Herald Kosta
Deri më sot, ajo që emërtohet rëndom ligji i dekriminalizimit, në formë dhe pasoja, ka pasur një diskurs vetëm politik. Thënë më thjesht, secila nga palët është bërë pjesë e një konkursi se kush ka më pak kriminelë në rradhët e saj. Pavarsisht termit romantik “dekriminalizim i politikës”, në thelb ligji 138/2015 përfaqëson një izolim të segmentëve të caktuara të shoqërisë (ish-kriminelëve) nga proçesi demokratik qeverisës, si votues ashtu dhe si të zgjedhur. Argumenti kyresor, në dukje i pranuar nga të dy anët e politikës, është se Shqipëria ka nevojë për elitën e jo për llumin në politikë. Ky lloj ushtrimi llogjik ka një problem në epistemologji, të cilin do t’a analizoj më poshtë. Nisur nga ky problem, ky shkrim do të vlerësojë nëse ligji 138/2015 dobëson dhe në ç’mënyrë proçeset demokratike.
Nga ana tjetër, e ndjej të nevojshme t’a them që në nisje se fakti që ky ligj apo një ligj tjetër mund të pengojë zhvillimin e një modeli ideal demokratik nuk e bën të papranueshëm apo të gabuar. Organizimet politike demokratike duhet të kujdesen dhe për aspekte të tjera veç proçedurës demokratike, si psh. stabilitieti, drejtësia apo siguria sociale. Sidoqoftë, një ligj që kufizon format demokratike duhet diskutuar për dobitë që sjell dhe nëse këto të fundit janë mjaftueshme për të kompensuar ndalesat dhe jo të kalohet si një ide e gjithëpranuar që sjell elitizmin në përfaqësim apo të kalohet me arsyetimin se ligje të ngjashme ekzistojnë në vende demokratike me kulturë ligjore e politike shumë të ndryshme nga vendi ynë. Pavarsisht se shkrimi nuk mund t’i jap përgjigje të fundme pyetjes nëse një ligj i ngjashëm është i nevojshëm në këtë kohë, ai do të tregojë që një diskutim më tërësor mbi këtë pikë është i domosdoshëm.
Për t’iu kthyer diskumit të paragrafit të parë, përveç faktit që është ofenduese që anëtarë të partive kryesore, e për më tepër përfaqësues në Kuvend, t’i referohen si “llum” një grupi jo aq të vogël të shoqërisë shqiptare (individë që kanë kryer mbi 6 muaj burg për krim me dashje këtu apo jashtë në një pikë të jetës së tyre), ka një problem në thelb të kësaj linje argumentimi. Kush e përcakton “llumin” e kush “elitën”? Përgjigjja që nënkuptohet është për opinionin publik apo popullor (që për kushedi ç’rrethana nuk kthehet në votë) një ish-dënuar nuk vlen sa personat e tjerë në shoqëri kur vjen fjala për të përfaqësuar shoqërinë politikisht.
Pyetja që shtroj është, “Pse të ndalemi këtu?” Me të njëjtin arsyetim, kërkojmë të eleminojmë nga kandidimi ata që marrin apo kanë marrë drogë apo alkol, ata që luajnë shpesh bixhoz, ata që s’kanë mbaruar studime të nivelit master apo të doktoratës, ata që analizat psikologjike mund t’i nxjerrin me çrregulime personaliteti si anti-socialë apo narcistë (shumë psikologë do shpreheshin që individë të tillë janë më të rrezikshëm se ish-kriminelët kur vjen puna për të udhëhequr). Pra në rrafshin e diskutimit ku ne do pranonim a priori që një ish-dënuar nuk vlen si i zgjedhur aq sa një i padënuar, mund të pranojmë në të njëjtën mënyrë që një profesor shkencash duhet të ketë prioritet për t’u zgjedhur përpara një individi të pashkolluar, sidomos nëse të fundit i pëlqen pak alkoli apo bixhozi, e ky prioritet duhet të sanksionohet. Ky lloj arsyetimi është shkatërrues për thelbin e demokracisë, dhe ka arsye pse demokracia mbahet si model, jo ideal, por superior ndaj këtyre formave të “meritokracisë”.
