Juristët: Dosjet e korrupsionit do mbyllen me “pafajësi”

6 Shtator 2016, 11:28Kronika TEMA

Kushtetuta e re është e pazbatueshme, edhe pse politika e cilëson si arritje miratimin e ndryshimeve kushtetuese që lidhen me reformën në drejtësi.

Edhe pse Kuvendi miratoi me konsensus dhe pa të, ndryshimet kushtetuese, ngërçi ka bllokuar aktivitetin e institucioneve të reja.

Për këtë problem kanë reaguar si presidenti i Republikës dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, të cilët janë shprehur se, aspekti procedural është thelbësor për Kushtetutën e re dhe kjo çështje duhet të zgjidhet.

Të njëjtin alarm japin edhe juristët, të cilët deklarojnë se Kushtetuta e re bie ndesh me ligjet e vjetra, pasi mungojnë dispozitat kalimtare që lejojnë krerët e institucioneve ligjzbatuese të veprojnë.

Në një prononcim për “Koha Jonë”, konstitucionalisti i njohur, Sokol Hazizaj, nënvizon se mungesa e seriozitetit të formatuesve të ndryshimeve kushtetuese të fundit, tregon që procesi i konfliktualitetit kushtetues do të jetë një proces në vijim.

“Në vendin tonë ekziston një konflikt më i madh”, pohon juristi Hazizaj, e sipas tij është ajo midis dëshirës dhe përfaqësimit. “Konflikti midis një realiteti tërësisht jo ligjor me drafte ligjore apo ligje, të cilat në mungesë të vullnetit për t’u zbatuar janë nul. Mungesa e forcës zbatuese të institucionit të hetimit, prokurorisë, nuk vjen për shkak të inefiçencës saj tradicionale, por thjesht dhe për shkak të vullnetit ligjbërës të shprehur në kushtetutë”,- deklaron Hazizaj.

Nga ana tjetër, juristi Idajet Beqiri, përveç shqetësimit për ngërçin, shton se pas shkrirjes së Prokurorisë së Përgjithshme, organi i akuzës nuk heton dot zyrtarë të lartë, deputetë, ministra apo qofshin ata gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. “Prokurori kishte për detyrë të hetonte dhe të çonte në gjyq funksionarë të lartë të shtetit, nuk “qullosi” dot ndonjë gjë! Madje, për turpin e saj, të gjitha proceset e hapura, ju mbyllën me “pafajësi” dhe pushime gjykimi prej Gjykatës së Lartë”, deklaroi ai.

Avokati Sajmir Vishaj përcjell të njëjtin shqetësim. Ai thotë se kjo Kushtetutë, kur është hartuar, nuk është parë me detaje deri ditën e miratimit të saj. Vishaj tha se, Kushtetuta do ketë probleme edhe pas miratimit të 7 ligjeve.

“Deputetët e votuan Kushtetutën pa e parë në detaje. Kushtetuta ka shumë probleme, e cila do të hasë shumë vështirësi në zbatim. Edhe pas miratimit të 7 ligjeve sërish do të ketë boshllëqe në zbatimin e dispozitave kalimtare. Ky është një shqetësim i drejtë i ngritur nga kryeprokurori. Aktualisht janë shumë çështje në dorë që kanë të bëjnë me korrupsionin ose me krimin e organizuar, për të cilat duhet të merret SPAK”.

Edhe për juristin Jordan Daku, ngërçi sjell një stok të çështjeve në gjykatat e reja që edhe sot pengojnë funksionimin normal të tyre, duke u bërë shkak për drejtësi të vonuar dhe kosto të pafundme për qytetarët.

2 komente në “Juristët: Dosjet e korrupsionit do mbyllen me “pafajësi””

  1. Qazim Mulleti says:

    Ama foli Adriatik DHallla, u ba reforma.


    Ajo dihej, vetem naivet shpresonin se hajdutet dhe kriminelet e parlamentit do votonin futjen e tyre ne burg. Per aq kohe sa ka dashuri dhe qetesi ne parlament, Taku dhe Edrama e kane mendjen te droga, ketu do behet me mire se Afganistani.

  2. fieraku NGA ferrasi says:

    O Milet degjoni dhe mbani vesh
    Cte bejne tjeter delet e shkreta?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje