Pas deklaratës së Doktorit se ai nuk përfaqëson më politikën zyrtare të PD, Kunati i Lulit ja nisi punës të numërojë se kush deputet i ngelet linjës së Lulit dhe kush i mbetet Doktorit.
Bëri një listë dhe shkoi ja lexoi Lulit në zyrë.
-Nga verifikimet që kam bërë më rezulton kështu situate, i tha.
I pari në listë është Ristani. Ky është me ne, s’ka nerva për luftë. Plus që nuk pi dot në sy të Doktorit.
I dyti Paloka. Ky është me Doktorin. Vetëm se ka një zakon që kur plas lufta, ky ikën jashtë shtetit. Por në paqe duhet llogaritur me Doktorin.
Florian Mima është dhe me ne, dhe me Doktorin, por dhe ky në rast lufte ikën jashtë.
Gerti Bogdani është me ne. Në rast rreziku ikën me LSI.
Asllan Dogjani është me Doktorin, se ky ka mal tek fshati i vet dhe ka ku të shkojë në rast lufte.
Jorida Tabaku është me ne, se i kemi dhënë lejen e pallatit tek 9 katëshet, dhe si kemi marrë lekë.
Kaç Islami është me Doktorin dhe ka marrë përsipër t’i strehojë njerëzit në Mallakastër.
Ky Keltis Kruja ka shanse të jetë me ne, se ka gruan me Doktorin.
Arben Imami është me Doktorin, por po kërkon të shkojë në një rreth që ka tanke, se në Elbasan i kanë shkrirë.
Arbiola Halimi është me Doktorin, dhe ka premtuar se do verbojë me bukurinë e saj armikun dhe do ta gjunjëzojë.
Ed Selami nuk është as me Doktorin as me ne, por në kulm të luftës do zbresë me helikopter amerikan në Rogner të na pajtojë.
Albana Vokshi është me Doktorin, po me kusht që të shërbejë në prapavijë në luftë, ose tek guzhina, ose tek spitali partizan.
Ed Halimi është dakord me Doktorin, po qe se e vënë të jetë në gjyqin partizan, të kapë ndonjë lek.
Gent Strazimiri është me Doktorin, por ka pretendime të jetë komandat batalioni. Nëse nuk e vënë, ai mund të dalë i dëshpëruar para armikut dhe të vritet si Zaho Koka.
Oerd Bylykbashi është me Doktorin, por ka kërkuar të punojë si këshilltar juridik në luftë, për vendimet që mund të merren për pushkatimet.
Edmond Spaho është me Doktorin por kërkon mirëkuptimin tonë.
Ridvan Bode është me Doktorin, por ka kërkuar të mbajë llogaritë e luftës dhe të ketë Çim Hoxhën ndihmës.
Nga Shkodra me Doktorin është Jozefina. Ajo kërkon të jetë komisare batalioni, por ka shumë gjasa të kërkojë nga gjyqi partizan, pushkatimin tënd.
Nga Qarku i Vlorës Astrit Patozi është bërë me ne, dhe ka premtuar se është gati të na mbështesë të vrasim Doktorin në rast konflikti, me kusht që të mos e bëjmë hero më pas. Por ka hasur kundërshtime të deputetes Elmazi, që thotë Doktorin duhet ta bëjmë hero, pa e vrarë.
Të vetmin që nuk kam pyetur është deputeti i Gjirokastrës Genc Ruli. Ta pyes pak e të them.
-Pyete, i tha Luli, se qenka keq situata.
Pas pak Kunati mbaroi bisedën me Rulin.
-Ky Ruli thotë ka dy rrugë. E para është të bëhemi me Doktorin, me qëllim që ta nxisim të rrëmbejë armët, se pastaj e vret populli vet, e dyta të bëhemi me Lulin kundër Doktorit, se kështu mund ta vrasë Doktori, Lulin. Në të dyja rastet, PD shpëton.
-Unë mendoj të shikojmë variantin e pare, tha Luli!