Presidenti nga populli, flet Selami: Pse firmosa me Blushin

30 Qershor 2016, 08:24Politika TEMA

Amendamenti kushtetues është firmosur edhe nga deputeti demokrat, ish-kryetar i kësaj partie, Eduard Selami. Ai thotë se e ka mbështetur nismën e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit për shkak se ka qenë që herët i mendimit se kreu i shtetit duhet të dalë si vullnet i popullit.

Ndonëse firma e Selamit në mbështetje të nismës së propozuar nga Blushi e Hafizi është komentuar gjatë, për deputetin e PD-së asgjë jashtë normales nuk ka në këtë vendimmarrje.

Selami sqaron për “Panoramën” se propozimi për zgjedhjen e presidentit të Republikës me votë të drejtpërdrejtë nga populli ka qenë një propozim i hershëm i tij, i cili gjendet i pasqyruar edhe në deklaratat e tij politike.

Për ish-kreun e PD-së, kalimi i kompetencave për zgjedhjen e Presidentit sovranit, do të ishte një e mirë që ky Parlament do t’i bënte demokracisë.

“Unë gjithmonë kam qenë për zgjedhjen e Presidentit nga populli.

Nëse u referoheni deklarimeve të mia publike lidhur me këtë çështje, do të shikoni se unë kam pasur gjithmonë të njëjtin qëndrim. Në vlerësimin tim, sa më shumë pjesëmarrje të ketë nga sovrani, aq më mirë i bën demokracisë”, mbyll reagimin e tij Selami.

Janë 10 deputetë që kanë propozuar draftin për zgjedhjen e Presidentit nga populli, ndërsa pritet që ai të mbështetet dhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë. Propozuesit kërkojnë që krahas paketës së ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, të përfshihet dhe një propozim i bërë që në 2007-n, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës direkt nga populli.

Kandidati për President duhet të mbështetet së paku nga një parti politike e përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë ose nga 10.000 shtetas me të drejtë vote.

Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij; Konsiderohet i zgjedhur si President i

Republikës kandidati që ka marrë më shumë se gjysmën e të gjitha votave të vlefshme.

Nëse asnjë prej kandidatëve nuk ka marrë një shumicë të tillë, brenda 2 javëve nga votimi i parë, mbahet një votim i dytë midis kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e parë.

Zgjidhet President i Republikës kandidati që në votimin e dytë merr numrin më të madh të votave; Gjykata Kushtetuese bën verifikimin e rezultatit të zgjedhjes së Presidentit”, thuhet në draftin e përgatitur nga 10 deputetët.

 

1 komente në “Presidenti nga populli, flet Selami: Pse firmosa me Blushin”

  1. aron says:

    Kjo eshte nje nisme politike mjaft e rendessishme, por qe ne parlamentin tone nuk e marin seriozisht, per aq kohe sa nuk ka dale nga zoti Berisha apo zoti Rama. Sidoqofte, ju zoti Selami, qe nismat t;ju marin vlere, ju del per detyre te beni nja dy rrahje te vogla ne parlament, per ti treguar Palokes, Topallit Strazimirit dhe Mul Nokes se jeni ashtu sic e kerkon PD te jeni. Po qe se I fut nja dy dacka Erion Braces, kjo kishte per tu trajtuar me nje respect te vecante dhe do te linte mbresa te thella ne radhet e PD.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje