Nga 1 janari 2017 transporti ndërqytetës vetëm me autobus, ja kriteret për licencat dhe mjetet

24 Gusht 2016, 09:42Sociale TEMA

Që nga 1 janari i vitit që vjen transporti nga një qytet në tjetrin do të bëhet vetëm me autobuz me dhe me orare të përcaktuara paraprakisht.

Ministria e Transportit ka lëshuar një udhëzim nëpërmjet të cilit sqarohet se si do të funksionojë transporti ndërqytetës nga 2017-a.

Në udhëzim është përcaktuar që periudha e vlefshmërisë së një licence që lëshohet në emër të shoqërisë së transportit është 10 vjet dhe është e patjetërsueshme dhe e patransferueshme.

Për shërbimin e rregullt në transportin qytetës të udhëtarëve me autobus, lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti, për linjat e miratuara nga këshilli bashkiak.

Për shërbimin e rregullt në transportin rrethqytetës të udhëtarëve, lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti, për linjat e miratuara sipas përcaktimeve të ligjit për transportet rrugore.

Licenca për shërbimin e rregullt në transportin ndërqytetës të udhëtarëve, lëshohet nga ministri përgjegjës për transportin rrugor.

Licenca për shërbimet e rregullta të specializuara, lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti.

Licenca për shërbimet vajtje–ardhje të transportit të udhëtarëve do të lëshohet nga kryetari i bashkisë, ku ka selinë aplikanti dhe kur ky shërbim kryhet brenda juridiksionit të bashkisë.

Në udhëzimin e Ministrisë së transporteve sqarohet se, në linjat e rregullta ndërqytetëse certifikohen vetëm mjetet e konstruktuar për transportin e udhëtarëve me më shumë se 19 vende, përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit dhe certifikata e operimit për transportin e udhëtarëve lëshohet dhe rinovohet me afat deri në 5 vjet.

Ministria e transportit bën thirrje se, shoqëritë e reja të transportit të krijuara nga bashkimi i atyre ekzistuese, duhet të sjellin dokumentacionin në Ministrinë e Transportit dhe infrastrukturës, brenda datës 30.09.2016.

Nëse kushti i domosdoshëm i bashkimit të operatorëve ekzistues të transportit në një shoqëri të vetme, nuk plotësohet brenda këtij afati, përzgjedhja dhe licencimi i shoqërisë së re do të bëhet në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, (konkurrim/ankand).

Shoqëritë do të pajisen me Licencë për grup linjat me origjine bashkinë përkatëse, sipas këtij udhëzimi, i cili parashikon dhe planin e rinovimit total të flotës së autobusëve për një periudhë 5 vjeçare, me qëllim plotësimin e standardit të kërkuar të autobusëve.

Autobusët që operojnë në transportin e udhëtarëve brenda vendit duhet të plotësojnë standardet e sigurisë rrugore të mjetit, standardet e miratimit të tipit, e nxjerrjes së gazrave dhe zhurmave sipas standardeve të BE, si dhe kërkesat e komoditetit në transportin e udhëtarëve.

Për autobusët që çertifikohen për herë të parë për operim në linjat e rregullta, sipas këtij udhëzimi, viti i prodhimit do të jetë si më poshtë:

– Autobusët në transportin ndërqytetës në linjë kryesore të rregullt të udhëtarëve, duhet të jenë jo më pak se 10 vjet nga viti i prodhimit, (që në vitin e parë të rinovimit, 2017, korrespondon me standardin Euro 4);

– Për autobusët në transportin ndërqytetës, në linjë ushqyese, në shërbimet e rregullta të specializuara, në shërbimet vajtje-ardhje duhet të jetë jo më pak se 15 vjet nga viti i prodhimit, (që në vitin e parë të rinovimit, 2017, korrespondon me standardin Euro 3);

– Për autobusët në shërbimet e rastit, duhet të jetë maksimumi 12 vjet nga viti i prodhimit, (që korrespondon me standardin Euro 4).

Plani i rinovimit të flotës së autobusëve miratohet nga ministri përgjegjës për transportin rrugor, dhe mos respektimi i tij, përbën shkelje të rëndë dhe arsye për heqjen e licencës së shoqërisë.

Monitor

3 komente në “Nga 1 janari 2017 transporti ndërqytetës vetëm me autobus, ja kriteret për licencat dhe mjetet”

  1. Lloji says:

    Mos, do na mungojne furgonat qe ndalen ne surerstrade KUDO dhe ecin me 20km/h..

  2. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Se pari, Ministria duhet te krijoj 2 terminale, per autobuzet dhe veturat,per te kontrolluar biletat dhe per te marre tvsh !
    Perzgjedhjen e mjetit e ben udhetari.
    Hiqni dore nga korupsioni 26 vjeçar i liçensave,Ministrat kane marre aq euro nga linjat e Greqise,sa s’kane vend ku ti futin !

  3. kozmo says:

    BRAVO! KESHTU FUNKSIONON NE SHTETET E KULTURUARA , JO SI NE KALKUTA.
    SHPRESOJME, QE NJE DITE DO TE BEHET E MUNDUR UDHETIMI ME TREN .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje