Ditën e mërkurë dy ambasadorët kanë takimin me prindër me Partinë Demokratike. Dy ambasadorët kanë thirrur në takim nxënësit e grupit paralamentar dhe do t’i ballafaqojnë ata me “babain” e tyre, Doktorin, për t’u tërhequr vërejtje përse nuk i bëjnë si duhet detyrat në shkollë.
Kjo ka ngjallur shqetësim të madh tek Kunati, i cili nga një anë do që ambasadorët t’i heqin vërejtje Doktorit, por nga ana tjetër do që Doktori të mos e marrë vesh që Luli është pro reformës.
Për këtë Kunati I Lulit ka caktuar një skenar me listën e diskutantëve që do të flasin në takimin me prindër.
Të parin në listë ka caktuar Flamurin.
AI do ngrihet dhe do t’i drejtohet së pari ambasadorit Lu:
-Kam një fjalë me të si burrat, se me këto gratë nuk e kam zakon të merrem. Zoti ambasador, ngri kokën dhe më shiko në sy. E do apo jo reformën në drejtësi? Nëse e do reformën dhe nëse nuk ja ke me hile çatij burri aty (dhe tregon nga Doktori), e ke besën time. Nëse na e ke me hile, kurrë s’ke me e pas besën. Unë emrin e kam Flamur, d.m.th bajraktar i themi ne nga anët tona. Mos na turpëro. Na thuaj të vërtetën!
Pas Flamurit është llogaritur të ngrihet Jozi:
-Deshta të përshëndes zonjën Vlahutin për këtë angazhim, por deshta me i thanë asaj dhe gjithë diplomatëve se nuk do ishim në këtë situatë sikur të na kishit ndihmuar të mos iknim nga pushteti në vitin 2013. Po të ishim ne në pushtet, nuk do kish nevojë as për reformë në drejtësi, as për dekriminalizim, as për kurrgja. I tashë e bëtë gabimin e parë, mos e bëni dhe të dytin. Mos na shtini me votu ksi zhelesh që e quani reforma, vetëm se doni me forcu Lul Bashën kundër Doktorit. Kurr se kisha votu këtë zhele.
Pas Jozit fjalën do ta marrë Ed Halimi:
-Të nderuar ambasadorë. Siç kemi biseduar, ne jemi gati për reformën në drejtësi dhe kemi dy vjet që jemi gati. Kemi 29 kushtet tona, të cilat duhet të shikohen me seriozitet, pasi nëse nuk plotësohen ato kushte, atëhere reforma do të dështojë dhe do të realizohet qëllimi i Edi Ramës. Fakti që Edi Rama thotë e votoj reformën që sot, do të thotë se është reformë e bërë si do ai. Ndaj ju duhet të jeni të kujdesshëm me kushtet tona. Kemi dy vjet që luftojmë për këtë reformë dhe na duhet patjetër.
Në fund Kunati e ka menduar dhe fjalën e Doktorit, por për këtë nuk ka asnjë parashikim. E thirri Rulin dhe e pyeti se çfarë mund të thotë Doktori, nëse zhvillohet afërsisht ky skenar.
-Nuk e di biro çdo thotë, por është e sigurt se do dënojë bashkëpunëtorët e Edi Ramës në PD që duan të bëjnë një reformë pro Koços dhe Shullazit dhe do t’iu thotë ambasadorëve se rruga e vetme është një lëvizje popullore me armë në dorë për të zbuar Edi Ramën dhe pasaj për t’u ulur për të bërë reformën në drejtësi.
-Po kush janë bashkëpunëtorë të Edi Ramës, tha Kunati i trembur?
-Ju që bëni sikur doni reformën, tha Ruli, se Doktori është i sinqertë, nuk e do.