Po nis me të dytën pasi është më e lehtë për t’u shpjeguar. Për t’u qeverisur nga ata që e meritojnë, duhen zgjidhur dy çështje: i) cilat kushte duhen marrë parasysh për të matur meritën për të qeverisur (pa të shkuar kriminale, shkollimi, pasuria, gjenealogjia, konsumimi i lëndëve narkotike etj.)?; ii) kush dhe si vendos se në ç’shkallë një kandidat i përmbush këto kushte?. Duke qenë se deri më sot kërkimet për forma jete jashtëtokësore dhe hyjnore kanë rezultuar të pasuksesshme, duhet të pranojmë që këto çështje mund të përcaktohen vetëm nga organizime sociale me një hierarki të caktuar. Në demokraci vendos demosi, kurse në sisteme aristokratike, teokratike, monarkike, apo totalitare-ideologjike një grup më i ngushtë njerëzish. Historia tregon se zgjedhja e parë ka qenë superiore në terma të suksesit ekonomik e social. Sado “e pabesueshme” që mund t’i duket përkrahësve të meritokracisë, Hitleri, Stalini, apo Enveri, në retorikën e tyre, e kërkuan pushtetin jo për të shtypur të qeverisurit, po për të zgjidhur diferencën midis demokracisë e meritokracisë.
Pasi u diskutua pse modeli demokratik mbahet superior ndaj çdo modeli tjetër politik që vendos meritën përpara barazisë politike, dua të diskutoj pse limitimet imagjinare më lart, duke përfshirë dhe limitimet reale të ligjit 138/2015, bien ndesh me thelbin politik të demokracisë. Për këtë arsye do përqëndrohem te shpjegimi i termit, i cili vazhdimisht dhe gjerësisht, sidomos në Shqipëri, është barasvlerësuar gabimisht me doktrinat e liberalizmit, kapitalizmit, të ndarjes së pushteteve e shumicën e ideologjive që në kohën e komunizmit konsideroheshin si armiqësore.
Demokracia (demos + kratia) nuk nënkupton ekzaktësisht qeverisje nga populli, ku populli përfshin të gjithë qytetarët. Demos, në Athinën e Lashtë, ishte termi që përdorej për “popullin politik”, pra për meshkujt e lirë në moshë madhore me një pasuri minimale të caktuar. Në këtë dritë është e gabuar të arsyetohet, si bëhet rëndom, që në Athinë qeverisja nuk ishte demokratike, pasi përjashtonin skllevërit, femrat, meshkujt pa pronë, apo fëmijët. Athinasit pranonin si demos një grup të caktuar njerëzish, dhe ky grup kishte të drejta të barabarta politike dhe si do e tregoj më vonë ky kusht është i mjaftueshëm për praninë e një rendi demokratik (nësë athinasit do donin një qeverisje nga të gjithë njerëzit do përdornin termin antropokraci).
Pas 2600 viteve, koncepti i demosit në shtetet moderne ka ndryshuar rrënjësisht nga ai i modelit athinjot, ndaj do të ishte llogjikisht e saktë që ligji 138/2015 të gjykohej jo kundrejt idealeve të demokracisë në lashtësi, po kundrejt diskutimeve moderne mbi demokracinë. Duke parë morinë e teorive mbi natyrën e demokracisë, do zgjedh t’i referohem në këtë shkrim asaj të Robert A. Dahl në studimin “Demokracia dhe Kritikët e Saj”. E bëj një zgjedhje e tillë pasi Dahl, ish politolog dhe profesor në Universitetin “Yale” në SHBA, është me shumë mundësi studiesi më pjellor dhe i vlerësuar i shekullit XX në fushën e teorisë së demokracisë. Në librin e sipërpërmendur, Dahl jep versionin e tij përfundimtar mbi kushtet që e kthejnë mënyrën e organizimit të një shoqërie në demokraci.
