Pas paraqitjeve fantastike me Vaduzin në Superligën zvicerane dhe me Kombëtaren shqiptare në Kampionatin Europian, Armando Sadiku ka tërhequr vëmendjen e klubeve nga ligat më të rëndësishme në kontinent.
Por, Dino Lamberti, menaxheri i sulmuesit shqiptar, konfirmoi për mediat zvicerane se kuqeziu është praktikisht peng i klubit të Zurich. Sadiku nuk preferon të kthehet për të luajtur te skuadra që në merkaton e janarit e largoi si të panevojshëm, për më tepër në Kategorinë e Dytë zvicerane.
Megjithatë, me rritjen e interesit për Sadikun, drejtuesit e Zurich vazhdojnë të kërkojnë shifra të larta për kartonin e shqiptarit. Pasi e përcaktuan fillimisht çmimin në 7,5 milionë euro, tashmë pretendimi është rritur në 8,7 milionë euro, ose e thënë ndryshe 9,5 milionë franga zvicerane.
Mexhaneri Lamberti tha se po diskuton me klubin për të gjetur një zgjidhje që i kënaq të gjitha palët, megjithatë shifra e pretenduar për golashënuesin e Shqipërisë në fitoren historike në Kampionatin Europian është jashtë çdo logjike, duke treguar se Zurich nuk dëshiron ta largojë.
Vetëm ulja e pretendimeve financiare nga klubi mund të bëjë që sulmuesi të vazhdojë karrierën larg Zvicrës, me ofertat nga Premier League angleze, Bundesliga gjermane dhe Seria A italiane që nuk kanë munguar.
Menaxheri zbuloi gjithashtu se nga Superliga turke janë gati të paguajnë 2 milionë euro për futbollistin kuqezi, pa zbuluar emrin e skuadrës. E ndërsa Sadiku vazhdon pushimet e merituara pas Euro 2016, merkato rreth tij pritet të jetë mjaft e nxehtë deri në fundin e kësaj vere./ SS
Pra. pasi lexon shkrimin kupton se asnje oferte nuk ka per Sadikun ashtu sic nuk ka asnje oferte per asnje futbollist te kombetares tone.
Ka vetem qejfberje te gazetareve shqiptare, te cilet harrojne cfare kane shkruajtur nje dite me pare dhe prrallisin diten tjeter.