Partia Demokratike, me anë të deputetit Flamur Noka, akuzoi dje qeverinë se ka përgjuar opozitën, median dhe diplomatët e huaj, me një pajisje të sjellë në Shqipëri dhe të vënë në punë në mënyrë të paligjshme. “Prej ditësh është konstatuar se Tahiri mban një pajisje të paligjshme përgjimi, që duhet mbajtur vetëm me miratimin dhe autorizimin e Prokurorisë. Për çfarë e përdor Tahiri këtë pajisje? Pse i përgjon telefonatat kur krimi bën kërdinë? Kur baroni i drogës u arratis? Kë përgjon, kur shullazëve i shërben deri në fund?
Ai përgjon dhe regjistron telefonatat e rivalëve të bandave të tij; përgjon opozitën; përgjon ambasadorë të rëndësishëm dhe gazetarë të rëndësishëm”, tha Noka në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit.
Debatet për pajisjen përgjuese janë hapur, ndërsa nuk është mbyllur ende dosja e përgjimit të opozitës, mëse 5 vite më parë.
Atëherë, 2 ditë përpara masakrës së 21 janarit, ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami urdhëroi blerjen e pajisjeve speciale për strukturën e përgjimeve.
Brenda një dite, ai autorizoi ndërmarrjen MEICO-n të ministrisë për blerjen e pajisjeve speciale për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Snaiperë, automatikë, dylbi me rreze infra për të parë natën, pajisje regjistrimi video dhe audio, pajisje analoge transmetimi deri tek rrip përgjimi, janë pajisjet që Ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar të blihen para 21 janarit. I pari që foli për ekzistencën e informacioneve të klasifikuara në bazë të të cilave vërtetohej “puçi” kundër shtetit demokratik të Sali Berishës, ishte vetë ish-kryeministri Berisha.
Menjëherë, pas demostratës së 21 janarit, ku u vranë 4 persona, ish-kryeministri foli për informacione që dëshmonim për armatosjen e protestuesve me pistoleta, çadra, thika me helm dhe stilolapsa pistoletë, me anë të të cilave do të sulmonin institucionet. Berisha nuk tha nga vinte ky informacion, por një vit më pas, drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla, pranoi në një intervistë, se struktura që ai drejtonte kishte siguruar informacion për veprime të dhunshme në demonstratën e 21 janarit. Ai pohoi se Shërbimi Informativ Kombëtar nuk dispononte asnjë informacion të tillë dhe se i gjithë materiali ishte grumbulluar nga SHIU në rrugë ligjore. “Unë mendoj se informimi i SHIU-t për ngjarjen e 21 janarit është fillesa dhe arsyet e akuzave drejtuar SHIU-t.
Duke qenë se për këtë ngjarje është folur shumë, më lejoni që ta informoj opinionin publik me rolin dhe aktivitetin e SHIU-t lidhur me këtë ngjarje. Paraditen e 21 janarit, nga burimet e SHIU-t, jam informuar verbalisht se elementë të inkriminuar që do të merrnin pjesë në protestë, do të kryenin akte dhune ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe selisë së LSI-së. Këtë informacion, menjëherë e kam përcjellë te ministri i Mbrojtjes, i cili më autorizoi që këtë informacion ta ndaja me Shërbimin e Informativ të Shtetit. I kërkova takim drejtorit të SHISH-it dhe i bëra të ditur informacionin që kishim.
Nga ana e drejtorit të SHISH-it ky informacion nuk u mor parasysh, duke më thënë se “ne nuk kemi informacione apo indikacione që të vërtetojnë se do të ketë dhunë gjatë protestës”. Pas takimit me drejtorin e SHISH-it, kam informuar ministrin e Mbrojtjes për gjithçka bisedova dhe më tha drejtori i SHISH-it. Ajo që ndodhi më 21 janar 2011 vërtetoi informacionin e SHIU-t. Më lejoni që të theksoj se SHIU nuk është investuar në ngjarjet e 21 janarit. Informacioni i ardhur është rastësor nga burime njerëzore dhe me indikacione të qarta për përdorim dhune. Në këtë situatë dhe në zbatim të ligjit, këtë informacion ia kemi përcjellë ministrit të Mbrojtjes dhe e kemi ndarë me Shërbimin Informativ të Shtetit”- deklaronte ish-drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla.