Ai e ndërton teorinë e demokracisë moderne (apo demokracisë proçeduriale si e emërton Dahl) duke i dhënë përgjigjje dy pyetjeve: i) cilat janë kushtet që e bëjnë një shoqëri demokratike në raport me demosin e saj? ii) cilat janë kushtet që mund të përjashtojnë një anëtar të shoqërisë nga demosi?. Për përkufizim, anëtar i shoqërisë do të emërohet çdo individ mbi të cilin veprojnë rregullat e shoqërisë, të cilat duhet të ekzistojnë pasi është tautologjike që çdo organizim social të ketë rregulla të caktuara. Për t’u kthyer te pyetja i), sipas Dahl, një grupim (mund të jenë qytetarët e një shteti, aksionerët e një korporate, Senati Intergalaktik në “Star Wars”) është demokratik në raport me demosin e tij nëse mbështetet në 4 principet e mëposhtme.
Kushti i parë është ai i barazisë politike. Në fazën finale të vendimit (atë të votimit) për rregullat apo përfaqësuesit e grupit, vota e çdo anëtari të demosit duhet të ketë të njëjtën vlerë. Pika e dytë lidhet me pjesëmarrjen efektive. Secili nga anëtarët duhet të ketë mundësi të barabarta dhe kushtet e duhura për të thënë fjalën e tij në vendimmarrje. Principi i tretë përfshin të drejtën e informacionit. Pavarësisht se në demokraci, ashtu si u tha më lart, ajo që vendos demosi konsiderohet automatikisht si rruga e duhur, një demos i mirëinformuar për çështjet që vendos është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e proçesit të vendimmarrjes. Kushti i fundit ka të bëjë me kontrollin e plotë të programit politik nga demosi. Supozojmë që në një shtet të caktuar një person i vetëm merr vendime për politikat e jashtme, ekonomike, sociale e të tjerat. Ndërkohë, rregullat e trafikut përcaktohen nga qytetarët e tjerë sipas një proçedure që respekton tre kushtet e mësipërme. A do ishte kjo një shoqëri demokratike? Sigurisht që jo, ndaj në një organizim demokratik i vetmi që përcakton programin politik, se cilat çështje duhen deleguar e cilat jo, është demosi. Këto katër principe i përgjigjen pyetjes së parë të paragrafit të mësipërm se si duhet organizuar një shoqëri për të qenë demokratike në raport me demosin e saj. Në këtë aspekt, athinasit në kohën e Solonit apo Perikliut kishin një organizim pothuaj ideal demokratik. Sidoqoftë, në kushtet e sotme, ku liria e çdo individi dhe barazia gjinore merren si pohime të patjetërsueshme, një model i tillë as mund të mendohet si demokratik.
Për këtë arsye, Dahl shtron si problem të dytë gjithpërfshirjen e shoqërisë në demos. Kush duhet të përfshihet e kush mund të përjashtohet nga demosi nga anëtarët e shoqërisë ne fjalë? Një princip absolut mund të thotë se të gjithë anëtarët e shoqërisë (ata mbi të cilët forcohen rregullat e kësaj shoqërie) duhen përfshirë në demos. Dahl e hedh poshtë këtë princip duke argumentuar se fëmijët (kujtdo që ligjërisht i njihet një pezullim ose lehtësim i sanksioneve në rast thyerje të rregullave) dhe anëtarët e përkohshëm (psh. turistët, të cilët megjithëse duhet të zbatojnë rregullat e shoqërisë në vendin ku janë, nuk mund të kenë të drejtë vendimmarrje) nuk mund të përfshihen në demos. Teoria që të drejtën për të qenë pjesë e demosit e kanë vetëm anëtarët rritur e të përhershëm të shoqërisë nuk para has debat. Sidoqoftë pas kësaj autori përballët me një çështje delikate që ka të bëjë me përjashtimin një grupi mes anëtarëve të përhershëm e të rritur për mungesë kompetencash gjykimi, ose me fjalë të thjeshta për paaftësi mendore. Duke qenë se ndarja në këtë pjesë nuk është aq e qartë sa ato më lart e mund të abuzohet, Dahl vendos dy kushte të qarta që lejojnë përjashtimin nga demosi për paaftësi arsyetimi. Le të themi që personi A dhe personi B janë të dy të rritur dhe anëtarë të përhershëm të demosit X. Nëse A është pjesë e demosit, B mund të mos jetë pjesë e demosit nëse dhe vetëm nëse A e kupton të mirën e B më mirë se ai vetë dhe A kujdeset për interesin e B si të ishte i veti. Ky lloj përcaktimi lejon heqjen nga trupa politike e njerëzve me paaftësi mendore, pa rrezikuar nxjerrjen e individëve të tjerë me anë të ndonjë arsyetimi me bazë meritokratike sipas aftësive individuale kognitive.
