
Vrasja e shqiptarit Pëllumb Marnikolli ka vënë në lëvizje edhe institucionin e Presidentit, i cili ka filluar angazhimin përmes kontakteve me familjarët dhe organet ligjzbatuese.
Përmes një deklarate Presidenca njofton se kanë marrë kontakte me familjarët e viktimës në lidhje me ngjarjen, ndërsa bëhet me dije se për këtë çështje Nishani do të thërrasë në takim edhe Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani.
“Në këtë kuadër, përfaqësuesi i Kabinetit të Presidentit të Republikës ka kontaktuar dhe marrë takim me familjarë të të ndjerit ku ka përcjellë ngushëllimet më të ndjera të Kreut të Shtetit për humbjen e jetës së të dashurit të tyre.
Në këtë takim, familjarët e të ndjerit kanë informuar mbi dijeninë e tyre rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur në një komisariat të policisë në Athinë dhe kanë kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarje.
Në këtë kontekst, përfaqësuesi i Kabinetit shprehu angazhimin institucional të Kreut të Shtetit për të ndjekur me seriozitet dhe në vijimësi hetimin e kësaj çështje pranë autoriteteve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Presidencës.