Reagon policia: Nuk ka asnjë raport sekret italian apo gjerman për drogën

17 Gusht 2016, 14:38Kronika TEMA

Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të PD dhe shkrimeve në mediat e saj, se ka një raport sekret italian dhe gjerman për drogën e mbjellë në Shqipëri.

Sipas policisë, në fakt nuk ka asnjë raport sekret.

Deklarata e plotë:

Referuar disa njoftimeve në media si dhe disa deklaratave të ndonjë subjekti politik lidhur me ekzistencën e një raporti sekret për kultivimin e kanabisit në Shqipëri, bëjmë me dije opinionin publik se nuk ka ekzistuar e nuk ekziston asnjë raport sekret apo i çdo natyre tjetër nga asnjë prej agjencive partnere ligjzbatuese lidhur me këtë çështje.

Bashkëpunimi i Policisë Shqiptare me partnerët është i shkëlqyer, e falë shkëmbimit intensiv të informacionit janë arritur rezultate pozitive të pakrahasueshme më të kaluarën.

Bashkëpunimi konkret me partnerët Italianë, si dhe angazhimi i Policisë në shkatërrimin e çdo parcelë të evidentuar, ka shënuar intensifikim maksimal vitet e fundit.

Është kjo arsyeja që është rritur eficienca e Policisë së Shtetit në identifikimin e kultivimit dhe shkatërrimit të narkotikëve.

Lajme të shpikura për raporte sekrete, jo vetëm synojnë denigrimin e punës së Policisë, por synojnë gjithashtu dëmtimin e punës së përbashkët të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë, çka ndikon edhe në dëmtimin e imazhit të vendit.

Policia e Shtetit fton mediat që për çdo çështje për të cilën kërkohet informacion nga Policia e Shtetit, të interesohen pranë burimeve zyrtare të saj, duke u garantuar transparencë të plotë e gatishmërinë e strukturave për të respektuar legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit.

Gjthashtu, Policia e Shtetit fton çdo subjekt politik të ndalë akuzat ndaj Policisë dhe punës së saj.

Sulmi ndaj Policisë i bën nder vetëm krimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje