lëmë Universitetin një femre ende të panjohur.

Për fatim tim dhe të Emiljanos vendoset nesër.

Ai e ka të thjeshtë, se me tre gjyqtarë ka punë, por unë kam gjithë këtë trupë gjykuese.

Prandaj sllogani im është “Votoni, shpëtoni”!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje