Ka përfunduar sot rishikimi i tetë i programit të qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Ministri i Finanacve Arben Ahmetaj u shpreh në Konferencën e përbashkët për shtyp se bisedimet në kuadër të rishikimit të tetë të programit u fokusuan kryesisht tek në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik dhe në adresimin e risqeve, që mund të hasim në të ardhmen.
“Ne ndajmë qendrimin e përbashkët me FMN se ekonomia në tërësi ka një përshpejtim të ritmeve të saj të rritjes, veçanërisht e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe nga investimet e huaja direkte. Të dhënat dëshmojmë se përshpejtimi i rritjes ekonomike ka gjeneruar punësim të konsiderueshëm në vend. Këtë e konfirmoi edhe INSTAT, me të dhënat e fundit mbi punësimin, rritjen e forcave të punës dhe uljen e papunësisë” – tha Ministri në fjalën e tij.
Referuar përformancës fiskale dhe përmbushjes së kritereve sasiorë të performancës sic përcaktohet në program, Ministri i Financave u shpreh se: “performanca e të ardhurave në buxhet në 5-mujorin e parë të të vitit 2016, kanë qenë në përputhje me pritshmëritë tona. Për më tepër të ardhurat tatimore, doganore dhe nga fondet speciale, të cilat kanë impakt direkt në deficit, kanë performuar më mirë se sa plani respektiv. Konkretisht, të ardhurat tatimore dhe doganore kanë qenë 1.9% më shumë se plani ose 12.1 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2015, pra kemi mbledhur gati 120 mln USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat nga fondet speciale janë 3.9% më shumë se sa plani ose 13.4% më shumë se viti 2015, me fonde speciale kemi mbledhur gati 4 miliardë lekë më shumë se njëjta periudhë e vitit të kaluar (në terma dollarë janë 40 mln USD), çka tregon një eficencë të përmirësuar dhe reflekton përgjegjshmërinë e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave në menaxhimin e financave publike” – tha Ahmetaj.
Shefja e Misionit të FMN Anita Tuladhar tha se “ekipi i Fondit pret që rimëkëmbja ekonomike të forcohet, duke parashikuar që, për vitin 2016, rritja e PBB-së të arrijë në 3.4 për qind, mbështetur nga një fluks i madh investimesh të huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjitik dhe rritje graduale e kërkesës së brendshme”.
“Buxheti i vitit 2016 synon të arrijë një sufiçit primar prej 0,3 për qind të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet ishin në përputhje me objektivat e vendosura gjatë pesë muajve të parë të vitit 2016, pavarësisht çmimeve jo të qëndrueshme të naftës dhe inflacionit të ulët, duke reflektuar pjesërisht rezultatet e para të përpjekjeve të qeverisë për përmirësimin e të ardhurave nga tatimet. Për të siguruar një konsolidim të vazhdueshëm fiskal, do të jenë me rëndësi përpjekjet për zgjerimin e bazës tatimore si edhe forcimi i administratës tatimore” – theksoi Tuladhar.
Kurse për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko “treguesit e shëndetit të sektorit bankar kanë ardhur në përmirësim, në përgjigje të gjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe të masave të tjera të marra nga autoritetet shqiptare. Treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit mbeten në parametra të mirë, ndërsa niveli i kredive me probleme – pavarësisht luhatjeve – është vendosur nën kontroll.
Misioni i FMN vizitoi Tiranën gjatë periudhës 15–28 qershor 2016 për bisedimet me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë. Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e tetë në gusht 2016. Aprovimi i shqyrtimit do të mundësojë lëvrimin e 28,65 milion SDR (rreth 35,94 milion euro).