Sipas opozitës, pajisja bazë e sistemit të përgjimit që ishte vendosur në njësinë e përgjimit në Shërbimin Informativ Ushtarak, brenda selisë së Ministrinë e Mbrojtjes, shumë pranë godinës së Partisë Socialiste, kishte kushtuar 1.6 milionë euro. Për shkak të largësisë, jo më shumë se 100 m nga selia qendrore e Partisë Socialiste, pajisja ishte e aftë të interceptonte, ridrejtonte, apo bllokonte thirrjet hyrëse dhe dalëse për personat që ndodheshin brenda kësaj rrezeje. Ish kreu i SHIU-t, Ylli Zyla, dha dorëheqjen pas skandaleve për trafikun e armëve dhe përgjimeve të opozitës të bërë nga strukturat që ai drejtonte.
Megjithëse kurrë nuk ka raportuar në parlament në lidhje me këto skandale, Zyla e ka motivuar dorëheqjen e tij si sakrificë për të ruajtur integritetin e institucionit që ai drejtonte. Ish-nënkryetari i komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, ishte ndër të parët që ngriti shqetësimin e përgjimit të deputetëve të opozitës dhe të diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë. Sipas ish-deputetit socialist, SHIU mbetej institucioni më hermetik dhe jashtë çdo kontrolli nga ana e Legjislativit. Ndonëse në bazë të ligjit “Për Shërbimin Informativ Ushtarak” thuhej se veprimtaria e SHIU-t kontrollohej nga Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet Komisionit Parlamentar, SHIU nuk jepte asnjë sqarim mbi burimet financiare.
SHIU: Imami përgjoi opozitën
Në qershor 2014 SHIU konfirmoi përdorimin e pajisjeve për të përgjuar opozitën dhe diplomatët e huaj në kohën kur ministër ishte Arben Imami. Numri dy i Shërbimeve Inteligjente Ushtarake, Eduard Bala, akuzoi opozitën, se kur ishte në qeveri ka përdorur infrastrukturën ushtarake për përgjime të jashtëligjshme. Sipas Balës pajisjet e blera për Ministrinë e Mbrojtjes ishin instaluar në sektorin e kundërzbulimit të brendshëm që në fokus ka individë të veçantë. “Janë blerë jashtë misionit, janë çuar teknikisht te kundërzbulimi i brendshëm, pse janë çuar aty, kur janë çuar nga Afganistani për terrorizëm, pse janë vendosur te kundërzbulimi dhe veçanërisht te pjesa që merren me ndjekjen e individë të caktuar.
Pra, të gjithë këto element janë element që i ngrita jo për të akuzuar, por për të treguar nevojën e ndryshimit dhe element krucial i ndryshimit është edhe ligji”, tha ai. Sipas Balës, pajisjet përgjuese të blera nga ministria e Mbrojtjes ishin instaluar në sektorin e kundërzbulimit të brendshëm, që në fokus ka individë të veçantë.
Ylli Zyla, ish-kreu i Shërbimeve Informative të Ushtrisë dhe më vonë ish-kreu i Policisë Ushtarake, u padit në Prokurorinë e Përgjithshme nga Ministria e Mbrojtjes, me dyshimet se shkeli ligjin si kreu i Shërbimit përgjatë blerjes së pajisjes së posaçme të përgjimit. Zyla u akuzua nga eksponentët e opozitës se në të vërtetë i shërbente me mbledhjen e informacioneve vetëm kryeministrit të atëhershëm, ndërsa më vonë u vu edhe nën shënjestrën e trafikut të armëve, trafik që, paçka se nuk u vërtetua asnjëherë, e detyroi të largohej nga posti i drejtuesit të SHIU-t.