Pasi shpalosa të plotë teorinë e Dahl për demokracinë ideale, në pjesën e mbetur, shkrimi analizon si ligji 138/2015 përthyen konturet e proçedurave demokratike. Sipas teorisë së sipërpërmendur ky ligj do të kufizonte në të njëjtën kohë demosin dhe proçesin demokratik përkundrejt demosit të përcaktuar më parë.
Përsa i përket limitimit të demosit (e cila nuk ka pasur asnjë lloj diskutimi publik), pika 4 e nenit 2 të ligjit 138/2015 parashikon që “Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore personat që plotësojnë kushtet e parashikuara [dënuar për] shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni”. Në pikën 1a) përfshihen pothuaj 50 vepra penale duke filluar nga krimet kundër njeriut e duke vazhduar me krimet kundër jetës, kundër pasurisë, seksuale e të tjera, ndërsa në pikën 1b) bëjnë pjesë rreth 10 shkelje penale, të lidhura me korrupsionin pasiv, aktiv dhe shpërdorimin e detyrës. Sipas teorisë së Dahl, këtyre të dënuarve e drejta e votës mund t’i hiqej vetëm nëse burgu do t’i limitonte aftësitë për të kuptuar të mirën ndaj vetes. Duke qenë se ky nuk është rasti, atëherë ligji 138/2015 e bën demosin më ekskluziv duke limituar demokracinë në Shqipëri.
Një ligj i këtij tipi nuk është pa precedentë. Përjashtimi i kriminelëve nga populli politik është një fenomen që daton në periudhën e qytetërimit klasik. Një individ që dëmtonte apo mund të dëmtonte komunitetin, kryesisht me anë të akuzës së tradhtisë, përjashtohej nga vendimmarrja politike përjetësisht (vdekje civike). Kjo traditë u përqafua më pas nga shumë shoqëri e sidomos nga ish- kolonitë britanike. Sot, në 20 vendet më demokratike në botë, të ashtuquajturat “demokraci të plota” nga “The Economist”, vetëm 4 kanë limitime të demosit për këtë arsye: Zelanda e Re, Australia, Britania e Madhe dhe SHBA. Kësaj liste mund t’i shtoheshin Malta, Luksemburgu dhe Hollanda, por rregullat për të hequr të drejtën e votës së kriminelëve në këto vende janë aq komplekse sa nuk do të ishte tërësisht e saktë të përfshiheshin në listë. Pra edhe sot, demokracitë moderne me të tilla pengesa janë më së shumti vendet e Komënuelthit, të cilat kanë një kulturë dhe histori politike pa shumë pika takimi me ato të Shqipërisë.
SHBA ka përafrimin më të ashpër në këtë drejtim dhe vetë kryetari i opozitës pranoi se ligji 138/2015 ishte modeluar në mënyrë të ngjashme me legjislacionin amerikan. Seksioni II i Amendamentit XIV i Kushtetutës së SHBA, i kaluar në 1868 pas Luftës Civile, lejon heqjen e të drejtës së votës “tradhëtarëve apo kriminelëve të tjerë”. Kjo proçedurë u la në fuqi nga Gjykata Supreme në 1974, në çështjen Richardson v. Ramirez. Sidoqoftë pretendimi, se Kushtetuta amerikane mund t’i japë, e vetme, një mbrojtje morale e demokratike kalimit të një ligji të tillë, është i tepruar për tre motive.
