Pas shpalljes në kërkim të Azem Sylës, ish-ministrit të Mbrojtes së UÇK, i cili akuzohet për zhvatje të 30 milionë eurove nga pasuria e Kosovës, shtypi serioz në Kosovë, pati disa lajme rreth kësaj ngjarje duke gërrmuar thellë në arsyet e arrestimit. Të lexojmë katër prej tyre botuar nga “pampers.com”
“Azem Sylën duan ta arrestojnë veç pse s’e çeli gojën kurrë n’Parlament”
EULEX bashkë me Policinë e Kosovës, herët në mëngjes ka nisur një aksion ku po kërkon deputetin Azem Syla nga PDK, me pretendimin që ai me dhjetëra bashkëpunëtorë kanë keqpërdorur rreth 30 milionë euro të buxhetit të Kosovës.
Por, PamPress merr vesh se motivet e arrestimit janë krejt të tjera. Burime tonë brenda Shoqatës së Invalidëve të Diasporës Shqiptare në Zvicër dhe shtetet e Beneluksit, marrin vesh se EULEX do që ta arrestojë Sylën veç pse ai ishte deputeti më i heshtur në Parlament.
“As EULEX e as Policia e Kosovës nuk po guxojnë të arrestojnë Adem Grabovcin, Bekim Haxhiun, Ismet Beqirin e plot deputetë të tjerë që llomotitin pa ndalur në Parlament. Ata gjetën ta arrestojnë Azemin, pjesëtarin e Shoqatës sonë, veç pse ishte më i urti dhe më i heshturi në Parlament, duke treguar maturi dhe qëndrim prej dijetari alla Sokrat a Platon”, thuhet në reagimin e ShIDShZB-së.
Po ashtu, kjo shoqatë ka kërkuar zmbrapsje të mënjehershme nga ky aksion prej EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, duke thënë që kjo është tendencë për degradim të një intelektuali me vlera evropiane, pro-ammerikane, përëndimoro-pacifisto-rugoviane dhe okbiane.
Invalidët e Zvicrës në protesta masive: Syla është invalid, jo kriminel
Shoqata e Invalidëve të Diasporës Shqiptare në Zvicër dhe Beneluks ka organizuar protesta masive në Gjenevë, me kërkesën e vetme – ndalimi i përndjekjes së anëtarit të devotshëm të tyre, deputetit të PDK-së, Azem Syla.
Me parulla dhe brohoritje “Azemi s’është kriminel, por invalid”, “Mos e përndjekni Azem invalidin”, “Po shkelni mbi gomat e karrocave të invalidëve”, “Azem ti ku je, invalid ishe, invalid je” etj., protestuesit janë mbledhur te Palace of Nations, duke kërkuar stopimin e aksionit të EULEX-it, siç e kanë quajtur ata, aksion barbar me motive invalidore.
Protestuesit kanë akuzuar ish shefin e ShIK-ut, Kadri Veselin, duke thënë që ai po i hakmerret Sylës nga xhelozia pse ai s’mundi të nxjerrë pension invalidor nga shteti i Zvicrës, siç bëri Syla, edhe pse edhe ai disa herë tentonte ta luante personin me të meta psiqike.
Protestuesi Julien Broggi ka kërcënuar Veselin që t’i ndalë këto sulme me motive pensionale, duke i thënë që askush nuk ia del që ta sundojë nëntokën, dhe të synojë edhe pensionet e mbitokës.
Kjo protestë është mbeshtetur edhe nga Sami Lushtaku nga Qelia nr.7, krahu i djathtë i Pavijonit veri-lindor në Dyz, duke premtuar se vendin e Azemit në Parlament nuk do ta zë askush, pavarësisht ç’bëhet me këtë të fundit.
Psikiatri i Azem Sylës: Syla nuk u diagnostifikua si ‘budallë’, por si ‘sherr budallë’
Neuropsikiatri nga Zvicra, Jurgen Andreas, ka folur në lidhje me diagnostifikimin e Azem Sylës në shtetin e Zvicrës, duke potencuar se vetëm në Zvicër deputetit nga PDK iu përcaktua diagnoza e saktë.
Ai ka akuzuar psikiatrin kosovar, Hamid Lushtaku, duke thënë se vetëm për të marrë pension invalidor, ky psikiatër i ka përcaktuar Sylës diagnozën ‘budallë i klasit të parë’.
Psikiatri zviceran sqaron se pas kontrollave të shumta që i ka bërë deputetit Syla, ai ka ardhur në përfundim se Syla nuk mund të cilësohet si ‘budallë i klasit të parë’.
“Jo, është gabim trashanik ky. Unë kam ardhur në përfundim se deputeti nga Kosova nuk ka probleme psiqike siç i janë përcaktuar në Kosovë. Mbase Syla mund të konsiderohet si budallë, por saktësisht ‘sherr budallë’. Sepse po të ishte thjesht budallë, s’do t’i shkonte në mendje t’ia merr paratë një shteti të huaj”, ka theksuar psikiatri Andreas.
Ai më tej ka sqaruar se Syla po të ishte aq budallë, edhe do të jepte para, jo veç të merrte.
“Ai definitivisht është ‘sherr budallë’”, ka përfunduar psikiatri Andreas.
EULEX thirje Sylës: “Dil Dajko se u djeg loja”
Pas përpjekjeve tërëditore nga EULEX dhe Policia e Kosovës për ta kapur ‘kryekapon’ Azem Syla me 50 hajdutët e tij, duket se organet e rendit janë dorëzuar.
Përmes një komunikate jashtëzakonisht të shkurtër për media, EULEX i ka bërë thirrje Azem Sylës të dorëzohet, pasi që ata nuk po ia dalin dot ta gjejnë.
“Azem, dil Dajko se u djeg loja”, thuhet në komunikatën e Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës.
Megjithatë, Syla duket se nuke ka dëgjuar një mesazh të tillë, ose ka vendosur që të mos i përgjigjet.