Ministri i Financave Arben Ahmeaj i kërkoi sot Komisionit të Ekonomisë, ndryshimin e ligjit organik të buxhetit, që lidhet me reflektimin e financave të gjyqësorit.
Ahmetaj tha para Komisionit se “për sa i përket gjyqësorit, ne kemi dy komunikime të rëndësishme me Komisionin e nderuar. E para çështjen e financimit të gjyqësorit e zgjidh Reforma në Drejtësi dhe e dyta, ashtu sikurse kemi rënë dakord, parimi thelbësor i llogarisë së njësuar të Thesarit që janë të pacënueshme, i bëjnë ndryshimet zgjidhjen dhe alternativën më të mirë, edhe e referuar me standardin.”
Ahmetaj theksoi se “çështja e borxhit dhe çështja e rregullit fiskal në këtë ligj, në këto ndryshime, është mishëruar më së miri me parimin dhe me përpjekjen që bën mazhoranca dhe Qeveria për të ulur borxhin dhe për të krijuar një instrument disipline të vazhdueshme. Nuk ka pasur instrument të kësaj natyre dhe kur ka pasur, është kthyer. Tani e kemi në ligj, në Ligjin Organik të Buxhetit dhe garanton uljen e vazhdueshme të borxhit dhe gjithashtu, ka dhe instrumentin kundërciklik, që i jep mundësi qeverisë që të përballojë momente krizash apo të përshpejtojë uljen e borxhit në momente të përshpejtimit të rritjes ekonomike.
Më duhet të them edhe një element tjetër, me të drejtë, për shkak të nevojës dhe për shkak të momentit ku është Shqipëri, Qeveria me këtë ligj i vendos vetes kushte të rënda dhe diku -diku humbet dhe fleksibilitet në këmbim të shëndetshmërisë afatgjatë ekonomike, megjithatë ne jemi të bindur se ndryshimet e ligjit dhe ato komente dhe ndryshime që Komisioni ka sugjeruar, janë të shëndetshme dhe e përmirësojnë ligjin”.