Si fillim, Amendamenti XIV lejon heqjen e të drejtës së votës për krime të rënda (felony), por nuk e detyron atë. Secili nga 50 shtetet ka legjislacion të veçantë në këtë pjesë, ku shtete si Maine dhe Vermont nuk parashikojnë asnjë lloj penalizimi, ndërsa shtete si Alabama apo Arizona parashikojnë deri dhe heqjen përjetë të kësaj të drejte për krime të caktuara.
Pikë së dyti, ashtu si e drejta e armatosjes, dënimi me vdekje, martesat homoseksuale etj, ky lloj legjislacioni ka paraqitur për një kohë të gjatë një fushë debati midis principeve liberale e konservatore, ku vitet e fundit heqja e të drejtës së votës ka ardhur duke u ulur. Vetë presidenti Obama ka qenë pjesë e “avokatëve” të të drejtës universale të votës e kundër këtyre pengesave.
Pikë së treti, Kushtetuta e Amerikës është një dokument historik mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, por ngelet një prodhim intelektual i shekullit XVIII (1789), i ndryshuar relativisht pak dhe në të njëjtën frymë në vitet në vazhdim. Kushtetuta e Amerikës u hartua nën ndikimin e shkrimeve të John Locke dheThomas Jefferson. Të dy ishin intelektualë të shquar të kohës, por është e kuptueshme që nuk kishin konceptet e sotme mbi qeverisjen demokratike. “Etërit Themelues” ishin të dashuruar me epokën republikane të Romës së lashtë dhe shqetësoheshin për ndërtimin e një shteti me balancë pushtetesh, ku mund të shmangej ngritja e një “Ҫezari” të vetëm. Gjithëpërfshirja në qeverisje shikohej me mosbesim, pasi sipas ideatorëve të Kushtetutës, turmat e paedukuara mund të sillnin në pushtet tiranë. Me fjalë të thjeshta, Kushtetuta e 1789 garantonte të drejtat e një grupi të caktuar njerëzish duke i dhënë dokumentit më shumë një frymë aristokratike. Është fakt që në asnjë pjesë të Kushtetutës përmendet fjala demokraci dhe është fakt që Jefferson, Locke, Madison etj. ishin në favor të diskriminimit racial dhe skllavërisë. Sidoqoftë, është gjithashtu fakt që SHBA është sot një demokraci funksionale për shkak se Kushtetuta e saj vepron në një kontekts të caktuar institucional e në një vend me një kulturë të veçantë politike. Nga ana tjetër, të tentosh të adoptosh gërmë për gërmë amendamente të caktuara nga kjo Kushtetutë (Amendamenti II për armët si u tha para pak kohësh e Amendamenti XIV për heqjen e të drejtës së votës) në hapësirën politike shqiptare, është pothuaj aq e llogjikshme sa të përdorësh mermerin e Koloseut në Romë për stadiumin e ri të futbollit në Tiranë.
Pjesa tjetër e ligjit, e vetmja e diskutuar në publik, ka të bëjë me kufizimin e ish-të dënuarve për t’u zgjedhur. Në fakt, vetë Kushtetuta e Shqipërisë është relativisht e ashpër në këtë drejtim, pasi pika 3 e nenit 45 ndalon kandidimin e kujtdo që po vuan dënimin me heqje lirie në një moment të caktuar. Ligji 138/2015 i shton këto kufizime, duke ndaluar kandidimin për gjithë jetën për individë të dënuar brenda apo jashtë Shqipërisë për shkelje të pikës 1a) së nenit 2 (të shpjeguara më lart), për 20 vjet pas kryerjes së dënimit për ata të dënuar për shkelje të pikës 1b), për 10 vjet pas kryerjes së dënimit për ata të dënuar me mbi 2 vjet për krime që nuk përfshihen në pikat 1a) dhe 1b), dhe deri në momentin e rehabilitimit për ata të dënuar me mbi 6 muaj për krime që nuk përfshihen në pikat 1a) dhe 1b). Në ndryshim nga limitimet mbi votuesit, kufizimet mbi ata që lejohen të zgjidhen nuk prekin gjithëpërfshirjen në demos, por demokracinë në raport me një demos të paracaktuar. Sipas Dahl, kushti i parë që një organizim politik duhet të plotësojë për të qenë demokratik në raport me demosin e tij është ai i barazisë politikë, ku aksionet politike të çdo anëtari vlejnë njësoj. Nëse një ligj limiton hapësirën ku këto aksione politike mund të përdoren apo dhe më keq të ketë fuqi prapavepruese mbi aksione politike që janë përdorur, ky i fundit domosdoshmërisht prek barazinë politike të demosit. Me fjalë të thjeshta ligji nuk pengon vetëm disa kategori individësh për të kandiduar, por edhe një grup zgjedhësish për të zgjedhur atë që duan. Në këtë dritë, nëse ata që protestuan për Roshin ishin punonjës bashkie, anëtarë partie, familjarë, ish-kriminelë apo të tretë që vlerësonin punën e kryebashkiakut të tyrë ka pak rëndësi. Secila nga këto kategori ka lirinë e zgjedhjes si pjesë e demosit dhe limitimi i kësaj lirie është një kufizim në proçedurën demokratike të një vendi.
Ndalimi i të dënuarve apo ish të dënuarve për të kandiduar është një fenomen legjislativ më i rrallë sesa ndalimi i të dënuarve për të votuar. Për hir të këtij krahasimi, po ndalem sërish te Kushtetuta amerikane, që ndryshe nga sa u tha për Seksionin II të Amendamentit XIV nuk sanksionon asnjë lloj kufizimi për kandidimin e të dënuarve apo ish-të dënuarve në poste politike federale, duke përfshirë dhe detyrën e presidentit. Në fakt, në zgjedhjet e 2004 (ku fitoi George W. Bush për herë të dytë), Partia Paqe dhe Drejtësi (PFP) kandidoi Leonard Peltier, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm në 1977 për vrasjen e dy agjentëve të FBI. Peltier, ish-aktivist i njohur i amerikanëve indigjenë, arriti të futej në listën e Kalifornias dhe të merrte mbi 27.000 vota ose 0.2% të votave të këtij shteti.
Ligji italian i 6 nëntorit 2012, nr. 190, i quajtur dhe ligji Severino, parashikon ndalime të ngjashme me ligjjin 138/2015 për kandidimin e ish-të dënuarve. Për më tepër, në një intervistë në Top Channel, Antonio Gullo, një nga hartuesit e ligjit në Itali, pranoi se ishte kontaktuar nga qeveria shqiptare për konsulencë në adoptimin e një ligji të ngjashëm në Shqipëri. Kufizimet për kandidatët në Itali ishin pjesë e një pakete ligjore për luftën ndaj korrupsionit dhe mafies në politikë e administratë, ndaj theksi i ligjit Severino është kryesisht te vepra si korrupsioni aktiv, pasiv, shpërdorimi i detyrës dhe krimi organizuar, megjithëse ai penalizon të gjithë të dënuarit me mbi 2 vjet burg. Nga ana tjetër, ligji 138/2015, pavarsisht se i përfshin në pikën 1b) të nenit 2 këto shkelje, i konsideron në njëfarë mënyre inferiore në krahasim me shkeljet e pikës 1a) sepse sipas nenit 4, shkelësit e pikës 1a) penalizohen për gjithë jetën, ndërsa ata të pikës 1b) për 20 vjet pas kryerjes së dënimit. Për të marrë një shembull, një individ i dënuar për korrupsion pasiv apo shpërdorim detyre, 20 vjet pas kryerjes së dënimit ka të drejtë të zgjidhet në poste politike apo të emërohet në administratën publike. Kjo do të thotë që kushdo që dënohet për korrupsion para moshës 40-45 ka mundësi të jetë sërish aktiv në politikë apo administratë, duke parë që politikanë në moshë të madhe kanë mbajtur e mbajnë në poste të rëndësishme në Shqipëri. Nga ana tjetër, një individ i dënuar për një nga veprat e parashikuara nga pika 1a), të themi për incest (neni 106 i Kodit Penal) nuk lejohet të kandidojë më. Në këtë dritë, ndryshe nga ligji Severino, ligji 138/2015 nuk duket të ketë objektiv primar goditjen e korrupsionit në politikë.
Si përfundim, ky shkrim provoi se ligji i “dekriminalizimit” është anti-demokratik në të paktën dy fusha, të limitimit të demosit dhe të dëmtimit të barazisë politike midis anëtarëve të demosit. Si u tha në fillim, një ligj jo demokratik nuk është domosdoshmërisht i papranueshëm në një republikë demokratike (psh. ligjet që caktojnë kuota në parlament për grupe të caktuara janë jo demokratikë), por përparësitë e tij duhen shpalosur me detaje për të ligjëruar efektin negativ që shkaktohet në përfaqësim. Ky shkrim hodhi poshtë argumentin e promovimit të elitave, pasi ai nuk godet aspekte të demokracisë, por e eleminon këtë të fundit si koncept. Gjithashtu, shkrimi iu përgjigj argumentit të adoptimit të modelit amerikan apo italian duke treguar sesi ndryshimet në kontekst dhe në ligj nuk lejojnë që justifikimet e përdorura në këto legjislatura të jenë të huazueshme në rastin tonë. Për t’a mbyllur, përpara se të kalohen ligje të tilla është e nevojshme që të ketë një diskutim më të gjerë politik për kushtet që shtyjnë në kalimin e ligjeve anti-demokratike e jo të trajtohen si çështje morali “bardh e zi”. Në mungesë të këtyre kushteve apo sqarimeve përkatëse, pavarsisht se vetë nuk do të votoja një ish-të dënuar, do t’a mbështesja protestën e banorëve të Kavajës me shprehjen e Voltaire, të modifikuar, “E kundërshtoj fort zgjedhjen tuaj, po do e mbroja deri në vdekje të drejtën tuaj për t’a bërë.”
Bibliografia
Dahl, Robert. Democracy and Its Critics (Demokracia dhe Kritiket e Saj). N.p.: Yale University Press, 1989. Print.
“Democracy Index 2015 (Indeksi i Demokracise 2015).” The Economist . Print.
Kuvendi i Republikes se Shqiperise, Kodi Penal i Republikes se Shqiperise (i perditesuar)., 1995. Web.
Kuvendi i Republikes se Shqiperise, Ligj. Nr. 138/2015., 2015. Web.
ProCon.org. Ed. State Felon Voting Laws., 2016. Web.
Po pate pare,pasuri ben ligjin.
Kjo eshte bota kapitaliste sot..
Juve intelektualeve do t’ju mbajme qe te bindni “demon” se ne e meritojme.
Hajde demo..
Jepi demo..
E holle …e gjate..
Zoti KOSTA ,Keni bere nje shkrim ,ose artikull , qe pa diskutim jeni edhe lodhur , Dhe sinqerisht rrespekt nga une personalisht .. Por kur nga te gjithe partite , deputete e ministra, dje dhe sot , , sidomos nga PD , ka ish spiuna te diktatures komuniste , bile me shumice ,si i behet hallit. Keta nuk kane bere burg , Zoti KOSTA, as jashte shtetit, e as brenda shtetit.. Jam ne pritje te nje sqarimi te juaj Zoti Kosta , ju faleminderit per mirekuptimin.
Pse nuk e keni dhene komentin tim . Te dy ministrat e brendshem te Saliut nga 92 e deri 96 kane qene ne tehqe, Musarai dhe Shamata ., . Ju faleminderit , moderatorit e shume faleminderit . PS kete te fundit mos e jepni ketu.